Pandemia ka qenë kryefjala edhe e sportit në vitin 2020. Si çdo sektor tjetër edhe sporti vlerësohet se është goditur shumë. Klubet kosovare vazhdimisht janë ankuar për probleme financiare dhe kërkuan ndihmë nga FFK-ja, e cila disa herë i ka përkrahur. Të hyrat vlerësohet se kanë rënë goxha shumë për klubet e futbollit. Ato të paktën nuk marrin para nga shitja e biletave, ndeshjet po luhen pa shikues. Edhe sponsorët është thënë nga klubet se po japin më pak për shkak të telasheve të tyre me pandeminë.
Por nëse merret për bazë se ku do të përgatiten skuadrat për stinorin pranveror, atëherë mund të vlerësohet se krizë financiare te klubet nuk ka.
Pavarësisht të gjithave, katër nga dhjetë ekipet e Superligës fazën e fundit përgatitore do ta kryejnë në bregdetin e Turqisë, kurse pjesa tjetër e skuadrave pritet të përgatiten në Shqipëri. Vendi më i preferuar është Antalya dhe qytetet e afërta me këtë qendër turistike të Turqisë. Qëndrimi në Turqi nuk është pa kosto. Për një skuadër faza përgatitore dyjavore në Antalya kushton nga 30 deri në 40 mijë euro.
në fuqi, Drita do të niset drejt Antalyas më 20 janar dhe do të qëndrojë për 15 ditë. Drejtori i klubit nga Gjilani, Feti Murseli ka thënë për KOHËN se kostoja këtë vit është më e lartë sesa në vitet e kaluara.
“Më 20 janar do të niset ekipi drejt Antalyas. Do të qëndrojmë atje 15 ditë për fazën përgatitore. Kjo është hera e tretë radhazi që ne fazën përgatitore të janarit e kryejmë në Antalya. Këtë vit shpenzimet janë më të larta, 34-35 mijë euro kushton e gjithë faza, pra shpenzimet totale”, tha Murseli.
Ai e pranon se pandemia iu ka shkaktuar telashe. Megjithatë thotë se ia kanë dalë me sukses.
“Ky është viti i pestë që jemi në klub. Deri me tani kemi qenë korrekt dhe besoj që edhe në vazhdim do të jemi njësoj. Pandemia, si krejt bizneset, edhe neve na ka shkaktuar telashe. Ne burimet i kemi nga jashtë, por pandemia ka qenë në nivel botëror”, u shpreh Murseli.
Një gjë pozitive, sipas Murselit, është se Drita për çdo sezon e planifikon buxhetin dhe nuk ka më telashe. Ai theksoi se edhe mjetet financiare të pranuara nga UEFA kanë ndikuar pozitivisht në financat e klubit.
“Ne para fillimit të sezonit e përgatisim buxhetin për tërë edicionin dhe kjo na ka lehtësuar që të jemi korrekt me paga dhe me të gjitha gjërat tjera. Plus kësaj të hyrat nga UEFA që i kemi siguruar falë pjesëmarrjes dhe arritjes në raundin e tretë të Ligës së Evropës kanë qenë shumë të mira. Janë 1 milionë e 150 mijë euro që i kemi marrë nga UEFA. Edhe për këtë sezon ne e kemi buxhetin e ndarë, kjo është politika e klubit të Dritës”, tha Murseli.
Antalyan do ta “shkelin” edhe futbollistët e Prishtinës. Drejtori sportiv, Fisnik Kërçeli, ka deklaruar se pavarësisht vështirësive, kanë vendosur që përgatitjet të kryhen në vendin më të mirë, në mënyrë që të jenë sa më të gatshëm.
“Më 19 janar do të udhëtojmë drejt Antalyas për fazën e përgatitjeve. Atje do të qëndrojmë për dy javë dhe do të luajmë edhe disa ndeshje miqësore. Kostoja është e lartë, por përgatitjet sa më të mira janë obligative”, u shpreh Kërçeli. Ai shtoi se si klub janë dëmtuar gjatë kohës së pandemisë, jo vetëm financiarisht, por edhe në fushë. Kërçeli konfirmon se janë në pritje që të sigurojnë mjete nga UEFA.
“Jemi dëmtuar shumë gjatë pandemisë pasi nuk e kemi pasur mundësinë të tregojmë kualitetin në fushë, por jemi penalizuar ne tavolinë. Prej UEFA-s nuk kemi marrë asgjë deri me tani. Jemi në pritje të vendimit dhe me këtë punë është duke u marrë avokati”, përfundoi Kërçeli.
