Arbitri Ilir Mehmeti ka ndarë drejtësi të dielën mbrëma në derbin Prishtina – Ballkani. Për gjyqtarin nga Obiliqi ishte derbi i tretë në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në futboll.
Për më tepër, Mehmeti është gjyqtari me më së shumti ndeshje të drejtuara në Superligë. Ai ka ndarë drejtësi në gjashtë ndeshje nga nëntë xhiro sa janë zhvilluar deri tash në elitën e futbollit të Kosovës.
Fati ka qenë me Ilir Mehmetin. Tani delegimi i gjyqtarëve po bëhet me short, që transmetohet direkt në faqen zyrtare në “facebook” të Federatës së Futbollit të Kosovës para çdo xhiroje.
Caktimi i gjyqtarëve viteve të kaluara është bërë nga Komisioni për delegimin e gjyqtarëve dhe kontrolluesve për Superligë dhe Ligën e Parë.
Tani delegimi po bëhet me short. Janë katër vazo të mbushura me gogla. Njëra vazo është me emrat e gjyqtarëve kryesorë, dy të tjera me asistentin e parë dhe të dytë dhe një me arbitrin e katërt.
Kjo mënyrë e caktimit të gjyqtarëve për ndeshje ka “përjashtuar” shpesh arbirtrat me stemë të FIFA-s.
Për shembull gjyqtari më i mirë në Kosovë për vitin 2022, Genc Nuza, më shumë ka ndeshje të drejtuara në garat evropiane sesa në Kosovë. Shtatë herë gjyqtari më i mirë në Kosovë është me stemë të FIFA-s por deri tash nuk ka ndarë drejtësi në asnjë ndeshje derbi këtë edicion. Ka gjykuar tri ndeshje të Superligës dhe katër në garat evropiane.
Nuza nuk ishte përzgjedhur nga shorti për të ndarë drejtësi në asnjë prej ndeshjeve të xhiros së nëntë. Mungoi edhe Mervan Bejtullahu, gjyqtari tjetër me stemë të FIFA-s. Bejtullahu ka ndarë drejtësi në tri ndeshje të Superligës, ndërsa nuk e ka asnjë derbi. Derbi të drejtuar deri tash nuk ka as gjyqtari tjetër me stemë të FIFA-s, Visar Kastrati. Të shtunën, Kastrati ndau drejtësi në ndeshjen Feronikeli 74 – Fushë Kosova. Ishte ndeshja e tij e katërt, ndërsa tri ndeshje i ka gjykuar në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Konferencës.
KOHA ka kontaktuar disa gjyqtarë për të marrë opinion nëse janë të kënaqur me mënyrën e delegimit. Por kanë thënë se e kanë të ndaluar të japin komente për media. Për media nuk ka qenë e hapur as Federata e Futbollit e Kosovës.
KOHA ka dërguar pyetje nëse në të ardhmen do të ndryshojë mënyra e delegimit të gjyqtarëve për ndeshje të Superligës dhe nëse ka ndonjë praktikë në ndonjë vend tjetër, por nuk ka marrë përgjigje nga Komisioni për delegimin e gjyqtarëve dhe kontrollueseve për Superligë dhe Ligën e Parë.
Në rregulloren e UEFA-s për gjyqtarë shkruan se ndalohet delegimi i gjyqtarëve me short.
“Është e ndaluar të përdoren procedurat si votim i fshehtë, short apo lotari për të përcaktuar zyrtarët e ndeshjes apo vëzhguesit”, shkruan në rregulloren e UEFA-s.
Në të kaluarën ka pasur reagime nga më të ndryshmet për ndarje të drejtësisë nga gjyqtarët. Po ashtu ka pasur akuza se gjyqtarët me qëllim delegohen për interes të ndonjë klubi. Për t’i shmangur akuzat, Federata e Futbollit e Kosovës vendosi që delegimin e gjyqtarëve ta bëjë me short. Por as kjo mënyrë e delegimit nuk po duket e përshtatshme, sidomos për gjyqtarët elitarë. Ata kanë shumë ankesa, por për media nuk flasin.