Mundësi më i mirë kosovar, Egzon Shala, ka humbur thellë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Varshavë të Polonisë. Shala garoi të martën në stil të lirë, në kategorinë deri në 125 kilogramë. Ai humbi menjëherë në kualifikime. Pësoi 12:0, por ka dhënë disa arsye. “Nuk ka qenë aspak dita ime, por as pasqyra reale e imja, sepse kam mposhtur shumë të tjerë më të mirë se polaku. Më dhemb shumë ai rezultat, por nuk kemi çka të bëjmë”, ka thënë ndër të tjera Shala për KOHËN
Mundësi me normë olimpike, Egzon Shala, dështoi në Kampionatin Evropian që u mbajt në Varshavë të Polonisë. Shala në stil të lirë, në kategorinë deri në 125 kilogramë humbi në kualifikime me rezultat të thellë 12:0 nga polaku Kamil Tomasz Kosciolek. Ishte humbja më e thellë në kualifikime, prej katër dueleve gjithsej. Shala pranon dështimin, por thotë se nuk është pasqyra e tij reale. Ai ka numëruar edhe disa arsye për disfatën e thellë të pësuar në Evropian. Thotë se ka pasur mungesë të stërvitjeve dhe garave shkaku i pandemisë së koronavirusit, si dhe disa lëndime të vogla. Shala është mundësi i vetëm që përfaqëson Kosovën në Evropian. Por mundësi Shala insiston se ishte gara e tij e parë pas një viti e gjysmë. Garën e fundit thotë se kishte paraqitjen në Botërorin e mbajtur në shtator të vitit 2019 në Astana të Kazakistanit.
Shala në Botëror kishte dalë i shtati, por vitin e kaluar Federata Botërore e Mundjes i konfirmoi Federatën e Mundjes të Kosovës (FMK) dhe Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), normën kualifikuese, pasi njëri nga garuesit e top-gjashtëshes kishte thyer rregullat e antidopingut.
“Nuk ka qenë aspak dita ime, por as pasqyra reale e imja, sepse kam mposhtur shumë tjerë më të mirë se polaku. Më dhemb shumë ai rezultat, por nuk kemi çka të bëjmë. Por një nga arsyet ka qenë që më kanë munguar garat. Ishte gara ime e parë pas një viti e gjysmë, ndërsa arsye tjetër është edhe pandemia që na ka kushtuar shumë. Nuk kam mundur të ushtroj mundje e pastaj kam pasur edhe disa lëndime të vogla. Garën e fundit e kam pasur në shtator të vitit 2019 që ka qenë Botërori, kurse tash në Evropian jam futur pa asnjë garë të vetme. Evropianin e kaluar nuk ka marrë pjesë sepse kam qenë i lënduar. Botërori është mbajtur në shtator të vitit 2019, ndërsa tani jemi prill 2021”, ka thënë Shala të mërkurën për KOHËN.
Para Evropianit, Shala është paraqitur në kampe të ndryshme të nivelit të lartë.
“Ta shoh nëse do të mundem të marr pjesë në ndonjë turne në Evropë, sepse ky është edhe problemi, që shkaku i pandemisë po hasim në vështirësi të paraqitjes në gara e po ashtu edhe përgatitjet para Lojërave Olimpike synoj t’i vazhdoj pak në Kosovë e pak në SHBA dhe Rusi”, është shprehur Shala.
Në Lojërat Olimpike në Tokio pritet të jenë me normë edhe pesë xhudistë: Distria Krasniqi (deri 48 kg), Majlinda Kelmendi (deri 52 kg), Nora Gjakova (deri 57 kg), Loriana Kuka (deri 78 kg) dhe Akil Gjakova (deri 73 kg). Por janë edhe karateistët dhe boksierja Donjeta Sadiku që në muajin qershor i kanë turnetë kualifikues për Lojërat Olimpike të këtij viti. Edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) kanë besim se në Olimpiadën e Tokios do të shkojnë me më shumë se gjashtë norma.
“Në Lojërat Olimpike besoj pa asnjë dyshim se do të jem dukshëm më mirë për të dëshmuar se nuk ka qenë rezultat real. Nuk kam dyshim se do të bëj të krenohet populli im. Besoj se do të hyj në rreth të medaljeve”, ka thënë Shala.