Njëri prej skitarëve më të mirë në vend, Arbi Pupovci, është dashur që në fundjavën që vjen të paraqitet për herë të parë këtë edicion në një garë në Kosovë.
Por Pupovcit do t’i duhet të presë edhe disa javë për ta zhvilluar garën e parë për këtë edicion, në Kosovë.
Kampionati i Kosovës në sllallom dhe sllallom të madh në të gjitha grupmoshat, i paraparë të mbahet të shtunën dhe të dielën në Brod të Dragashit, është anuluar. Arsyen e ka treguar të martën Federata Skitare e Kosovës (FSK).
“Për shkak të përkeqësimit të kushteve të pistave dhe sasisë së borës për të organizuar garat e Kampionatit të Kosovës të planifikuara për këtë fundjavë, ato shtyhen deri në një vendim të radhës”, shkruan në njoftimin e Federatës.
Kryetari i Federatës Skitare, Milaim Kelmendi, thotë se pista nuk i plotëson kriteret për t’u zhvilluar kampionati.
“Nuk është në dorën tonë. Ne si Federatë ishim të gatshëm për ta organizuar kampionatin, por ndonjëherë shkaku i kushteve nuk mundësohet. Ne ishim për ta parë terrenin, por nuk kishte sasi të borës dhe në ato kushte nuk mund të organizohet kampionati. Edhe në qendrat e tjera ka mungesë të borës. Do të shohim në ndonjë datë dhe kohë më të përshtatshme për të organizuar garat”, është shprehur Kelmendi për KOHËN.
Kjo është gara e dytë që anulohet sivjet. Para dy javësh ishte anuluar kupa memoriale “Hajrush Demaj”, për kategori të reja. Kjo garë ishte planifikuar të mbahej në qendrën e skijimit në Bogë.
Edhe në vitet e kaluara Federata Skitare e Kosovës është përballur me mungesë të borës së mjaftueshme. Ka pasur pengesa edhe të natyrave të ndryshme sa u takon garave, që nuk janë të shpeshta. Mungesa e aktiviteteve natyrisht se dëmton sportin specifik të skijimit.
“Në shkurt janë disa gara në Ballkan dhe besoj se aty fillojmë edhe pse sezonin e kam nisur në Austri. Po të mbahen gara më shpesh, interesimi rritet nga fëmijët për të krijuar një frymë garuese në Kosovë, pasi për momentin garues fëmijë nuk ka shumë. Janë 5-6 garues. Është interes i përbashkët të mbajmë sa më shumë gara në Kosovë, për të prodhuar sa më shumë gjenerata të reja. Për mua ndoshta nuk çon shumë peshë, pasi unë pres ta përfaqësoj Kosovën sa më mirë”, ka thënë skitari Arbi Pupovci.
Mungesë të sasisë së borës, nga Federata Skitare e Kosovës thonë se ka edhe në qendrën kryesore në vend, në Brezovicë.