Sport

Shpresat e Shqipërisë synojnë fitore në Kosovë

Formën e mirë që e ka treguar në dy ndeshjet e fundit eliminatore për “Euro 2021”, e të cilat i ka fituar, Kombëtarja U21 e Shqipërisë dëshiron ta vazhdojë edhe kundër Kosovës. Përzgjedhësi i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi, të martën ka publikuar listën e futbollistëve për ndeshjet e këtij muaji, kurse ka paralajmëruar se synimi në duelin ndaj Kosovës është fitorja.

Dueli mes Kosovës U-21 dhe Shqipërisë U-21 zhvillohet të premten (13 nëntor) prej orës 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Shqipëria aktualisht është e treta në grupin e tretë eliminator me 11 pikë të tubuara, katër më pak se Austria që është e dyta, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të këtij cikli kualifikues. Vendi i parë në grup siguron pjesëmarrjen në Evropianin e vitit të ardhshëm, ndërsa gjasa ka edhe prej vendit të dytë. Shqipëria katër ditë pas ndeshjes me Kosovën luan në udhëtim kundër Përfaqësueses së Anglisë. Ndeshjen e parë Shqipëria e ka fituar ndaj Kosovës në Elbasan me rezultatin 2:1, në tetor të vitit të shkuar.

Kosova është e katërta në grup me tetë pikë të mbledhura dhe në gjashtë ndeshjet e fundit ka regjistruar një fitore dhe pesë humbje rresht. Madje, përzgjedhësi i Shqipërisë, Bushi, ka thënë se pret fitore ndaj Kosovës për shkak se ka lojtarë më të mirë dhe më luftarakë se “Dardanët”.

“Në radhë të parë dua të flas për ndeshjen e parë, për Kosovën. Ne kemi një ekip me kualitete shumë të mira. Ndeshja e Kosovës është si çdo ndeshje tjetër, ndeshja e radhës për ne. Ne jemi të fokusuar 100 për qind te kjo ndeshje, nuk duam ta humbim në asnjë mënyrë, sepse vijmë nga një vazhdimësi shumë e mirë si me Austrinë, ashtu edhe me Andorrën. Do të mundohemi të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen. Kemi lojtarë më të mirë se ekipi i Kosovës, kemi lojtarë më luftarakë se ekipi i Kosovës dhe do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje”, ka insistuar Bushi.

Fitore ndaj Kosovës ka kërkuar edhe mesfushori i Ipswich Townit, Armando Dobra, që këtë vit ka debutuar te Shpresat e Shqipërisë dhe ka dy ndeshje të luajtura. Edhe Dobra tha se fokusi i të gjithëve është te ndeshja me Kosovën përpara se të mendojnë për Anglinë, që i prin grupit me 22 pikë dhe tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian.

“Ne jemi shumë të fokusuar te ndeshja me Kosovën, sepse pavarësisht që thamë se ne kemi ekip më kualitativ, nuk do të jetë aspak lehtë. Pres të jetë një ndeshje e luftuar dhe tejet interesante. Kosova luan fort, por edhe ne do të luajmë fort. Ne do të shkojmë të fitojmë kundër Kosovës dhe Anglisë, pasi kemi gjasa të mira për ta zënë vendin e dytë në grup”, insistoi Dobra.

Ndërkohë, Kosova U21 pas ndeshjes me Shqipërinë këtë cikël eliminator do ta mbyllë më 18 nëntor në udhëtim kundër Turqisë.