Skuadra e Sivassporit e ka opsion të vetëm fitoren në ndeshjen ndaj Ballkanit dhe nuk po mendon për asnjë rezultat tjetër, kanë thënë të mërkurën në konferencën për shtyp trajneri i ekipit nga Turqia, Riza Çalimbay, dhe mesfushori Erdogan Yeshilyurt. Ballkani dhe Sivasspori takohen mes vete në ndeshjen e xhiros së katërt të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Kjo ndeshje e Grupit G nis në orën 21:00 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ballkani e fitoi ndeshjen e zhvilluar në Turqi javën e kaluar, 4:3. Ishte rezultat historik. Por, trajneri i skuadrës turke po synon revanshin në Prishtinë.
“Kjo ndeshje është e rëndësisë së veçantë dhe për shkak të disfatës në vendin tonë javën e kaluar, rëndësia e këtij ballafaqimi është rritur edhe më shumë. Ne padyshim duhet të marrim pikë këtu”, ka thënë fillimisht trajneri Çalimbay në konferencën për shtyp.
Megjithatë, pavarësisht se me vetëbesim të madh para ndeshjes me suharekasit, ai ka vlerësuar pozitivisht skuadrën kampione të Kosovës.
“Ballkani është ekip i mirë dhe i rrezikshëm. Por edhe neve duhet të na kushtohet vëmendje, po ashtu. Provuam gjithçka që kemi mundur për të shënuar në ndeshjen e fundit, por për fat të keq kemi pranuar gola të papritur në fushën tonë. Kemi pasur shumë shanse, e sidomos në pjesën e dytë, kemi luajtur shumë mirë. Pjesa e parë e ndeshjes mbaroi në Sivas, këtu do ta zhvillojmë pjesën e dytë. Qëllimi jonë është të fitojmë. Nuk kemi ide tjetër, por e dimë se nuk do të jetë ndeshje e lehtë. Nëse duam të fitojmë, gjëja më e rëndësishme në lojë është disiplina, koncentrimi dhe lufta në fushë. Kur i bëjmë këto gjëra, mund të kthehemi me atë që duam”, theksoi trajneri i skuadrës turke.
Çalimbay më pas tha se askush nuk do ta nënvlerësojë Ballkanin, pasi ky ekip është kampion i Kosovës dhe prej më të mirëve në grup. Bëri të ditur se i kanë përcjellë suharekasit nga afër dhe i kanë analizuar mirë. Se fitorja është synimi i vetëm i Sivassporit e ka pranuar edhe mesfushori Erdogan Yeshilyurt. Ai theksoi në konferencën për shtyp se skuadra është e përgatitur për këtë ballafaqim.
“Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. Kemi humbur në ndeshjen e fundit, por unë mund t’iu them se jemi shumë ambiciozë. Nuk fituam ndeshjen dhe pikët, por për duelin e nesërm, synim është fitorja. Nuk kemi synim tjetër. Shpresoj se do të tregojmë ndeshje të mirë të enjten dhe të marrim tri pikë nga ai ballafaqim”, ka deklaruar Yeshilyurt.
Në Grupin G, Ballkani është i pari me katër pikë. Në fakt, nga katër pikë i kanë edhe tri skuadrat e tjera në grup, por suharekasit kanë goldallim më të mirë. Sivasspori është i dyti. Slavia e Pragës është e treta, ndërsa me goldallimin më të dobët është Cluji rumun. Pas ndeshjes me Ballkanin, Sivasspori luan në shtëpi ndaj Clujit, kurse fazën grupore e mbyll me Slavian e Pragës në udhëtim. Ballkani pas Sivassporit e luan një tjetër ndeshje në shtëpi. I pret çekët e Slavia Pragës. Ndeshjen e fundit të fazës së grupeve e mbyll në udhëtim te Cluji.