Sport

Sigurimi largon babanë e Haalandit nga zona VIP pas përplasjes me tifozët e Realit

Babai i sulmuesit Erling Haaland, Alf-Inge, u largua nga sigurimi prej zonës VIP të stadiumit “Santiago Bernabeu” pas fjalosjes dhe fyerjeve që pati me tifozët e Real Madridit gjatë gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.

Norvegjezi 50 vjeç ishte i pranishëm për të parë djalin e tij duke udhëhequr sulmin e ekipit të Pep Guardiolas në barazimin 1:1 kundër kampionit në fuqi të Evropës. Por Alf-Inge, ish-lojtari i City, Nottingham Forestit dhe Leedsit, u largua nga zona VIP ku ishte i vendosur pasi nxiti një pjesë të tifozëve të Real Madridit që ishin ulur para tij.

Alf-Inge pati fjalosje dhe fyerje me tifozët madrilen, si dhe bëri gjeste të turpshme ndaj tyre derisa brohoritjet vazhdonin në drejtim të tij.

Raportet në Spanjë e akuzuan babain e Haalandit se ai i kishte gjuajtur tifozët e Realit që ishin para tij me kikirikë në fillim të pjesës së dytë. Ai po ashtu ka bërë gjeste të pahijshme me duart ndaj tifozëve të Realit, gjë që ka nxitur sigurimin për të shkuar dhe kërkuar të largohet nga zona VIP.