Sport

“Shtëpia e tretë”, e pafat për Arbërinë

Klubi nga Dobraja e Lipjanit, Arbëria, po garon për herë të parë në Superligën e Kosovës në futboll. Por kjo nuk është gjëja e vetme që e veçon nga skuadra të tjera elitare.

është e hendikepuar në mungesë të stadiumit të denjë për Superligë dhe të gjitha ndeshjet i luan jashtë Dobrajës e Lipjanit.

Arbëria gjatë këtij edicioni i ka ndërruar tri stadiume për ndeshjet si vendëse.

Së pari si vendëse luajti në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, ku kaloi formë mesatare. Më pas u zhvendos në kryeqytet, i zhvilloi disa ndeshje të pjesës vjeshtore në stadiumin e Flamurtarit.

“Shtëpia e tretë” e lipjanasve është fusha me bari sintetik në Ferizaj. Por kjo arenë e futbollit duket si e pafat për ekipin e trajnerit Arbnor Morina. Arbëria ishte befasi e këndshme në stinorin vjeshtor. Por këtë vit rezultatet po i mungojnë.

Në dy ndeshjet kampionale në Ferizaj, Arbëria ka pësuar dy humbje, dhe atë me rezultat të thellë. Humbi nga Prishtina 4:0 dhe të hënën ndaj Feronikelit, 3:0. Po ashtu, u eliminua edhe nga Kupa e Kosovës, duke pësuar disfatë nga Feronikeli, 1:0.

Në tri ndeshje të luajtura në Ferizaj, dobrajasit pësuan po aq humbje. Pranuan tetë gola dhe nuk ia dolën që të shënojë asnjë.

Në total si vendës në 11 takime, Arbëria ka shënuar tri fitore e dy brazime dhe ka pësuar gjashtë humbje. Së bashku me Besën e Pejës ka arkëtuar më së paku pikë si vendëse.

Në Obiliq i zhvilloi gjashtë ndeshje, kurse arriti një fitore, dy brazime dhe pësoi tri disfata. Në stadiumin e Flamurtarit, në tri duele, arriti dy fitore dhe pësoi një humbje. Në këto dy arena të futbollit, Arbëria ndeshjet i luajti në fusha me bari natyral, kurse në Ferizaj fusha është me bari sintetik.

Fushën në Ferizaj, trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, thotë se e kanë pasur zgjedhje të vetme. Sipas tij, insistimi ka qenë që të luajnë në fusha me bari natyral edhe në stinorin pranveror, por që ka qenë e pamundur.

“Ne kemi insistuar që të luajmë në fusha me bari natyral, pasi në vjeshtë kemi treguar lojëra shumë të mira, por ka qenë e pamundur. Ferizajn dhe fushën me bari sintetik e kemi pasur opsionin e vetëm, pasi fusha e klubit ende nuk është rregulluar dhe nuk mund të luajmë as në Lipjan. Fusha në të cilën luajmë në Ferizaj është e kundërta me atë që stërvitemi, pasi fusha ku stërvitemi është shumë më e butë. Por këto nuk janë justifikim për humbjet. Ne jemi duke vuajtur që jemi pa shtëpi. Nëpër këtë fazë kanë kaluar edhe disa klube të tjera”, u shpreh Morina për KOHËN.

I pari i shtabit teknik të Arbërisë është i befasuar se si nuk po ia dalin që të shënojnë, pas shumë rasteve që po krijojnë. Morina thekson se angazhimi i lojtarëve nuk po mungon.

“Përveç ndeshjes me Prishtinën, ku kemi luajtur dobët, në ndeshjet e tjera kemi pasur paraqitje shumë të mira. Ne po punojmë shumë dhe angazhimi i lojtarëve nuk po mungon. Nëse do të mungonte angazhimi i futbollistëve nuk do të kishim krijuar aq shumë raste. Është e çuditshme se sa shumë raste kemi krijuar dhe nuk kemi arritur që të shënojmë. Kemi punuar shumë, kemi bërë stërvitje speciale në të gjitha fazat dhe jemi dënuar në ato pika ku kemi punuar shumë. Është mungesë koncentrimi në disa raste”, tha Morina.

Me gjithë mungesën e rezultateve pozitive në fillim të stinorit pranveror, Morina beson se shumë shpejt ekipi do të këndellet.

“Ne po punojmë çdo ditë që të mos gabojmë aty ku po ushtrojmë më së shumti. Besoj që shumë shpejt do të kthehemi te rezultatet pozitive. Kemi treguar paraqitje të mira në ndeshjet e fundit. I përgëzoj lojtarët për angazhimin”, përfundoi Morina.

Pas 22 xhirove të zhvilluara, Arbëria zë vendin e tetë me 25 pikë. Ka shënuar 21 gola dhe ka pranuar 28. Pozita aktuale në të cilën ndodhen lipjanasit, në fund të kampionatit dërgon në barazh. Në ndeshjet e xhiros së 23-të, Arbëria do të jetë mysafire e Gjilanit.