Shefi i sigurisë te skuadra e Feronikelit, Adem Bucolli, i ka ndërhyrë direkt trajnerit Klodian Duro që ishte duke dhënë deklaratë pas humbjes nga Arbëria në kanalin “ArtSport 1”.
Shefi i sigurisë fillimisht ia ndërpreru deklaratën Duros duke kërkuar largimin e tij, ndërsa më vonë, shtoi: “Për shkak të rezultateve dhe situatës që e ka krijuar në klub, ai duhet të largohet menjëherë nga ekipi. Publikisht po e them, o do të jem unë në klub, o do të jetë Duro”.
Feronikeli u befasua në shtëpi nga Arbëria e Dobrajës që triumfoi 1:0 me golin e shënuar në fund të takimit. Duro shprehu zhgënjimin e tij për këtë humbje por shtoi se Feronikeli nuk do të dorëzohet në luftën për mbijetesë. Madje, ai premtoi se Nikli do të mbetet në Superligë.
“Realisht, provuam gjithçka për të shënuar fitoren, i shfrytëzuam të gjitha mundësitë por kur nuk shënon, atëherë pëson. Sigurisht, duhet të kishim bërë më tepër sepse kishim të gjitha mundësitë por kështu është futbolli. Edhe këtë herë nuk e arritëm të fitojmë por do të vazhdojmë punën”, tha Duro. “Me këtë fitore, Arbëria mbetet përfund nesh. Do të jetë një luftë e fortë deri në fund për mbijetesë. Nuk dorëzohem, vazhdojmë luftën deri në fund. Ne do të mbetemi në Superligë”.