Sport

Shkëlqimi i Gripshit në paraqitjet dominuese të Ballkanit

Nazmi Gripshi ndihet mirë që po e ndihmon Ballkanin të ketë suksese në skenën evropiane. Ballkani të enjten mbrëma siguroi rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, pas suksesit që e pati në Irlandën e Veriut.

Dy herë kampioni i Kosovës në futboll fitoi 4:1 në udhëtim te Larne për ta siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm, 7:1. Me rezultatin 3:0 kishte fituar në Prishtinë.

Kontribut të madh në këtë sukses të Ballkanit ka dhënë mesfushori me tipare sulmuese, Nazmi Gripshi. Gripshi është titullar i padiskutueshëm në skuadrën e trajnerit Ilir Daja. Dhe po e shpërblen maksimalisht besimin e teknikut tiranas.

Gripshi në ndeshjen e fundit shënoi dy golat e parë në fitoren e suharekasve. Realizoi në minutën e 27-të dhe të 36-të, pas dy aksioneve të mira. Në të dyja rastet u asistua nga Albion Rrahmani.

Gripshi luajti deri në minutën e 71-të në Belfast, pasi Ballkani e kishte të sigurt kualifikimin.

Ai i është gëzuar edhe formës individuale.

“Po ndihem shumë mirë. Normalisht se është gjë pozitive në aspektin individual. Golat në skenën evropiane janë të veçantë, por më gëzojnë edhe më shumë fitorja dhe kualifikimi tutje”, ka thënë Gripshi të premten për KOHËN.

26-vjeçari ka tre gola të shënuar në dy ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës në këtë edicion. Një e kishte realizuar në fitoren 3:0 ndaj Larnes në “Fadil Vokrri”. E kishte fituar edhe penalltinë në golin e parë dhe kishte asistuar.

Gripshi e di mirë forcën e skuadrës së Ballkanit, që në edicionin e kaluar shkroi historinë duke u kualifikuar deri në fazën grupore.

Synim është i njëjti sukses edhe në këtë vit.

“Ne kemi skuadër shumë të mirë dhe cilësore. I dimë edhe kapacitetin dhe forcën që kemi. Të gjitha këto rezultate që i kemi arritur janë si rrjedhojë e punës së madhe që po e bëjmë në stërvitje”, thotë futbollisti durrsak.

Gripshi me bashkëlojtarë në rrethin e tretë kualifikues përballë do ta kenë Lincoln Red Impsin e Gjibraltarit.

Më 10 gusht, Ballkani do ta zhvillojë ndeshjen e parë në Prishtinë. Më pas e nis mbrojtjen e titullit kundër Lirisë së Prizrenit, kurse më 17 gusht luan në Gjibraltar ndaj Lincolnit.

Gripshi theksoi se Ballkani nuk do ta ndryshojë stilin e lojës. Do të shfaqë më të mirën dhe maksimumin. Vetëm në këtë mënyrë thotë se mund të arrihet suksesi i vitit të kaluar.

“Presim që ta bëjmë lojën tonë, ashtu siç kemi luajtur gjithmonë. Do të provojmë ta shfaqim më të mirën në fushën e lojës dhe të arrijmë plejofin”, deklaroi ai.

Kundërshtarin e mundshëm të plejofit, Ballkani do ta mësojë të hënën në shortin që do të tërhiqet në Nyon të Zvicrës.

Ballkani në edicionin e kaluar ishte pjesë e Grupit G në Ligën e Konferencës. Luajti kundër Sivassporit, Clujit e Slavia Pargës.

Barazoi me Clujin 1:1 në ndeshjen e parë, ndërsa fitoi në udhëtim te Sivasspori 4:3, në ndeshjen e xhiros së tretë. U rendit i fundit në grup me katër pikë nga gjashtë ndeshje.