Sport

Simnica po zhvillohet hovshëm te Stuttgarti

Bernd Leno, Joshua Kimmich, Antonio Ruediger, Sami Khedira, Serge Gnabry, Mario Gomez e Timo Werner, janë vetëm disa prej emrave të njohur të cilët kanë kaluar shkollën e futbollit të Stuttgartit.

Te skuadra e madhe e Bundesligës gjermane aktualisht po zhvillohet edhe Luan Simnica.

Simnica është 19-vjeçar dhe po luan me sukses tek ekipi i dytë i Stuttgartit. Ai shpreson ta ndjekë rrugën e emrave të mëdhenj të futbollit që u zhvilluan te Stuttgarti.

Simnica luan në pozitën e mesfushorit defensiv.

Simnica karrierën e ka nisur si tetëvjeçar te Koelni, ku qëndroi deri në grupmoshën U11. Më pas ishte pjesë e Hennefit për tre vjet, për t’u kthyer sërish te Koelni deri në grupmoshën U15. Ai thotë se që në moshë të re është shquar në fushë për fizikun, vrapimet, ndërhyrjet e suksesshme e pasimet e sakta për bashkëlojtarët.

Kjo ka bërë që Stuttgarti ta bëjë lëvizjen e ta afrojë në skuadër.

“Pa punuar vetë nuk ka asgjë. Duke luajtur u kam rënë në sy drejtuesve të Stuttgartit”, ka deklaruar Simnica të dielën për KOHËN.

Me Koelnin, Simnica ka fituar Kupën e Gjermanisë për juniorë në edicionin e kaluar. Ishte edhe gjysmëfinalist i kampionatit të juniorëve.

Këto deri tani janë sukseset më të mëdha të tij, të cilat synon t’i rritë në vazhdim të karrierës.

Simnica thotë se nuk ka shumë dallime mes skuadrave të Bundesligës. Ai thotë se të gjitha skuadrat e elitës gjermane kanë kushtet më të mira për punë.

“Nuk ka shumë ndryshime, sepse niveli i gjithë Bundesligës është i njëjtë. Po ndihem shumë mirë, jemi duke ecur shumë mirë. Ndihem rehat në pozitën ku luaj, por e ke gjithë lojën në dorë. Me shumë bindje duhet të luash në atë pozitë, sepse ndryshe nuk mundesh. Për momentin është gjithçka mirë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, ka vazhduar tutje Simnica.

Simnica është edhe pjesë e Kosovës U21. Debutoi në humbjen nga Polonia U21 në kualifikimet për Evropianin 2025, në shtator të këtij viti.

“Krenar jam shumë për të luajtur për Kosovën, sepse është shteti im”, thekson ai.

Në edicionin aktual me Stuttgartin II në Regionalliga Suedwest, Simnica ka shënuar dy gola, ndërsa ka kontribuuar edhe me tri asistime, ndonëse pozita e tij është larg portës. Me skuadrën e tij zë vendin e pestë me 35 pikë, tetë më pak se lideri Stuttgarter Kickers. Me Stuttgartin II, kosovari ka kontratë deri në vitin 2025.