Sport

Shkëmbi: Disa skuadra me ne po bëhen ujqër, kurse me të tjerët lepuj

Edicioni 2020/2021 i Superligës së Kosovës në futboll ka hyrë në fazën finale. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe pesë xhiro. Lufta për titull është shumë interesante dhe e fortë.

Ballkani, Prishtina dhe Drita janë ekipet në garë për trofeun më të çmueshëm të futbollit kosovar. Ballkani është lider me 66 pikë, një më shumë se Prishtina që renditet e dyta dhe dy më shumë se Drita që zë vendin e tretë.

Frika e Ballkanit është se po bëhen “matematika” mes klubeve të tjera për ta lënë ekipin nga Suhareka pa titull dhe jashtë garave evropiane. Për këtë kishte edhe reagim të ashpër nga klubi suharekas, i cili i ftoi organet kompetente që t’i hetojë kalkulimet e disa klubeve të Superligës, që sipas Ballkanit po ndodhin.

Pretendimet e Ballkanit i mbështet fuqishëm edhe trajneri i skuadrës, Bledi Shkëmbi. Për KOHËN, trajneri nga Shqipëria ka thënë se të gjithë e kanë parë se çka ka ndodhur. Sipas Shkëmbit, gjëra të tjera do të shihen në fundjavë.

Shkëmbi ka theksuar se disa skuadra po luajnë ndryshe me Ballkanin e ndryshe me ekipet e tjera.

“Mendoj që klubi ka reaguar me të drejtë. E kemi parë ne, por e keni parë edhe ju se çka ka ndodhur. Do ta shohim edhe në këtë javë se çka do të ndodhë. Për mua dhe lojtarët është që të bëjmë më të mirën në ndeshjet që na presin, kurse se çfarë do të bëjnë të tjerët nuk dua të paragjykoj. Disa skuadra me ne bëhen ujqër, kurse me disa të tjerë lepuj. Besoj që po kuptohem. Megjithatë, pak ka rëndësi kjo, rëndësi ka se çfarë do të bëjmë ne vetë”, tha Shkëmbi. Sipas tij, mbetet të shihet se si do të luajë Llapi ndaj ekipeve të tjera.

“Më vjen mirë që Llapi luftoi me ne, por është kuriozitet ta shohim se si do të luajë ndaj ekipeve të tjera. Nuk dua të zë emra, por të gjithë e dimë dhe gjithçka duket dhe shikohet. Nuk dua ta shpërqendroj veten dhe ekipin. Objektivi ynë është që të fitojmë ndeshje pas ndeshje. Për mua më e rëndësishmja për momentin është përballja e radhës me Drenicën. Do të ishte mirë që në ndeshjen e fundit të vendoset titulli, do të ishte si një lloj finale në një stadium shumë të mirë”.

Shkëmbi e pranon se fatin e këtij kampionati e kanë në duart e tyre. Ai pohon se Ballkani ka forcë që ta mbajë pozitën e parë deri në fund dhe ta fitojë titullin e kampionit, e që do të ishte i pari në histori të klubit nga Suhareka.

“Mund të them që po, fatin e kemi në dorën tonë. Nëse arrijmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet do të përfundojmë në vendin e parë. Nëse do të varemi nga të tjerët, do të jemi të humbur. Ballkani ka forcë që ta mbajë pozitën e parë deri në fund të kampionatit. Nuk është rastësi që në dy vjetët e fundit Ballkani lufton për të fituar titullin. Mendoj që me punën që po bëjmë dhe forcën që kemi, mund ta mbajmë vendin e parë”, u shpreh trajneri i Ballkanit.

Shkëmbi shton se skuadra që drejton është me këmbë në tokë. Sipas tij, rëndësi ka që në fund të jenë në vendin e parë.

“Të jesh në vend të parë sigurisht që duhet të jesh i kënaqur. Unë jam shumë i kënaqur me pozitën që kemi, por jemi me këmbë në tokë. Na presin pesë ndeshje shumë të forta, të cilat duhet t’i fitojmë, sepse e rëndësishme është që në fund të kampionatit të jesh në pozitën e parë, pra nuk ka rëndësi të jesh në vendin e parë në mes të kampionatit”.

Ai komentoi edhe përleshjen që ndodhi në ndeshjen ndërmjet Ballkanit dhe Llapit, të mërkurën. Suharekasit e fituan ndeshjen 1:0 me golin e Blend Baftiut. Në atë takim u dhanë tre kartonë të kuq dhe nuk munguan as përleshjet fizike mes lojtarëve dhe zyrtarëve të klubeve. Trajneri Shkëmbi mendon se shtabet teknike duhet të japin shembull se si duhet të sillen edhe lojtarët në fushë.

“Skenat që u panë nuk më pëlqejnë. Unë mundohem që çdoherë ta edukoj ekipin dhe të mos reagoj në raste të tilla. Ka shumë provokues, andaj duhet të jemi të matur. Futbollistët nuk e kanë asnjë pikë të fajit, faji është i drejtuesve dhe stafeve teknike. Jemi ne që duhet të japim kulturën, atë frymën që pastaj lojtarët po e shfaqin në fushë”, pohoi Shkëmbi.

Deri në fund të kampionatit, Ballkani do t’i zhvillojë edhe pesë ndeshje. Së pari, do të jetë mysafir i Drenicës në Skenderaj në ndeshjen e xhiros së 32-të. Një javë më vonë e pret Arbërinë në shtëpi, kurse në xhiron e 34-të do të jetë mysafir i Dritës në Gjilan. Në dy javët e fundit, suharekasit do ta presin Trepçën ’89 derisa në xhiron e fundit e zhvillojnë ndeshjen kundër Prishtinës në “Fadil Vokrri”.

Bledi Shkëmbi e mori drejtimin e Ballkanit në janar. Ai e zëvendësoi të shkarkuarin Ismet Munishi. Me Shkëmbin në krye, Ballkani u eliminua nga Kupa, ku u mposht nga Llapi pas ekzekutimit të penalltive. Por, është seriozisht në garë për titull të kampionit. Ka shënuar katër fitore në katër ndeshjet e fundit që e kanë dërguar në vendin e parë. Ndërkaq, në total, Shkëmbi e ka drejtuar Ballkanin në 13 ndeshje të Superligës, ku ka shënuar nëntë fitore, ka arritur dy barazime dhe ka pësuar dy disfata. Më herët, Bledi Shkëmbi e ka drejtuar edhe skuadrën e Lirisë së Prizrenit. Ndërkohë, në Shqipëri ka qenë trajner te Teuta e Durrësit.