Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, ka vlerësuar forcën e Polonisë. Por, trajneri brazilian ka besim se lojtarët e tij mund të kthehen nga Varshava me rezultat pozitiv.
Ndeshja në mes të Polonisë dhe Shqipërisë luhet të hënën në Varshavë nga ora 20:45 dhe i takon grupit E të kualifikimeve për Euro 2024 që do të mbahet në Gjermani.
Sylvinho në konferencën për media, të dielën, ka thënë se kuqezinjtë janë gati për t’u bërë ballë lojtarëve të Polonisë.
“Jemi gati për ndeshjen me Poloninë. Pas dy muajsh e gjysmë punë për të njohur të gjithë lojtarët shqiptarë, flasim praktikisht për 70 lojtarë të monitoruar nga stafi. Kemi parë 240 ndeshje dhe zgjodhëm 23 lojtarë për këtë ndeshje të parë kualifikuese. E dimë që është ndeshje e vështirë, por janë 90 minuta për t’u luajtur. Janë të fortë, por jemi të lumtur me punën e të gjithëve dhe atmosferën që kemi filluar të krijojmë me ta. Kemi një shans gjithmonë, por të gjithë së bashku është më e lehtë”, ka thënë Sylvinho.
Tekniku brazilian ka refuzuar ta tregojë ekipin startues për ndeshjen ndaj polakëve. Por, ka theksuar se lojtarët që do të paraqiten në fushë i pret ndeshje e fortë.
“Është një ndeshje e fortë, por jemi në gjendje ta përballojmë. Gjëja më e bukur që kam mësuar në karrierë janë 90 minutat, aty luhet. Duhet të ecim përpara, protagonistët janë lojtarët. Selektori i Polonisë, Fernando Santos është shumë i fortë, e di që ai na ka vëzhguar por edhe ne i kemi parë. Punojmë shumë për një ndeshje. Jam i bindur që do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe në fushë do të jenë më të mirët. Ajo që ndodhi me Poloninë është normale, vjen në këtë grup si favorite, por unë nuk nxjerr konkluzione pas asaj që ndodhi me Çekinë. Ne duhet të zbresim në fushën e lojës të përqendruar, të luajmë fort dhe të realizojmë mirë detyrat tona për të cilat kemi punuar këtë javë”, u shpreh Sylvinho.
Të premten, Polonia pësoi 3:1 në udhëtim nga Çekia. Ndërkohë Moldavia e Ishujt Faroe luajtën 1:1. Shqipëria ishte e lirë. Grupi E përbëhet nga pesë përfaqësuese.
Sylvinho ka thënë se atmosfera te Shqipëria është e mirë.
“Atmosfera është mjaft e mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme në futboll. Kam punuar gjashtë ditë dhe jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve. Futbolli është shumë i bukur, unë nuk kam frikë. Polonia është shumë e fortë dhe vjen si favorite kryesore. Është shumë e rëndësishme që të shkojmë në fushën e lojës dhe të tregojmë diçka ndryshe. Përveç anës tekniko-taktike, duhet të nxjerrim në pah edhe shpirtin kuqezi, pasi edhe një pikë është shumë e rëndësishme në rrugëtimin tonë”.
Ai ka thënë se të gjithë futbollistët që ka në grup janë të gatshëm për lojë.
I gatshëm është edhe sulmuesi Sokol Çikalleshi.
Çikalleshi theksoi se përballja me polakët është shumë e rëndësishme për Shqipërinë.
“Sigurisht që Polonia është ekip shumë i fortë dhe ne e dimë këtë. Para tri ditësh humbi kundër Çekisë. Megjithatë është një ekip i fortë por ne jemi fokusuar te puna jonë, tek ekipi ynë. Edhe me trajnerin jemi munduar që të krijojmë një ekip kompakt dhe të kemi shpirtin e garës që mund të na çojë në arritjen e rezultateve”, ka thënë sulmuesi shtatlartë.
Çikalleshi ka insistuar se Polonia është përfaqësuese e fortë.
“Ne e dimë që përballë kemi një ekip shumë të fortë. Duke qenë një ekip që të vë në vështirësi me lojtarët kualitativë që ka, ne, duke bërë analizën gjatë kësaj jave, kemi arritur në vlerësimin që të mos i japim hapësirë Polonisë, sepse është një ekip që luan vertikalisht dhe shumë i rrezikshëm kur të kundërsulmon, sidomos kundërsulmet në hapësirë. Dhe për këtë duhet të jemi një ekip kompakt, për të mos i dhënë hapësirë. Për më tepër, Polonia humbi para dy ditësh. Me patjetër do ta kërkoj fitoren. Ne duhet të përfitojmë nga humbja e saj dhe t’ia arrijmë që në momentet kur Polonia të ketë disbalancat e veta për të fituar, ta godasim”, është shprehur Çikalleshi.
Ndërkohë te Polonia kanë respekt për Shqipërinë.
Selektori Santos ka thënë se pret reagim nga të përzgjedhurit e tij.
“Pas ndeshjes në Pragë, ndjeva zemërim dhe zhgënjim, por jam i bindur se në Varshavë, me mbështetjen e tifozëve, do të rifitojmë shpirtin. Ne duam të tregojmë se cili është karakteri, guximi dhe vendosmëria jonë. Duhet të luajmë më në sulm dhe të mos e lëmë topin lehtë në këmbët e kundërshtarit. Lojtarët e kuptuan se çfarë po ndodhte në Çeki dhe besoj se tani do të jetë ndryshe”, ka thënë Santos në konferencën për media të dielën.
Shqipëria synon kualifikimin në Evropian për herë të dytë.