Plot tetë garues do ta përfaqësojnë Kosovën në garën më prestigjioze të xhudos, Grand Slamin e Parisit.
Grand Slami i famshëm i Parisit mbahet prej 2 deri më 4 shkurt. Pritet pjesëmarrja e 661 xhudistëve nga 110 shtete të ndryshme. Në vitin olimpik, Grand Slami i Parisit fiton shumë në rëndësi. Fakti se Lojërat Olimpike në verë do të mbahen pikërisht në Paris, e bën edicionin e sivjetmë të pakrahasueshëm.
Grand Slami i Parisit ka traditë prej mbi gjysmë shekulli, ndërsa është atmosfera impozante që e bën garë të veçantë. Luftërat finale zakonisht zhvillohen para 15 mijë apo 20 mijë shikuesve, shumica prej tyre njohës të mirë të xhudos.
Vjet Kosova ishte përfaqëuar në Grand Slamin e Parisit me pesë xhudistë. Në vitet e mëparshme ishin gjithnjë më pak se pesë. Këtë herë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vendosur të marrë pjesë me plot tetë xhudistë.
Në krye të ekipit të Kosovës do të jenë kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Prej xhudisteve do të garojnë edhe Laura Fazliu, Loriana Kuka dhe Flaka Loxha. Nga xhudistët do të jenë Akil Gjakova, Dardan Cena e Shpati Zekaj. Distria, Nora, Laura, Akili e Loriana vlerësohen me potencial të madh për medalje. Pa gjasa nuk janë as Dardani, Flaka e Shpati.
“Është e rëndësishme që më shumë xhudistë ta përjetojnë atmosferën e veçantë në Grand Slamin e Parisit. Për herë të parë kemi kaq shumë garues në garën më prestigjioze të sportit tonë”, ka thënë trajneri Driton Kuka për KOHËN.
Ai do të asistohet nga Majlinda Kelmendi.
Majlinda, si pak xhudiste e trajnere të xhudos, e njeh Grand Slamin shumë mirë. E ka fituar katër herë rresht medaljen e artë, duke filluar nga viti 2014 e deri në vitin 2017. E ka edhe një medalje të argjendtë në vitin 2013.
Distria Krasniqi i ka dy medalje të arta, dy të argjendta e dy të bronzta. Akil Gjakova ka fituar të artën në vitin 2018, ndërsa Nora Gjakova e fitoi medaljen e bronztë në vitin 2020.
Prej vitit 2013, Kosova ka fituar rregullisht medalje në Grand Slamin e Parisit. Vetëm në vitin 2021, pas Lojërave Olimpike në Tokio, xhudistët kosovarë nuk morën pjesë në ngjarjen në kryeqendrën franceze. Atë vit Grand Slami ishte mbajtur në tetor e jo në terminin e zakonshëm në fillim të muajit shkurt.
“Parisi është gjithmonë katalizator. Prodhon nivelin më të lartë të xhudos, befasitë më të mëdha . Është ngjarje që u tregon gjithë xhudistëve të rinj se çka duhet të synojnë nëse duan të jenë më të mirët. Grand Slami i Parisit është frymëzim, edukim dhe histori. Ne jemi shumë krenarë për të tashmen e kësaj ngjarjeje dhe po ashtu për trashëgiminë e saj”, ka thënë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer.
Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa për të artën pritet të luftojë me xhudiste si italiania Odette Giuffrida, britanikja Chelsie Giles e izraelitja Gefen Primo.
Nora Gjakova është bartësja e gjashtë në kategorinë deri 57 kilogramë, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme. Kanadezet Christa Deguchi dhe Jessica Klimkait janë bartëset një e dy.
Laura Fazliu është bartësja e dytë në kategorinë deri 63 kilogramë, menjëherë pas kanadezes Catherine Beauchemin-Pinard. Ikona franceze, Clarisse Agbegnenou, vlerësohet me potencial për të shkuar deri në finale në këtë kategori.
Xhudistët e tjerë të Kosovës nuk janë në mesin e bartësve.
Në ditën e parë të garave, të premten, do të garojnë Distria, Nora e Flaka Loxha. Dhe medaljet e para për Kosovën në këtë vit mund të vijnë menjëherë të premten.