Adenis Shala ishte ndër lojtarët më të mirë të Shkëndijës së Tetovës në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Tetovarët u ndalën në rrethin e tretë, ku u eliminuan pas penalltive nga AIK-u suedez.
Shala shënoi një gol ndaj Araratit të Armenisë, kurse bëri një asistime dhe fitoi një penallti kundër AIK-ut. Luajti në pesë ndeshje dhe në të gjitha ishte titullar, duke kaluar 339 minuta në fushë.
U dallua edhe me depërtime nga e majta, duke e ndihmuar Shkëndijën që të kalojë dy kundërshtarë dhe të luajë dy ndeshje të barabarta me AIK-un. Skuadra suedeze vetëm me penallti avancoi në plejof.
Për futbollistin nga Kosova, ishte hera e parë që u paraqit në garat evropiane.
“Për mua ka qenë hera e parë që kam luajtur në garat evropiane. Ishte një ndjenjë mjaftë e mirë. Jam i lumtur që kam shënuar dhe kam asistuar në garat evropiane, mirëpo i zhgënjyer me ndeshjen e fundit, sepse tifozët tanë ‘Ballistët’ meritojnë shumë më shumë. Ata janë lojtari ynë i 12-të në fushë. Ndihem keq për tifozët që nuk arritëm të kalojmë në plejof”, deklaroi Shala për KOHËN.
23-vjeçari është i zhgënjyer që nuk ia dolën që të kualifikohen në plejof.
Sipas tij, Shkëndija e ka merituar të kalojë tutje në bazë të paraqitjes që kishte.
“Paraqitjen e ekipit në garat evropiane e vlerësojë si mjaft mirë. Natyrisht, jemi të mërzitur që nuk arritëm që Shkëndijën ta dërgojmë në plejof, sepse në të dyja ndeshjet që i kemi zhvilluar kundër AIK-ut kemi qenë më të mirë e sidomos në ndeshjen e kthimit në Shkup. Mirëpo ky është futbolli dhe duhet të pajtohemi, duhet të vazhdojmë tutje”, u shpreh Shala.
Në Kosovë, Shala ka luajtur për disa skuadra si Flamurtari, Feronikeli, Vëllaznimi, Ferizaj, Gjilani dhe Trepça ’89.
Ai thotë se shumë klube në Kosovë ia kanë mbyllur derën. Nuk i besuan.
“Në Kosovë kam luajtur në disa klube, mirëpo erdhi një moment që shumë prej tyre më mbyllen derën dhe nuk më vlerësuan. Te Shkëndija e gjeta veten, sepse më dhanë mundësinë. Kisha përkrahjen e të gjithëve, si të kryesisë ashtu edhe të ‘Ballistëve’ për të cilët kamë respekt të madh dhe u jam falënderues gjithmonë”, tha Shala.
Shkëndija fillimisht në rrethin e parë u përball me Ararat Yerevanin e Armenisë, të cilin ekip e eliminoi pas dy ndeshjeve, 4:2. Në këtë rreth mënjanoi Valmeiran e Letonisë duke e mposhtur në të dyja ndeshjet, me rezultat të përgjithshëm 5:2.
Në rrethin e tretë u eliminua nga AIK-u. Në Suedi ndeshja ishte mbyllur 1:1. Edhe në Shkup pas 90 minutash ishte 1:1 dhe fituesi u përcaktua pas penalltive ku ekipi suedez ishte më i suksesshëm për të kaluar në plejof.
Shkëndija dy herë ka qenë në plejof të Ligës së Evropës, por ende nuk e ka siguruar fazën e grupeve të garave që organizon UEFA.