Sport

Shpresat synojnë t’i japin fund serisë negative me ndeshjen ndaj Shqipërisë

Serisë negative prej tri humbjeve Kosova U21 synon t’i japë fund me ndeshjen kundër Shqipërisë.

Dueli kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2023 do të luhet më 16 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. “Dardanët” e rinj të martën janë zhvendosur në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas për të kryer seancën stërvitore. Atmosfera dukej pozitive, derisa lojtarët kryenin detyrat me seriozitet të lartë.

Përzgjedhësi Michael Nees vëzhgonte gjatë gjithë kohës, kurse punën kryesore me lojtarët e kryente ndihmësi i tij, Bekim Isufi.

Neesi ka folur për rezultatet jo të mira të Shpresave të Kosovës në këto kualifikime. Thotë se rezultatet negative kanë ardhur ndaj kundërshtarëve të fortë, që Kosova U21 i kishte përballë në tri ndeshjet e kaluara.

“Jemi një ekip që është ndërtuar këtë vit. Ka tre muaj që jemi së bashku, por nëse shikohet në përgjithësi, kemi pasur paraqitje të mira, sidomos kundër Anglisë në udhëtim dhe Çekisë në shtëpi. Nuk kemi shënuar në ndeshjet e fundit dhe këtë e kemi parasysh. Jemi duke punuar që të shënojmë. Kemi ftuar lojtarë të rinj për këtë dhe po punojmë në çdo aspekt që të përmirësohemi. Duhet të sulmojmë më shumë dhe do të përmirësohemi”, u shpreh Nees për KOHËN.

“Besoj që do të përgatitemi mirë dhe do të kemi informacione të mjaftueshme për Shqipërinë. Do ta shikojmë ndeshjen që e ka ndaj Sllovenisë të premten dhe ndeshjet e tjera që i ka luajtur në mënyrë që të jemi sa më të gatshëm”.

Trajneri gjerman thekson se ndaj Shqipërisë është momenti që Kosova të kthehet te fitorja. Ai e di shumë mirë se dueli ndaj “kuqezinjve” është i veçantë, pasi bëhet fjalë për një komb.

“Do të takohen dy ekipe fqinje, me gjuhë të njëjtë dhe kulturë të njëjtë. Me një fjalë, do të jetë një ndeshje e vështirë dhe interesante. Do të japim gjithçka nga vetja për fitore ndaj Shqipërisë. Djemtë e kanë dhënë maksimumin deri më tani në çdo ndeshje. Duhet të jemi më kreativë dhe klinikë. Të dyja ekipet do të japim maksimumin për ta fituar ndeshjen. Gjasat janë 50-50. Nëse ata japin 100 për qind nga vetja, ne do ta japim 110 për qind”, deklaroi Nees.

Kosova U21 kualifikimet i nisi me fitore 2:0 ndaj Andorrës, që u arrit me shumë mund. Ndeshja ishte zhvilluar në qershor. Më pas në shtator luajti me Anglinë dhe pësoi 2:0. Në tetor Shpresat i luajtën dy takime me Çekinë. Pësuan 1:0 në shtëpi dhe 3:0 në udhëtim.

Për herë të parë me Kosovën U21 janë grumbulluar Arlind Sejdiu, që luan te Lahti në Finlandë e Erolind Krasniqi që vesh fanellën e Essenit në Gjermani. Sejdiu thotë se ka refuzuar ftesën e Përfaqësueses U20 të Finlandës për t’u bashkuar me “Dardanët”.

“Atmosfera është shumë e mirë te Kosova U21. Më kanë pritur shumë mirë. Ka qenë e vështirë të largohem nga Finlanda, pasi atje jam rritur dhe atje më kanë dhënë të gjitha mundësitë të merrem me futboll, të shkollohem dhe gjitha të tjerat. Por dëshira e babit dhe e imja ka qenë që të luaj për Kosovën. Ndaj Shqipërisë do të kërkojmë fitore. Do të jetë ndeshje e veçantë”, u shpreh Sejdiu.

“Është hera e parë që jam këtu. Trajneri më ka ftuar dhe jam gëzuar shumë. Jam krenar që më ka ftuar Kosova dhe unë dua të luaj për Kosovën. E kemi ekipin shumë të mirë. Ndaj Shqipërisë është një derbi dhe ne duam ta fitojmë ndeshjen kundër Shqipërisë”, theksoi Erolind Krasniqi.

Optimistë për ndeshjen kundër Shqipërisë janë shprehur edhe Andi Hoti, që luan tek ekipi i të rinjve të Interit, Gentrit Limani i Hamburgut U21 dhe Baton Zabërgja që vesh fanellën e Drenicës.

Mbrojtësi Andi Hoti beson se do të jetë ndeshje shumë e mirë dhe beson në fitore.

“Jemi grumbulluar dje me Kosovën dhe kemi filluar përgatitjet. Sot e kemi stërvitjen e dytë. Po e presim një ndeshje të mirë kundër Shqipërisë. Mendojmë që do të fitojmë”, tha Hoti.

Mesfushori ofensiv, Gentrit Limani, mendon se ndaj Shqipërisë vlerë kanë vetëm tri pikë.

“Jemi duke u përgatitur me Kosovën. Atmosfera brenda ekipit është shumë pozitive. Besoj që do të jemi gati për ndeshjen kundër Shqipërisë. Në ‘Fadil Vokrri’ do të vlejë vetëm fitorja”, deklaroi Limani.

“Kjo është ditë e dytë e grumbullimit me Kosovën për ndeshjen kundër Shqipërisë. Atmosfera është shumë e mirë, po ashtu edhe përgatitjet po shkojnë mirë. Ndaj Shqipërisë shpresojmë shumë në rezultat pozitiv”, theksoi Zabërgja.