Skulptori Agron Blakçori e ka përfunduar shtatoren e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, e cila është punuar në bronz. Por, edhe pse puna është kryer në fillim të tetorit, atëherë kur ishte planifikuar ngritja e shtatores, ajo ende nuk është vendosur askund.
Blakçori, që e ka gdhendur në bronz figurën e legjendës së futbollit, ka thënë për KOHËN se punën e tij e ka kryer sipas kontratës. Ai është shprehur shumë i kënaqur me komentet pozitive që ka marrë pas publikimit të fotografive të shtatores në rrjetet sociale.
“Unë e kam përfunduar shtatoren në fillim të muajit tetor, ashtu siç ka qenë e përcaktuar në kontratë. Për vendosjen dhe lokacionin vendos Ministria. Sigurisht buceti nuk ka qenë final dhe janë bërë disa ndryshime të vogla që lejohen sipas kontratës. Unë jam i kënaqur me realizimin final dhe gjithashtu edhe reagimet kanë qenë të mira pas publikimit të shtatores së finalizuar”, ka thënë Blakçori.
Ai e konfirmon se një pjesë të parave i ka marrë, kurse pjesën e fundit është duke pritur t’i marrë gjatë kësaj jave.
Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, punimi i shtatores së Vokrrit do t’i kushtojë rreth 50 mijë euro.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, ka deklaruar se i kanë filluar procedurat e prokurimit për rregullimin e bazamentit. Tashmë është përcaktuar se ku do të vendoset shtatorja.
“Shtatorja është përfunduar dhe është në bronz. Për momentin jemi duke zhvilluar procedurat e prokurimit për një bazament në të cilin do të vendoset shtatorja. Sa më shpejt që të jetë e mundur, do të përfundojë dhe më pas do të vendoset”, u shpreh Alaj.
Ai tregoi edhe vendin e saktë se ku do të vendoset shtatorja e legjendës Fadil Vokrri, pranë stadiumit që mban emrin e tij.
“Stadiumi ka leje nga Komuna dhe ne mendojmë që shtatoren ta vendosim para hyrjes në stadium. Pra, në pjesën perëndimore, te hyrjet kryesore të stadiumit. Shtatorja do të vendoset brenda rrethojave të stadiumit. Ende nuk dihen saktë muaji dhe data se kur do të vendoset shtatorja. Mund të jetë muaji janar, në të cilin ka data të veçanta dhe ndoshta do të ishte mirë të vendoset në një datë të rëndësishme”, deklaroi Alaj.
Ai shtoi se pjesa e fundit e pagesës për shtatoren e Vokrrit do të kryhet shumë shpejt.
Në opsion kanë qenë tri lokacione për vendosjen e shtatores së Fadil Vokrrit, mbi plate të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, jashtë rrethojave të stadiumit, si dhe brenda rrethojave.
Prezantimi i maketit të shtatores së Fadil Vokrrit ishte bërë më 9 qershor, në dyvjetorin e vdekjes së ish-kryetarit të FFK-së dhe sulmuesit të Prishtinës.
Pjesëmarrës në ceremoni ishin kryeministri Avdullah Hoti, ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, dhe shumë personalitete të futbollit.
Aty ishte premtuar se shtatorja do të ngrihej në muajin tetor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Djali i Fadil Vokrrit, Gramozi, kishte besuar se shtatorja do të ngrihej para gjysmëfinales të Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut dhe do të shërbente si motiv për lojtarët për të shkruar histori. Gramoz Vokrri kishte përzgjedhur modelin e ofruar nga skulptori Agron Blakçori. Shtatorja nuk ishte vendosur dhe lojtarët nuk shkruan histori – humbën nga Maqedonia e Veriut më 8 tetor.
Maketi ishte përcjellë me shumë kritika. Ishte vlerësuar se nuk i ngjan Fadil Vokrrit, por skulptori Blakçori kishte kërkuar durim. Tani ai është i kënaqur me punën që ka bërë, ndërsa mbetet të shihet se cilat do të jenë vlerësimet pasi të vendoset shtatorja në vendin e përcaktuar. Në fund të muajit të kaluar kishte pasur kritika të shumta për disa shtatore të zbuluara në vend.