Udhëtimi në kohë të njëjtë i Dritës dhe Prishtinës për në Antalya po bëhet edhe për shkak të ndeshjes së Superkupës. Të dyja klubet janë pajtuar që Superkupa të zhvillohet në Antalya. Ka mbetur vetëm edhe konfirmimi zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Edhe skuadra e Arbërisë do të përgatitet në bregdetin turk. Ekipi nga Dobraja e Lipjanit për herë të parë po merr pjesë në Superligë këtë sezon e po ashtu për herë të parë do të udhëtojë drejt Antalyas.
Zëdhënësja e Arbërisë, Besarta Gashi, thotë se kanë vendosur për Antalyan për shumë arsye.
“E kemi zgjedhur Antalyan për shkak të kushteve optimale për sportistë. Duke pasur parasysh që Shqipëria ka vazhduar kampionatin dhe mundësia për të zhvilluar ndeshje miqësore përgatitore ka qene më e vogël, atëherë opsioni më i mirë ishte Antalya. Është hera e parë që do ta vizitojmë Antalyan, meqenëse si vend është i rekomandueshëm nga shume klube sportive si në vend dhe më gjerë. Konsiderojmë që është zgjedhja e duhur”, deklaroi Gashi. Ajo e pranon se pandemia e ka prekur klubin në aspektin financiar. Sipas saj, falë dy investitorëve ia kanë dalë që të mos kenë telashe financiare.
“Pandemia ka prekur çdo sektor të mundshëm, kjo është e kuptueshme, por ne si klub kemi qëndruar mirë dhe pa ndonjë dëmtim serioz që vlen të theksohet. Në aspektin financiar gëzojmë një stabilitet të mirë. Dhe për këtë u jemi mirënjohës punës dhe mbështetjes se pakontestueshme të dy financuesve të klubit tonë, presidentit Jahir Krasniqi dhe Rahim Krasniqit”, tha Gashi.
Edhe Llapi e ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Antalya për fazën e fundit përgatitore.
Në dilema është skuadra e Gjilanit, e cila ende nuk ka vendosur se ku do ta kryejë fazën finale përgatitore. Drejtori Sevdail Robelli tha për KOHËN se janë duke e shqyrtuar një opsion në Shqipëri.
“Ende nuk kemi vendosur se ku do të shkojmë në përgatitje. Jemi duke e shqyrtuar një opsion në Shqipëri, por ende nuk mund ta konfirmoj se ku do të shkojmë”, tha Robelli.
Ai pohoi se në Shqipëri do të jetë kosto më e vogël dhe për disa aspekte do të jetë më mirë.
“Në Turqi një fazë përgatitore shkon nga 30 deri në 40 mijë euro. Në Shqipëri kushton më lirë, është më afër dhe po ashtu edhe çështja e testeve. Çështja kryesore për në Turqi për ne si klub janë procedurat për teste të koronavirusit”, u shpreh Robelli. Sipas tij, pandemia e ka dëmtuar klubin e Gjilanit për disa muaj, kurse nga qershori gjithçka është rregulluar. Robelli theksoi se nga UEFA kanë marrë rreth 500 mijë euro.
“Pandemia na ka dëmtuar shumë në disa drejtime. Kemi pasur disa vështirësi, por ia kemi dalë disi. Ka pasur mirëkuptim nga lojtarët dhe stafi dhe e kemi kaluar atë krizë. I kemi marrë edhe mjetet financiare nga UEFA në muajin shtator, janë rreth 500 mijë euro. Nga muaji qershor e këndej gjithçka është në rregull sa u përket financave”, përfundoi Robelli.
Ballkani është duke e kryer fazën përgatitore në Shqipëri, ku ka zhvilluar edhe ndeshje miqësore. Drejt Durrësit ka udhëtuar të hënën edhe Feronikeli, ku pritet të qëndrojë deri në fund të këtij muaji. Njëjtë pritet të veprojë edhe Drenica. Besa ende nuk dihet se ku do t’i kryejnë përgatitjet.
Më 10 shkurt do të luhen ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës në futboll, kurse kampionati është planifikuar të nisë më 14 shkurt. Pas pjesës vjeshtore, Drita është lider e kampionatit me 41 pikë, tri më shumë se Ballkani. Prishtina është e treta me 32 pikë, kurse Gjilani i katërti me 29. Dy pozitat e fundit i mbajnë Drenica me 19 pikë dhe Besa me 6 pikë.
Klubet vendosin për Antalya për shkak të motit më të mirë, komplekseve të pajisura me fusha moderne dhe kundërshtarëve cilësorë për miqësore. Por jo gjithnjë përgatitja në këtë vend luksoz është shpërblyer me rezultate.