Sport

Skitarja amerikane kthehet në SHBA pas aksidentit të frikshëm

Skiatorja amerikane Nina O’Brien pësoi disa fraktura në këmbë e majtë pas përplasjes së frikshme që e pati në garën e sllallomit të madh të hënën, ka bërë të ditur zëdhënësja e ekipit amerikan të martën.

O'Brien 24-vjeçare, u trajtua në vendngjarje, më pas u transportua në një spital në Yanqing, distrikti i Pekinit ku po zhvillohen aktivitetet e skijimit alpin.

Mjekët vendas i kryen një operacion për të stabilizuar kockat në këmbën e saj.

“Unë do ta rregulloj pjesën tjetër në shtëpi”, tha O'Brien në një postim në Instagram nga shtrati i saj në spital. Ajo do të kthehet në SHBA për “vlerësim dhe kujdes të mëtejshëm”, sipas zëdhënëses.

O'Brien, që po debutonte në këtë ngjarje, doli e gjashtë në lëshimin e parë. Mirëpo, në të dytin, ajo e humbi ekuilibrin në njërën prej portave të fundit. Disa dhjetëra metra larg, skiatorët tjerë ishin të tmerruar me përplasjen e amerikanes.

Madje, Mikaela Shiffrin i mbylli sytë me duar. Në postimin e saj pas operacionit, O’Brien falënderoi të gjithë ata që u kujdesën për të, veçanërisht mjekët dhe infermierët në Yanqing.

“Jam pak zemërthyer, por gjithashtu ndjej kaq shumë dashuri”, shkroi ajo.