Kosova po përfaqësohet me dy skitarë në Lojërat Dimërore Olimpike për të Rinj “Gangwon 2024”, që po mbahen në Korenë e Jugut.
Lirika Deva dhe Klos Vokshi janë kualifikuar me normë në këtë ngjarje që ka nisur më 19 janar dhe do të zgjasë deri më 1 shkurt. Të dy skitarët e rinj do të garojnë në disiplinat e skijimit alpin, sllallom të madh dhe sllallom.
Ekipi i Kosovës tashmë është vendosur në Fshatin Olimpik dhe skitarët kanë mbajtur disa stërvitje përpara garës së parë. Pjesë e ekipit janë trajnerët Kushtrim Deva e Ernest Sefaj, ndërsa shef i misionit është Bujar Turjaka.
Skitarja Lirika Deva do të paraqitet e para në gara. Ajo të martën do të garojë në sllallom të madh. Plot 79 skitare do të paraqiten në lëshimin e parë të sllallomit të madh, ndërsa Deva do të lëshohet e 58-ta, sipas numrit rendor.
“Sigurisht, konkurrenca është shumë e fortë por ne po shpresojmë në një paraqitje sa më të mirë të mundshme në këtë ngjarje, që edhe është synimi”, është shprehur trajneri Kushtrim Deva.
Ai të hënën ka thënë për KOHËN se kanë bërë të gjitha përgatitjet për lëshimin e parë zyrtare në LOD për të Rinj “Gangwon 2024”. Ka treguar se fokusi i Lirikës është te gara e sllallomit dhe jo e sllallomit të madh. Ajo të enjten do të garojë në sllallom së bashku me skitarin Vokshi, i cili po ashtu fokusin e ka te kjo garë.
Vokshi të mërkurën do të debutojë duke u lëshuar në garën e sllallomit të madh.
“Duhet pranuar se fokusi i stërvitjeve tona ka qenë në garën e sllallomit të cilën e kemi të enjten. Si Lirika ashtu edhe Klosi, garën e sllallomit e kanë specialitet dhe besojmë në paraqitje dhe rezultate më të mira. Klosi të mërkurën e ka garën e sllallomit të madh, ndërsa më 25 janar të dy do të garojnë në sllallom”, është shprehur Deva.
Ky është edicioni i katërt i Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj. Kosova në këtë ngjarje po paraqitet për herën e dytë. Debutoi në Llozanë të Zvicrës në vitin 2020. Atëbotë, Kosova u pat përfaqësuar me skitarët Era Shala dhe Drin Kokaj.
Në Kore të Jugut garojnë mbi 1800 sportistë nga 78 shtete të ndryshme, të cilët janë të moshës prej 15 deri në 18 vjet.