Sport

Shkëlqimi i Abazit në pozitën që nuk e kishte te Skënderbeu

Prishtinë, 27 shkurt – Leonit Abazi fitoi gjithçka që mund të fitohet për gjashtë vjet në Shqipëri me Skënderbeun. Luajti edhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Por, futbollisti nga Gjilani nuk e fitoi te Skënderbeu pozitën e tij natyrale – sulmues krahu. Luajti si mbrojtës i krahut, ndërsa me t'u kthyer në Kosovë, saktësisht te Prishtina, Abazit i është besuar roli që kishte edhe te Drita para se t'i bashkohej Skënderbeut – sulmues i krahut të majtë. Ai po shkëlqen në pozitën e tij natyrale. Të shtunën shënoi një prej golave më të rëndësishëm për Prishtinën. Shënoi gol për t'ia siguruar fitoren Prishtinës përballë Trepçës ’89 në Mitrovicë, me rezultatin 2:1. Golin e fitores e shënoi në minutën e 96-të, kur rezultati ishte 1:1, e që nuk kishte mbetur edhe shumë kohë për t'u mbyllur me atë rezultat. Mirëpo, Abazi me gjuajtje të saktë shënoi për t'ia siguruar Prishtinës fitoren e 13-të në 22 xhiro të zhvilluara këtë edicion në elitën e futbollit kosovar. Për 27-vjeçarin ishte goli i katërt në katër ndeshjet e fundit. Me këtë fitore, Prishtina është ngritur në vendin e dytë me 44 pikë, aq sa ka edhe ish-skuadra e Abazit, Drita, me një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa lideri Ballkani pas 21 ndeshjeve zë vendin e parë me 45 pikë.

Abazi është i kënaqur me golin e shënuar. Por, shton se më i lumtur është që skuadra e tij fitoi këtë ndeshje të rëndësishme në garë për titullin e kampionit.

"Jam shumë i kënaqur për fitoren e arritur dhe për golin e rëndësishëm për vazhdimësinë e ekipit. Ishte fitore e madhe për ne në garën për titull të kampionit dhe më shumë se për golin jam i kënaqur me fitoren", ka thënë Abazi.

Ai për Prishtinën këtë edicion ka kontribuar edhe me tri asistime, ndërsa skuadrës "bardhekaltër" iu bashkua në verën e vitit të kaluar.

"Po kaloj një formë shumë të mirë dhe për këtë merita kanë edhe bashkëlojtarët e mi, nga të cilët kam përkrahje të madhe. Jam i lumtur me formën. Kemi përfunduar një fazë të mirë të përgatitjeve dhe kjo po reflekton edhe në paraqitjen tonë", ka theksuar Abazi.

Abazi me Prishtinën ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ai karrierë të suksesshme ka bërë edhe te Drita. Pati shkëlqyer dhe falë paraqitjeve të mira kaloi te Skënderbeu, që atëbotë ishte klubi më i organizuar në Shqipëri. Te Drita luante si sulmues i krahut. Edhe te Skënderbeu në fillim luante më ofensiv, por me kalimin e kohës Abazi angazhohej si mbrojtës i krahut të majtë, pozitë që para se t'i bashkohej ekipit nga Korça nuk e kishte luajtur. Ai për Skënderbeun në 134 ndeshje shënoi shtatë gola dhe pati katër asistime, ndërsa prej se iu bashkua Prishtinës në 44 ndeshje ka shënuar pesë gola e ka bërë edhe gjashtë asistime.

"Edhe në Shqipëri te Skënderbeu ka pasur ndeshje që kam luajtur këtë pozitë që po e luaj te Prishtina. Por, më shumë si mbrojtës i krahut. Me plot përgjegjësi kam luajtur edhe si mbrojtës i krahut, por në këtë pozitë që po luaj tash ndihem më mirë. Falënderoj edhe trajnerin për besimin. Po mundohem t'ia kthej me gola dhe asistime. Shpresoj të vazhdoj me këtë formë edhe në ndeshjet e ardhshme. Kemi ende ndeshje për t'i zhvilluar dhe gara do të jetë e fortë shumë. Çdo ndeshje do të jetë e rëndësishme për ne. Dhe edhe unë dua ta jap kontributin tim me aq mundësi sa do të më ofrohet", është shprehur këmbëshpejti Abazi. Ai shquhet edhe për teknikën dhe gjuajtjet e mira.

Abazi për Shpresat e Shqipërisë ka luajtur dy ndeshje, kurse një ndeshje e ka zhvilluar edhe për Kosovën, që atëbotë drejtohej nga trajneri Albert Bunjaki. Luajti ndaj Guinesë Ekuatoriale në fitoren 2:0, të cilën e arritën "Dardanët" në Prishtinë.

Me Prishtinën shpreson t’i fitojë trofetë e fituara te Skënderbeu në Shqipëri.

"Gjithmonë kam dhënë dhe do ta jap maksimumin për aq sa ma lejon shëndeti. Synimi im është të bëj një sezon të mirë dhe t’i arrij qëllimet me Prishtinën", ka theksuar Abazi.

Prishtina është në garë edhe për trofeun e Kupës. Te Prishtina presin t'i ndjekin deri në fund të dyja trofetë, atë të kampionit dhe Kupës.

"Kemi qenë të përgatitur për një rezultat maksimal. E kemi ditur se kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë. Edhe në të kaluarën kemi pasur vështirësi, sidomos në Mitrovicë. Ekipi ka qenë i lodhur, sepse çdo tri ditë kemi pasur ndeshje. Jemi të kënaqur më paraqitje, do të kemi pushim deri në javën tjetër për t’u përgatitur sa më mirë", ka thënë pas fitores ndihmëstrajneri i Prishtinës, Debatik Curri.

Golin e parë për Prishtinën e shënoi Lumbard Dellova në minutën e 52-të, ndërsa 89-shi barazoi me Arbnor Mujën në minutën e 91-të. Por, me golin e shënuar nga Abazi në minutën e 96-të, Prishtina e fitoi përballjen ndaj Trepçës ’89.

Superliga – XXII

E shtunë

Trepça ’89 – Prishtina 1:2

(Shënues: Muja 90+1’ - Dellova 52’, Abazi 90+6’)

(Gjyqtarë: Gramos Shala, Fatlum Berisha, Hekuran Osmani, Vigan Ibërdemaj)

E diel

Drita – Besa (13:00)

(Gjyqtarë:Besfort Kasumi, Granit Hyseni, Bajram Kabashi, Arben Halilaj)

Llapi – Ballkani (13:30)

(Gjyqtarë: Shpëtim Murtezi, Fatlum Jashari, Meriton Berisha, Burim Jahmurataj)

E hënë

Drenica – Ballkani (13:00)

(Gjyqtarë: Visar Kastrati, EdmondZeqiri, Fatmir Sekiraqa, Bardh Ajeti)

Arbëria – Feronikeli (13:00)

(Gjyqtarë: Tefik Maloku, Fatmir Abrashi, GzimMehmeti, Mentor Ajeti)

1. Ballkani 21             45 pikë

2. Prishtina 22           44

3. Drita 21                 44

4. Gjilani 21               31

5. Trepça ’89 22        28

6. Arbëria 21             25

7. Feronikeli 21         24

8. Llapi 21                 23

9. Drenica 21            23

10. Besa 21                7