Numri i shqiptarëve në futbollin profesionist zviceran është i madh. Por shqiptarët natyrisht janë prezentë edhe në nivelet amatore. Një prej tyre është trajneri Egzon Tishuku. Ai e drejton skuadrën Goldstern, që garon në kategorinë e shtatë helvetike.
Goldsterni në rundin e parë të Kupës së Zvicrës e kaloi skuadrën e kategorisë së tetë, Sternenberg. Sternenbergu ishte e vetmja skuadër e kategorisë së tetë që u paraqit në rundin e parë të Kupës.
Për të arritur deri në rundin e parë të Kupës së Zvicrës, Tishuku thotë se është dashur shumë punë dhe rrugë e gjatë.
“Ne jemi kualifikuar në rundin e parë të Kupës sepse e kemi fituar Kupën e Bernës. Ekipi kundërshtar është kualifikuar për shkak se në ligën ku luan ka pasur më së pakti kartonë të marrë përgjatë sezonit. Kjo ka ndodhur për herë të parë”, ka thënë Tishuku për KOHËN.
E veçanta e Goldsternit është se futbollistët kontribuojnë për klubin në mënyra të ndryshme.
“Ekipi që unë e udhëheq përbëhet nga trajnerë e asistentë te grupmoshat e reja. Kapiteni i skuadrës përkujdeset për blerjen e rekuizitave. Një tjetër lojtar mban financat e skuadrës, tjetri përkujdeset për marketingun, sponsorët. Disa prej tyre kryejnë studimet për avokaturë e mjekësi, por këtu vijnë dhe luajnë për qejf”, thotë Tishuku.
Ai po hyn në sezonin e katërt si trajner i Goldsternit. Tregon se ka pasur shumë lëndime si futbollist, ndaj është dashur të largohet nga loja aktive. Më pas ka qenë gjyqtar në ligën e pestë, ndërsa ka përfunduar si trajner.
Trajneri Tishuku e di mirë se ndeshja e rundit të dytë në Kupën e Zvicrës është e pakalueshme për skuadrën e tij. Goldsterni në 1/16 e finales do të ballafaqohet me Grasshopperin e Superligës së Zvicrës, që është skuadra më e suksesshme zvicerane.
“Nuk presim ta fitojmë këtë lojë, por presim të kemi sa më shumë shikues, të kënaqemi ndaj lojtarëve të njohur. Gjithkush nga ne e ka pasur ëndërr të luajë në futbollin profesionist. Jemi gëzuar shumë që kemi një kundërshtar të tillë, është gjë normale të mos kemi shans ndaj tyre. Të luajmë në ndeshje të tillë është histori e klubit. Është duke u kthyer më shumë në festë të futbollit”, thotë Tishuku.
Tishuku pret që në stadium të jenë rreth 7 mijë shikues. Vendi se ku do të luhet takimi ndaj Grasshopperit më 18 shtator ende nuk është caktuar. Për Grasshopperin paraqiten Meritan Shabani e Dion Kacuri.