Sport

Shkaku i fushës së rënduar, Drita zhvendoset në Lipjan si vendëse

Të shtunën do të nisë edhe zyrtarisht stinori pranveror i Superligës së Kosovës në futboll. Qysh në start të pjesës së dytë të kampionatit, skuadrat elitare po përballen me telashe, sidomos dy ekipet e qytetit të njëjtë, Drita dhe Gjilani.

Nënkampionia në fuqi, Drita, ndeshjen ndaj Feronikelit nuk do ta luajë në stadiumin e qytetit në Gjilan. Ky duel do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Një gjë e tillë është konfirmuar nga drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi. Ai ka thënë për KOHËN se shkaku i fushës së rënduar pas të reshurave të borës, janë detyruar që duelin e radhës ta luajnë në Lipjan.

“Ndeshja e paraparë të luhet në Gjilan ndërmjet Dritës dhe Feronikelit është zhvendosur në Lipjan në stadiumin ‘Sami Kelmendi’. I falënderoj klubin e Ulpianës dhe stafin e stadiumit që na i kanë hapur dyert. Arsyeja pse ne jemi zhvendosur në Lipjan si vendës, është se tapeti është konservuar në dhjetor dhe për shkak të reshjeve të borës, që ende nuk është shkrirë komplet, tapeti është i butë apo thënë ndryshe është me baltë. Për këtë arsye nuk kemi dashur që të rrezikojmë dhe ta dëmtojmë atë konservimin e bërë në dhjetor”, tha Zymberi.

Edhe ndeshjen tjetër si vendës pas asaj me Feronikelin, kundër Llapit, Drita nuk është e sigurt nëse do të mund ta luajë në stadiumin e qytetit të Gjilanit. Zymberi thotë se do të varet nga kushtet atmosferike dhe nga gjendja e fushës.

“Për momentin vetëm këtë ndeshje si vendës kemi vendosur që ta luajmë në Lipjan. Ndeshjen tjetër që e kemi si vendës ndaj Llapit, do të shohim kushtet atmosferike dhe gjendjen e tapetit dhe më pas do të vendosim se a do ta luajmë në Gjilan apo jashtë. Kjo në mënyrë që ta ruajmë fushën. Kjo është arsyeja dhe kjo është ajo se si do të veprojmë edhe në të ardhmen”, nënvizoi Zyberi.

Problem të tillë sikurse Drita mund të ketë edhe skuadra e Gjilanit. Megjithatë, Gjilani ka përparësi në këtë aspekt pasi dy ndeshjet e para të stinorit pranveror i luan në udhëtim te Drenica dhe Feronikeli, përpara se të luajë në shtëpi me Dukagjinin. Te Gjilani kanë thënë se nëse fusha deri atëherë nuk do të jetë në gjendje të mirë, do të detyrohen të kërkojnë alternativa të tjera.

“Tani sfidë tjetër që është paraqitur është edhe fusha e lojës. Kushtet atmosferike e kanë stërënduar fushën dhe do të jetë e vështirë për t’i zhvilluar ndeshjet e para të pranverës. Gjithsesi shpresojmë që moti do të përmirësohet dhe çdo gjë të jetë në rregull, në të kundërtën do të detyrohemi të kërkojmë stadiume alternative se ku do t’i zhvillojmë ndeshjet si vendës”, kanë thënë te Gjilanit, që i shohin si problem të madh edhe punimet që po bëhen në stadium tash e disa vjet.

“Ndeshjet si vendës do t’i zhvillojmë në stadiumin e qytetit në Gjilan, aty ku i kemi zhvilluar të gjitha ndeshjet e tjera. Do të jetë e vështirë për shkak të punimeve, të cilat vazhdimisht bëhen në stadium, por ne jemi të gatshëm gjithmonë për të ndërmarrë të gjitha hapat për organizimin e ndeshjeve, madje duke marrë staf shtesë për secilën ndeshje”, shtuan nga ekipi gjilanas.

Gjilani është kampion vjeshtor me 35 pikë të mbledhura, një më pak se Drita që zë vendin e dytë në tabelë.