Sport

Shqipëria luan për rezultat pozitiv në “Wembley”

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, është shfaqur optimist në konferencën e fundit para ndeshjes me Përfaqësuesen e Anglisë.

Reja të enjten ka paralajmëruar se Shqipëria ka udhëtuar në Londër për rezultat pozitiv në ndeshjen e Grupit I kualifikues për kampionatin botëror “Katari 2022”. Dueli mes Anglisë dhe Shqipërisë zhvillohet të premten prej orës 20:45 në stadiumin “Wembley” në Londër. Reja shpreson që në këtë stadium të ketë fat. Ka thënë se përzgjedhësi aktual i Italisë, Roberto Mancini, ka fituar në “Wembley” dhe ka hapur rrugë për italianët e tjerë. Mancini me Italinë e mposhti në muajin korrik Anglinë në ndeshjen finale të Kampionatit Evropian.

“Të gjitha ndeshjet luhen për t’i fituar. E dimë që është një ndeshje shumë e vështirë, përballë një ekipi të madh jo vetëm individualisht, por edhe kolektivisht. Shqipëria duhet të bëjë një ndeshje perfekte. Ne jemi këtu të tregojmë një figurë të mirë, pse jo të arrijmë edhe një rezultat pozitiv edhe pse kemi respekt të madh për Anglinë”, është shprehur Reja. “Kam menduar për Mancinin pasi Italia ka fituar këtu. Kështu që Mancini ka hapur rrugën për ne, pasi u solli fat Italisë dhe italianëve. Ndoshta fati do të na përcjellë edhe neve në këtë takim në Londër”.

Reja është i bindur që Shqipëria do të ketë paraqitje të mirë dhe do të tregohet ekip me karakter. Megjithatë, ai ka pranuar se Anglia mbetet favorite në këtë përballje. Anglia i prin grupit me 20 pikë dhe ende nuk e ka siguruar kualifikimin direkt në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, Shqipëria është e treta me 15 pikë dhe me pak gjasa për ta siguruar vendin e dytë në grup, të cilin e mban Polonia (17), dhe që siguron plejofin.

Pavarësisht kësaj situate në grup dhe gjasave minimale, Reja insiston se Shqipëria ende nuk është dorëzuar dhe do të luftojë deri në fund të këtyre eliminatoreve.

“Vlerat e Anglisë i njohim, por gjatë javës kam punuar për ekuilibrat e skuadrës dhe nga kjo pikëpamje kemi punuar mirë. Sigurisht nuk duhet vetëm të presim gjatë gjithë ndeshjes, duhet të krijojmë raste dhe ta fusim në vështirësi kundërshtarin. E njohim forcën tonë, edhe të Anglisë, është favorite. Duhet personalitet në një ndeshje të tillë. Uroj që lojtarët e mi të mos kenë frikë dhe të luajnë për atë që janë përgatitur. Kemi nevojë të jemi të ekuilibruar, të jemi perfekt në çdo aspekt”, është shprehur Reja.

“Mendoj se skuadra për atë që ka bërë deri tani, ka bërë mjaft mirë. Kemi bërë ndonjë gabim më shumë sesa duhet, sidomos në ndeshjet me Poloninë, pasi me ndonjë gabim më pak do të ishim duke folur për Botërorin. Edhe pse nuk është thënë ende fjala e fundit, kemi ende mundësi, por duhet të fitojmë. Edhe pse ka pak shanse, do të mundohemi t’i realizojmë”.

Rezultat pozitiv kërkoi edhe sulmuesi Sokol Çikalleshi, që gjithashtu u paraqit në konferencën për shtyp. Çikalleshi pranoi se kjo është një prej ndeshjeve më të vështira që e ka pasur Shqipëria.

“Është një prej ndeshjeve më të vështira që kemi pasur kohët e fundit. Ne e dimë se çfarë lojtarësh ka Anglia, ne e dimë që Anglia erdhi dhe fitoi në Shqipëri, por mendoj se cilësia nuk mund të fitojë çdoherë. Duhet të jemi taktikisht të disiplinuar dhe të tregojmë gjakun shqiptar në fushë për të marrë një rezultat pozitiv”, u shpreh Çikalleshi.

Ndërkohë, kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka vlerësuar lart Shqipërinë. Kane ka pranuar se Shqipëria ka një mbrojtje shumë të fortë dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e parë që u luajt në Tiranë, që përfundoi 2:0 në favor të Anglisë. Atëbotë, Kane e kishte shënuar golin e epërsisë për Anglinë.

“Kjo ndeshje është pika e kthimit pas barazimit të fundit që e patëm me Hungarinë dhe duhet të përgjigjemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Shqipëria ka një mbrojtje shumë të mirë, e cila është e vështirë të thyhet. Por kemi lojtarë që mund të shënojnë gola në momente të rëndësishme dhe duhet të fitojmë”, tha Kane.