Sport

Shpërthimi i Ermal Krasniqit, futbollistit që filloi të luajë vetëm në moshën 17-vjeçare

Pesë gola në po aq ndeshje të zhvilluara në edicionin 2021/2022, është bilanci i sulmuesit të Ballkanit, Ermal Krasniqi.

Falë pesë golave të tij, nga tetë sa i ka Ballkani gjithsej, skuadra nga Suhareka është lidere e elitës së futbollit kosovar pas pesë xhirove të luajtura.

Përveç golave të bukur, Krasniqi veçohet për shpejtësinë e madhe dhe teknikën që e posedon.

Ai tregon për KOHËN se ka filluar të luajë futboll të madh vetëm në moshën 17-vjeçare.

“Po është e vërtetë. Unë kam filluar të luaj futboll të madh në moshën 17-vjeçare. Menaxheri im, Kastriot Telaku, ka besuar në cilësitë e mia dhe më ka marrë në menaxhim. Ai më ka ndihmuar shumë me gjithçka”, shprehet Krasniqi.

“Sfida ka pasur shumë. Së pari fillova të luaj vonë, pastaj lëndimi që e kam pasur në Llap ku e kam operuar meniskun. Por, përkundër të gjithave unë kurrë nuk jam dorëzuar, kurrë nuk kam menduar ta lë futbollin. Gjithmonë kam pasur motiv më shumë për të vazhduar”.

Krasniqi nuk është i befasuar me formën e mirë që po kalon. 23-vjeçari ka deklaruar se Ballkani dhe ai mund të japin edhe më shumë në xhirot e radhës.

“Krahas punës që kam bërë deri më tani dhe stërvitjeve që kemi zhvilluar gjatë kësaj kohe, edhe pritjet kanë qenë të mëdha për rezultate të tilla. Me punë serioze dhe angazhim maksimal mund të arrihen të gjitha. Mendoj që deri më tani ka shkuar shumë mirë. Është vetëm fillimi. Besoj që mund të japim edhe më shumë, si ekip, por edhe në aspektin individual”, u shpreh Krasniqi.

“Meritat për formën dhe arritjet e mija deri këtu u takojnë familjes dhe menaxherit tim, Kastriot Telaku, të cilët në çdo kohë kanë qëndruar pranë meje”.

Sulmuesi i krahut nga Tërpeza e Malishevës mendon se grupi i lojtarëve dhe konkurrenca e fortë e veçojnë Ballkanin nga skuadrat e tjera. Ai flet edhe për kandidatët për titull dhe mendon se Suhareka e meriton trofeun më të çmueshëm të futbollit kosovar.

“Mendoj që kemi një grup të mirë dhe shumë konkurrues. Kjo na bën më të fortë. Realisht për titull do të jenë shumë ekipe, edhe pse ende është herët. Por, mendoj se Prishtina, Drita dhe Gjilani janë kandidatë për titull. Do të jetë një kampionat shumë i fortë. Besoj dhe shpresoj që këtë vit do t’ia dalim, pasi në dy vjetët e fundit ishim afër. Suhareka, presidenti dhe tifozët ‘Xhebrailat’ e meritojnë”, shtoi Krasniqi.

Aktualisht ai është golashënuesi më i mirë i Superligës me pesë gola. Pas tij renditen Ardit Tahiri i Dritës, Hasan Hyseni i Malishevës dhe Marclei Santos i Ulpianës. Që të tre kanë nga tre gola.

“Për mua primare janë titulli i kampionit dhe dalja në Evropë me Ballkanin. Pastaj golat do të jenë shumë të rëndësishme, si për mua ashtu edhe për klubin”.

Në verë ai pati disa oferta, pasi i kishte skaduar kontrata me Ballkanin. Por, vendosi të mbetet te klubi nga Suhareka, duke u bërë futbollisti më i paguar.

“Kam pasur oferta edhe nga jashtë Kosovës, por kemi vendosur me menaxherin që të luaj në Kosovë dhe mendoj që e kam bërë zgjedhjen e duhur për këtë periudhë”, shtoi ai.

Ermal Krasniqi ka qenë i ftuar te Kosova U-21. Ka luajtur një ndeshje kualifikuese për “Dardanët” e rinj kundër Anglisë U-21. Ëndrra e tij mbetet Kosova A. Beson se nëse vazhdon me paraqitje të mira, mund të ftohet nga përzgjedhësi Bernard Challandes.

“Unë kam luajtur për Kosovën U-21 dhe ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme ta vesh fanellën e Kosovës. Do të ishte e veçantë të ftohem te Kosova A. Besoj që me punë dhe nëse vazhdoj me lojëra të mira dhe gola, do të ftohem”, përfundoi Krasniqi.

Ermal Krasniqi karrierën e ka nisur në moshën 17-vjeçare. Ka qenë pjesë juniorëve të Feronikelit dhe të Malishevës në Ligën e Dytë. Më pas ka kaluar te Llapi. Te llapjanët ishte lënduar dhe i ishte dashur të operohet. Pasi kaloi lëndimin iu bashku Ferizajt, ku pati paraqitje të mira në Superligë, e të cilat ndikuan që të transferohet te Ballkani. Pjesë e klubit nga Suhareka është që nga viti 2019.