Sport

Shiffrin vendos rekord të fitoreve në Kupën e Botës

Mikaela Shiffrin

Rraskapitje. Lehtësim. Gëzim i madh.

Skitarja amerikane Mikaela Shiffrin ndjeu gjithçka pasi fitoi garën rekorde, të 83-n, të Kupës së Botës në skijim alpin, të martën. Fitorja e Shiffrinit në sllallomin e madh bëri që ajo ta tejkalojë rekordin e vendosur nga skitarja tjetër amerikane, Lindsey Vonn, e cila u tërhoq katër vjet më parë për shkak të lëndimeve.

“Unë nuk mendoj se ka fjalë për të shpjeguar të gjitha ndjenjat”, tha Shiffrin. “Në fund të fundit është sikur ka shumë kënaqësi për ta shijuar. Nuk e di nëse ka kuptim. Kështu që unë thjesht përpiqem të marr frymë pak dhe ta shijoj atë”.

Shiffrinit tani i duhen vetëm edhe tri fitore për të arritur rekordin e skitarit Ingemark Stenmark prej 86 fitoresh në Kupën e Botës. Suedezi Stenmark garoi në vitet ‘70 dhe ‘80.

Shiffrin udhëhoqi nga fillimi e deri në fund në garën në resortin Kronplatz në Dolomitet italiane, duke pasur kohë prej 0.45 sekondash më të mirë se kampionia e botës Lara Gut-Behrami. E treta ishte ish-kampionia Federica Brignone.

Shiffrin ishte më e shpejta në lëshimin e parë dhe për këtë arsye ishte skitarja e fundit që garoi në lëshimin e dytë, të martën.

“Isha pak nervoze për lëshimin e dytë pasi më së shumti e urrej të pres”, tha Shiffrin. “Më në fund kur erdhi koha për lëshim gjithçka ishte në heshtje dhe unë thjesht shtyja sa më shumë që mundesha në çdo hap. Ishte e mahnitshme të kaloja në fund dhe të shihja se isha mjaft e shpejtë”.

Shiffrin dukej e rraskapitur dhe e lehtësuar menjëherë pasi mbaroi lëshimin e dytë, duke u përkulur dhe mbështetur kokën në shkopinjtë e saj, përpara se të shkonte për të përqafuar Gut-Behramin dhe Brignonen.

Brignone i tha Shiffrinit: “Urime” dhe Shiffrin u përgjigj: “Oh Zot”.

Ndryshe nga momenti kur shpërtheu në lot pasi barazoi rekordin e Vonnit prej 82 fitoresh në fillim të këtij muaji në Kranjska Gora të Sllovenisë, Shiffrin këtë herë mbajti qetësinë gjatë intonimit të himnit të saj kombëtar, duke e kënduar atë. Pastaj mbi kokën e saj u vendos një kurorë ngjyrë ari.

Kjo ishte fitorja e nëntë e Shiffrinit në sezonin aktual. Shiffrin është vetëm 27 vjeçe dhe mund t'i ketë edhe shumë vjet në gara elitare. Vonn ishte 33-vjeçare kur fitoi garën e saj të fundit në Kupën e Botës. Stenmark ishte 32-vjeçar.

“Ndihem shumë me fat që jam shoqja e saj e skuadrës dhe që e shikoj duke thyer rekordet çdo ditë”, tha Nina O'Brien, e vetmja garuese tjetër amerikane që përfundoi në 18 të parat. “Ajo ka qenë vërtet mbështetëse”.

Rekordi vjen gati një vit pasi Shiffrini nuk fitoi medalje në gjashtë gara në Lojërat Olimpike të Pekinit, edhe pse ishte favoritja më e madhe. Ajo nuk mori shumë kohë për t'u rikuperuar nga performanca në Pekin, duke fituar titullin e katërt të përgjithshëm në Kupën e Botës në fund të sezonit të kaluar. Tani ajo është skitarja më e suksesshme e të gjitha kohërave.

“Ky është një imazh mjaft i mirë për sportin për skitaret alpine”, tha Tessa Worley, kampione e dyfishtë e botës në sllallom të madh. “Ajo është ende duke bërë gjëra të mahnitshme. Pra, është një frymëzim për ne që thjesht të vazhdojmë të shtyjmë”.

Shiffrin duhej të mësonte se si të trajtonte nervat që vijnë me lëshimin e parë.

“Është ende e vështirë për mua të besoj se, me sa duket, kam sërish fokusin mendor për të qenë e fortë në garën e dytë”, tha skitarja amerikane. “Kjo është diçka që unë nuk e marr si të mirëqenë”.

Shiffrin filloi lëshimin e dytë menjëherë pasi Gut-Behrami kishte marrë epërsinë me një diferencë të madhe.

“E pashë që në fillim dhe më pas po mendoja: ‘Pse e pashë? Nuk mund të shkoj kaq shpejt.’ Pra, e dija se duhej të isha e shpejtë dhe e egër për ta kaluar atë”, tha Shiffrin. “Mendova se nuk do të isha më e shpejtë, por mendova se mund të isha afër. Dhe më pas disi arrita deri në fund dhe ishte mjaft mirë”. Shiffrin mund ta shtojë edhe tjetër medalje, kur do të garojë në sllallom të madh në Kronplatz, të mërkurën. Më pas ajo ka dy sllallome në Spindleruv Mlyn të Çekisë, fundjavën e ardhshme. Atje Shiffrini bëri debutimin në Kupën e Botës si 15-vjeçare në mars të vitit 2011.

Nëse triumfon në tri garat e ardhshme, Shiffrini do ta barazojë rekordin e Stenmarkut. Pastaj, pas një pushimi të shkurtër, Shiffrin do të synojë medalje të tjera të arta në Kupën e Botës në Courchevel dhe Meribel në Francë, gara që startojnë më 6 shkurt.