Sport

Si u delegua Mervan Bejtullahu në dy ndeshje vendimtare të fundjavës

Liria e Ulpiana kanë luajtur ndeshje vendimtare të shtunën. Në Klinë, Liria e Prizrenit fitoi 3:1 në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë. Tani Lirisë i duhet edhe një fitore për të kaluar në Superligë.

Ndeshje vendimtare të dielën luajtën Ferizaj dhe Dukagjini i Klinës. Ferizaj fitoi 2:1 në mënyrë shumë kundërthënëse dhe shmangu rënien nga Superliga. Do të luajë me Lirinë në ndeshjen e barazhit për vendin në Superligë.

Ndeshja e së shtunës në Klinë dhe e së dielës në Ferizaj kishin një të përbashkët, pos peshës së madhe – Mervan Bejtullahun. Arbitri Bejtullahu dhe ekipi i tij kanë drejtuar dy prej ndeshjeve më të rëndësishme të gjithë edicionit.

Nuk është praktikë që një arbitër të drejtojë dy ndeshje vendimtare brenda dy ditëve. Nuk është e ndaluar, por nuk ndodh shpesh, sidomos në vendet me futboll të zhvilluar. Në Kosovë megjithatë kjo ndodhi.

Bejtullahu ishte protagonist në ndeshjen e së dieles në Ferizaj. Për shkak të zhagitjeve të shumta, e vazhdoi ndeshjen për 17 minuta. Në minutat shtesë dha penallti për Ferizajn, që ishte shumë e dyshimtë. Në pikën e bardhë tregoi për lojë me dorë, por pas rishikimit të VAR-it ndryshoi vendimin. Dhe më pas, në minutën e 105-të, Ferizaj shënoi golin e fitores pasi portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, në mënyrë të turpshme u kujdes që mos të goditej nga topi.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë arsyetuar vendimin për të deleguar Bejtullahun në dy ndeshjet me shumë rëndësi. Kryetari i Komisionit për delegimin e gjyqtarëve dhe kontrolluesve për Superligë dhe Ligën e Parë, Gani Havolli, ka theksuar se edhe më herët ka ndodhur që arbitrat të drejtojnë dy ndeshje të rëndësishme brenda dy ditëve.

“Nuk është e ndaluar që një gjyqtar ta ndajë drejtësinë dy herë brenda dy ditëve. Ka ndodhur edhe me Genc Nuzën e po ashtu edhe Alban Shala ka qenë i angazhuar kështu. Zakonisht kështu veprojmë kur ka ndeshje të barazhit. Delegojmë gjyqtarë me stema të FIFA-s për shkak të ndjeshmërisë. Kjo ka qenë arsyeja pse e kemi deleguar Mervan Bejtullahun”, ka thënë Havolli për KOHËN.

Të dielën Ferizaj e Liria luajnë ndeshjen vendimtare për vendin në Superligë. Mbetet të shihet nëse Bejtullahut do t’i besohet edhe ai takim.