Shqipëria të hënën ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese për “Euro 2024”. Pas konferencës për shtyp gjatë ditës, në të cilën u paraqitën Sokol Çikalleshi e Nedim Bajrami, në mbrëmje selektori Sylvinho ka mbajtur stërvitjen e parë.
Seanca e parë stërvitore është mbajtur në Tiranë, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit, ku “kuqezinjtë” do të stërviten edhe gjatë ditës së nesërme.
Sylvinho në stërvitjen e parë kishte në dispozicion 24 prej 25 futbollistëve të ftuar. Mungesa e vetme ishte mesfushori Qazim Laçi, i cili është lënë në pushim për shkak të gjendjes gripale, por që do të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor. Të fundit që i janë bashkuar ekipit kuqezi pas angazhimit nëpër klube ishin Arbnor Muja, Etrit Berisha, Ylber Ramadani e Ivan Balliu.
Programi i stërvitjes së parë ishte i kombinuar, pasi disa prej lojtarëve kanë luajtur ndeshje me klubet e tyre të dielën dhe nuk kishin nevojë për ngarkesa të mëdha. Në fakt lojtarët si Ramadani, Muja, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ernest Muçi, Elseid Hysaj e Elhan Kastrati kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar. Krahas punës në palestër, ata kanë bërë edhe ushtrime fizike në fushë pa top. Ndërkohë pjesa tjetër e lojtarëve, krahas ushtrimeve fizike ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolluese kundër ekipit U19, që është grumbulluar në Tiranë për dy ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin.
Shqipëria do ta mbajë edhe të martën një seancë stërvitore, përpara se të mërkurën të marrë rrugën drejt Pragës për ndeshjen e parë kualifikuese të këtij muaji. Shqipëria do të përballet me Çekinë të enjten prej orës 20:45, ndërsa dueli që luhet në stadiumin “Fortuna Arena” vlerësohet si më i rëndësishmi për ecurinë e ekipit kuqezi drejt kualifikimit në Evropianin e vitit të ardhshëm.
Tri ditë pas duelit në Pragë, Shqipëria do të përballet me Poloninë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Grupit E kualifikues i prin Çekia me 7 pikë të mbledhura pas tri ndeshjeve të luajtura. Shqipëria është e dyta me gjashtë pikë, një më shumë se Moldavia që renditet e treta, por që ka një ndeshje më shumë të luajtur. Përfaqësuesja e Polonisë ka tubuar vetëm tri pikë prej tri ndeshjeve dhe është e parafundit, ndërsa Ishujt Faroe me vetëm një pikë e mbyllin grupin.
Krahas Arbnor Mujës, për herë të parë te Shqipëria është ftuar edhe sulmuesi tjetër nga Kosova, Mirlind Daku.