Sport

Short i vështirë për Akil Gjakovën

Akil Gjakova nuk do ta ketë rrugën e lehtë në Kampionatin e Hapur Evropian të Xhudos që të shtunën mbahet në Prishtinë.

Shorti i tërhequr të premten pasdite ka bërë që Gjakova të jetë në grup me bartësin e parë, azerbajxhanasin Hidayat Heydarov.

Në kategorinë deri 73 kg, ku garojnë xhudistët, Akili fillimisht do të ketë punë me kroatin Robert Klacar. Nëse e kalon Klacarin, ndaj të cilit është favorit, Akili do të përballet me austriakun Lukas Reiter apo francezin Guillaume Chaine. Më pas me shumë mundësi në rrugë do të jetë Heydarov, favoriti i madh i Evropianit të Hapur në Prishtinë. Ai në xhiron e parë është i lirë.

Te xhudistët garon edhe Dardan Cena, që po ashtu ka rrugë të vështirë. Në xhiron e parë përballë Dardan Cenës do të jetë finlandezi Valtteri Olin. Nëse kalon me sukses këtë luftë, Cena do të përballet me gjermanin Igor Wandtke.

25 xhudistë kërkojnë suksesin te xhudistët. Fituesi i medaljes së artë shpërblehet me 55 mijë euro dhe kjo shifër solli xhudistë elitarë në Prishtinë. Finalisti merr 35 mijë euro, ndërsa xhudistët që përfundojnë në vendin e tretë nga 20 mijë euro. Shpërblime financiare janë paraparë edhe për xhudistët që përfundojnë në vendin e pestë, nga 10 mijë.

Te xhudistet janë vetëm 15 pjesëmarrëse. Kështu rruga drejt finales do të jetë më e shkurtër. Xhudistet garojnë në kategorinë deri 57 kg. Distria Krasniqi në xhiron e parë është e lirë. E pret fituesen e përballjes mes holandezes Pleuni Cornelisse dhe bullgares Ivelina Ilieva. Nora Gjakova përballet me finlandezen Pihla Matikainen në xhiron e parë. Nëse fiton, përballë do ta ketë fituesen e luftës mes Kaja Kajzerit të Sllovenisë dhe Fruzsina Peterit të Hungarisë.

Evropiani i Hapur mbahet për herë të parë. Është garë e re e Unionit Evropian të Xhudos, të cilën Kosova e organizon në kuadër të programit “Kosova shtet i xhudos”.

Janë përzgjedhur kategoritë deri 73 kg për xhudistë dhe 57 kg për xhudiste, ku Kosova ka adutët.

Edhe xhudistet kanë fond të njëjtë shpërblyes, ndërsa dy kosovaret janë favoritet kryesore.

Luftërat preliminare zhvillohen prej orës 10:30 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Blloku final është prej orës 16:00.