Përfaqësuesja e Suedisë në futbollin e sallës (futsall) shkroi historinë me disa shqiptarë në radhët e veta. Suedia e fitoi Grupin E të raundit preliminar për kualifikim në Kupën e Botës 2024.
Doli e para me shtatë pikë, para Austrisë, Shqipërisë dhe Andorrës.
Me sukses ka vazhduar edhe në raundin kryesor (Main Round) të kualifikimeve për Botërorin e ardhshëm, sërish me shqiptarët protagonistë.
Në Grupin 10 me tri skuadra, Suedia përfundoi në vendin e dytë, prapa Italisë.
Suedia pati katër pikë, aq sa kishte edhe Maqedonia e Veriut. Suedia kishte më shumë gola të realizuar dhe shkoi në plejofin e rundit kryesor, ku prej 10 deri më 19 prill do të luajë dy ndeshje me Gjermaninë.
Për ta siguruar këtë sukses, Suedia mposhti Maqedoninë e Veriut 5:2 në ndeshjen e parë, humbi 6:1 nga Italia dhe 3:1 nga Maqedonia e Veriut. Por barazoi 7:7 në ndeshjen vendimtare me Italinë.
Ishte pika që i kreu punë Suedisë dhe u arrit edhe falë kontributit të Donat Gashit, që për Suedinë realizoi dy gola. Një gol tjetër e shënoi Albert Hiseni. Petrit Zhubi, kapiten i përfaqësueses dhe Liridon Makolli dhanë kontribut po ashtu.
Gashi thotë se kur e kanë parë grupin e kanë ditur se Italia është favorite. Por ai ka besuar në sukses, pavarësisht se Italinë e kanë respektuar më shumë se që duhet. Pikërisht ndaj Italisë, Gashi thotë se e kanë luajtur ndeshjen më të mirë ndonjëherë.
“Ndaj Italisë e kemi luajtur lojën më të mirë në histori të futsallit të Suedisë. Kam shënuar dy gola dhe normalisht se nuk ka ndjenjë më të mirë se të shënosh ndaj Italisë. Italia është e 11-ta në ranglistën botërore të futsallit”, thotë Gashi 24-vjeçar, pjesë e skuadrës Uddevalla në Suedi.
Ai thotë se për këtë sukses meritat më të mëdha i ka trajneri kroat, Matija Dulvat.
Suedia asnjëherë nuk e ka kaluar rundin në të cilin është aktualisht. Por Gashi është i bindur edhe në kalimin e kundërshtarit të radhës në plejof.
“100 për qind do ta kalojmë këtë raund. Prej të gjitha skuadrave që janë në plejof, Italia është më e mira. Me Gjermaninë kemi luajtur edhe më herët dhe besoj se do të shkojmë tutje. Do t’i fitojmë të dyja ndeshjet”, ka thënë sulmuesi nga Peja.
Në rast të triumfit në plejof, Suedia do të avanconte në kualifikimet finale për “Elite Round”.
Suedia asnjëherë nuk ka luajtur në fazën finale të një Botërori apo Evropiani në futsall.
Tani synon një gjë të tillë, me shqiptarët në skuadër.