Sport

Shala synon medalje në Botërorin e Beogradit

Mundësi Egzon Shala, që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, është shpallur më i miri i vitit 2021 nga Federata e Mundjes e Kosovës. Në një ceremoni të organizuar të hënën në Prishtinë, Shala, që është pjesë e klubit Prizreni, rrëmbeu çmimin kryesor. Shala kishte fituar një luftë në Olimpiadë, kurse në të dytën kishte humbur. Ishte renditur i shtati.

Në Kampionatin Evropian ishte ndalur në luftën e parë. Në Botëror nuk mori pjesë fare.

Për KOHËN, Shala thotë se çmimi i pestë si mundësi më i mirë në Kosovë duhet të jetë mesazh për të rinjtë që të merren me mundje dhe se me punë mund të arrijnë të jenë të suksesshëm.

“Është hera e pestë që shpallem më i miri. Ky çmim është mesazh që t’ua përcjellë të rinjve që merren me mundje se nëse përkushtohesh shumë në mundje mund të arrish shumë dhe të shpallesh më i miri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, tha Shala.

Ai e cilëson vitin 2021 pozitiv. Vendi i shtatë në Lojërat Olimpike, sipas Shalës, nuk është e arritur e vogël.

31-vjeçari mendon se me pak fat ka mundur të kthehet me medalje nga Tokio.

“Viti 2021 ka qenë plot sfida dhe emocione e po ashtu edhe me vështirësi gjatë rrugëtimit për në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Duke pasur parasysh se unë jam renditur i shtati në Lojërat Olimpike në kategorinë më të fortë në botë në konkurrencën e meshkujve, në atë deri në 125 kg, ka qenë një rezultat i mirë. Por jo i kënaqshëm për faktin se ndeshjen e parë e kam fituar për 48 sekonda në Olimpiadë dhe isha i vetmi nga sporti i mundjes që në kohë aq të shkurtër e kam arritur fitoren. Ndërkaq sa i përket ndeshjes së dytë, kam pasur gjasa që ta fitojë, por isha pak i pafat”, deklaroi Shala.

“Gjatë këtij viti për mua me rëndësi kanë qenë Lojërat Olimpike. Isha sportisti i parë në Kosova nga të gjitha sportet që e kam arritur ta fitojë normën olimpike, në kategorinë më të fortë në mundje, deri në 125 kg. Normën e arrita në Kampionatin Botëror në Kazakistan ku u rendita i pesti”.

Shala ka synime të qarta në vitin 2022. Në garat që do të paraqitet mendon vetëm për medalje. Ndërkaq, fokusin e ka te Botërori i mundjes që do të mbahet në Beograd.

Thotë se nga kryeqyteti i Serbisë synon të kthehet me medalje.

“Synimet e mia në vitin 2022 janë Grand Prix në Spanjë, Fltz Open në Austri dhe shumë turne të rëndësishëm për renditje botërore. Fokusi më i madh do të jetë te Kampionati Evropian dhe Kampionati Botërorë. Synimi im kryesor është që të kthehem me medalje nga Botërori që do të mbahet në Beograd”.

Ai është i informuar për problemet që kanë pasur sportistët kosovarë që të marrin pjesë në garat evropiane e botërore që janë organizuar në Serbi.

“Mendimi im është që të shkojmë dhe të luftojmë për medalje. Nuk jam i sigurt se a do të lejohem që të hyj apo jo”, përfundoi Shala.

Kampionati Botëror i mundjes do të mbahet në kryeqendrën e Serbisë nga 10 deri më 18 shtator të vitit të ardhshëm.

Këtë vit karateistët kosovarë nuk janë lejuar që të marrin pjesë në Kampionatin Botëror që është mbajtur në Beograd. Tri herë karateistët nga Kosova janë ndaluar në kufi nga autoritetet serbe.