Sport

Shpallen kampionët e parë në ngjitje sportive

Në hapësirën e Qendrës Rinore në Pejë të shtunën është mbajtur gara e parë në Kosovë për ngjitje sportive.

Në këtë garë të organizuar nga Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës së bashku me klubet alpiniste “Merimangat” nga Peja dhe “TEK” nga Mitrovica u garua në të dy gjinitë.

Te djemtë ishin 12 garues, kurse te vajzat katër, të gjithë nga klubet alpiniste “Merimanga” dhe “Gjeravica” të Pejës dhe “TEK” nga Mitrovica.

Organizatorët thanë se fakti që marrin pjesë vetëm këto tri klube dëshmon që në Kosovë nuk ka aktualisht klube të tjera që merren me ngjitje sportive.

Me rastin e hapjes së kësaj gare, Fidan Abazi, kryetar i komisionit të ngjitjes sportive në kuadër të Federatës Bjeshkatare e Alpiniste të Kosovës, tregoi se bëhet ngjitje vetëm në njërën kategori, atë “Bouldering”.

Abazi tregoi edhe arsyen pse nuk janë mbajtur garat në tri kategoritë që i ka ky sport.

“Arsyeja pse këtë vit kemi vendosur ta mbajmë këtë garë në vetëm këtë kategori është që për momentin nuk kemi infrastrukturë edhe për disiplinat tjera, të cilat janë olimpike. PO presim që me përkrahjen e federatës dhe komunave që ta krijojmë infrastrukturën”, ka thënë Fidan Abazi, kryetar i komisionit të ngjitjes sportive në FBAK.

Arianit Nikqi, kryetar i Federatës Bjeshkatare e Alpiniste të Kosovës, tha se Peja është e njohur si qytet i bjeshkatarëve, ku edhe kanë filluar hapat e parë të ngjitjes sportive.

Ai tha se prej vitit 2020 ngjitja sportive është kategori e sporteve olimpike dhe një mundësi e mirë për ngjitësit kosovarë, që të marrin pjesë edhe në garat ndërkombëtare.

“Personalisht besoj se ne do të jemi në gjendje të dërgojmë garues potencial në garë të forta. Besoj se në gara individuale nuk ka nevojë investim shumë i madh dhe suksesi nuk do të mungoj. Nevojitet një palestër sportive në qendrat kryesore dhe fillimisht trajnerë ndërkombëtarë që do t'i trajnojnë trajnerët tanë për të fituar përvojë dhe të vazhdohet tutje”, thotë Nikqi.

Ai kërkoi nga institucionet lokale dhe qendrore që në pesë qendra të Kosovës të ndërtohet nga një palestër për ngjitje sportive.

Pas garave të mbajtura në tri raunde, në kategorinë e vajzave kampione u shpall Lisa Çitaku nga Mitrovica. Kurse dy vendet e tjera i zunë gjithashtu garueset nga Mitrovica, Lirika Raça dhe Albana Berisha.

Kampionia Lisa Çitaku ndihej krenare, pasi ishte gara e parë në Kosovë për ngjitje sportive. Ajo ka edhe synime të tjera.

Shpresoj të vazhdoj me gara të tilla jo vetëm unë por i gjithë grupi. Është ndjenë shumë e mirë”, ka thënë sportistja mitrovicase.

Pa konkurrencë ishte pejani Albi Koqani, i cili gjithashtu ndihej krenar që mund të quhet kampioni i parë i Kosovës në ngjitje sportive.

Pas tij u rendit Alb Berisha nga Peja dhe Tahir Ibrahimi nga Mitrovica.

"Është ndjenë e mirë duke e ditur që është edhe hera e parë që po marrim pjesë në këtë garë. Konkurrenca ka qenë e fortë, të gjithë ishim njësoj por besoj se kisha pak fat”, ka theksuar Koqani.

Para fillimit të garës, në mure janë ngjitur edhe ngjitës të rinj të moshave 6 deri në 12 vjeç.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha.

Të gjithë garuesit dhe kontribuuesit për këtë garë u dekoruan me medalje dhe certifikata.

Ngjitja sportive ka filluar në vitin 2000 së pari në Pejë nga shoqatat alpiniste “Gjeravica” dhe “Merimangat” dhe ka vazhduar të përhapet edhe në pjesë të tjera të vendit.