Sport

Shkëlqimi i portierit Avdija ndaj Austrisë

Në ndeshjen e së mërkurës ndaj Austrisë, loja e Përfaqësueses U19 të Kosovës në futboll mori kahe në minutën e 23-të.

Portieri Erion Avdija, i cili në fillimet e karrierës së tij ishte mbrojtës, priti penalltinë e gjuajtur nga futbollisti i Austrisë, Furkan Dursun. Avdija, debutues te Kosova U19, më pas priti edhe disa gjuajtje të lojtarëve të rinj të Austrisë për ta ndihmuar përfaqësuesen "dardane" të shënojë fitore të madhe.

Kosova U19, të mërkurën në Gornja Radgona të Sllovenisë, fitoi 1:0 ndaj Austrisë U19, në kuadër të grupit të parë të raundit elitar të kualifikimeve për "Euro 2024".

“Ishte një lojë e veçantë për mua, sepse ishte ndeshja ime e parë me Kosovën U19. Për shkak të lëndimit humba raundin e parë të kualifikimeve”, tha portieri Avdija për KOHËN, të enjten.

Ai thekson se atmosfera është e mirë në kampin e Përfaqësues U19.

“Atmosfera në ekip është e mrekullueshme dhe të gjithë jemi të lumtur për fitoren”, shtoi Avdija.

Portieri 19-vjeçar i skuadrës gjermane TSV 1860 Muenchen është i motivuar t’i ndihmojë “Dardanët” e rinj të sigurojnë kualifikimin në Evropianin që zhvillohet këtë vit në Irlandën e Veriut.

Por thotë se duhet të bëjnë paraqitje të mëdha edhe ndaj Spanjës dhe Sllovenisë. Fitorja ndaj Austrisë ishte nivel i ri për përfaqësueset e Kosovës në futboll, ndërsa kualifikimi në Evropian do të ishte historik. Vetëm fituesi i grupit kualifikohet.

“E dimë që nëse luajmë lojën tonë mund të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme dhe të kualifikohemi”, është shprehur portieri i talentuar.

Të shtunën, Kosova U19 do të ballafaqohet me Spanjën. Ndeshja nis në orën 16:00.

Avdija është me prejardhje nga Gjilani, ndërsa karrierën e nisi në TSV 1860 Rosenheim. Nga viti 2014 është pjesë e klubit TSV 1860 Muenchen.

Hapat e parë në futboll i bëri si mbrojtës.

“Por dëshira ime ishte gjithmonë të bëhem portier”, tregon ai.

Si portier, Avdija ka synime të mëdha në karrierën në nivel klubesh dhe me Kosovën.

“Qëllimi im është të futem në skuadrën profesionale dhe të bëhem portier i parë te Kosova A”, ka thënë Avdija.

Duket se është në rrugë të mbarë. Për ekipin e tij ka luajtur gjashtë ndeshje këtë edicion në Bundesliga U19. Më herët është paraqitur në dy ndeshje për Kosovën U17.

Nëse vazhdon me paraqitje si ajo ndaj Austrisë, Erion Avdija, shpejtë do të ngjallë interesimin e klubeve me nam nga Evropa.