Sport

Shumë volejbolliste të huaja në skuadrat kosovare

Volejbolliste nga Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Ukraina, e madje edhe nga SHBA-ja e Kuba, pritet të luajnë në Superligën e Kosovës në pjesën e dytë të kampionatit. Federata e Volejbollit e Kosovës ka njoftuar të dielën se në afatin kalimtar të janarit janë 12 kërkesa për transferime ndërkombëtare nga klubet kosovare.

Vetëm dy kërkesa kanë dokumentacionin e kompletuar, ndërsa të tjerat janë “në proces”, ashtu si i ka evidencuar FVK-ja. Me dokumentacion të kompletuar janë kërkesat e M Technologie për lojtaren nga Ukraina, Denina Inna, dhe atë nga Kuba, Anet Alfonso.

Bullgarja Aleksandra Avramova, amerikania Kayle Manns dhe Ergysa Blloku e Arjola Prenga pritet të kalojnë te Drita e Gjilanit. Skënderaj mund ta marrë Malvina Tucin e Shqipërisë, ndërsa një tjetër volejbolliste nga Shqipëria, Herta Jahja, mund të kalojë te Prishtina. Ebru Karailan e Turqisë mund të bashkohet me Ferizajn, kurse Sara Shehu e Kejsi Matraku me Feronikelin.

Te volejbollistët janë pesë kërkesa për transferime ndërkombëtare. Bëhet fjalë për katër lojtarë nga Brazili dhe një nga Sllovakia. Theranda ka paraqitur kërkesë me shkrim për brazilianin Julio Costa dhe sllovakun Jakub Hukel. Në proces është transferimi i brazilianit Wilton Rodriges te Theranda, ndërsa tashmë të kompletuara janë kalimet e Cesar Tavaresit te Ferizaj dhe Augusto Lupp te Peja. Edhe këta dy janë brazilianë.

Janë edhe nëntë kërkesa për kalim të lojtarëve vendorë nga skuadra në skuadër.

“Gjatë javës së ardhshme mblidhet komisioni dhe i shqyrton kërkesat. Shumica kompletohen, për disa duhet plotësim i dokumentacionit. Besoj se do të rriten rivaliteti dhe cilësia. Disa lojtare kanë qenë edhe më herët në Kosovë e disa janë për herë të parë. Në bazë të përforcimeve edhe me lojtare vendore, Drita dhe M Technologie do të jenë favorite. Por edhe Skenderaj ka ekip me përvojë që shumë shpejt mund të hyjë në luftë për trofe”, ka thënë Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i FVK-së.

“Përforcimet e huaja do të thosha se i shërbejnë cilësisë së përkohshme. Më shumë mendoj se e rrisin rivalitetin mes ekipeve dhe e bëjnë kampionatin interesant”, ka shtuar Nikqi.