Sport

Sfidat e Shpresave të Kosovës

Menaxheri i Përfaqësueses U21 të Kosovës në futboll, Zgjim Sojeva, në një intervistë për Sportin në KTV, ka folur për sfidat që kanë pasur dhe që kanë për t’i bindur lojtarët që ta pranojnë ftesën e “Dardanëve”, për problemet në periudhën e pandemisë, si dhe për disa tema të tjera të rëndësishme. Sojeva ka treguar fillimisht se si bëhet ftesa për një lojtar, i cili mund të jetë pjesë e Kosovës. Sipas tij, asnjëherë nuk u bëjnë presion lojtarëve apo prindërve të tyre që me çdo kusht ta zgjedhin Kosovën.

“Asnjëherë me ndonjë presion apo se do t’i premtojmë se do të luajë qind për qind kur të vjen te Kosova. Por u tregojmë se çfarë planesh kemi, u tregojmë se ne dëshirojmë që ata ta përfaqësojnë Kosovën dhe nëse ekziston dëshira e njëjtë edhe nga ana e tyre, atëherë ne vendosim për ta ftuar dhe normal që janë ato procedurat tjera, informohet klubi me kohë, duhet të sigurohen biletat, e shumë gjëra të tjera. Por, së pari përzgjedhjen e bën selektori dhe në koordinim me sekektorin ne si menaxherë të përfaqësueseve i ftojmë lojtarët, biem në kontakt me ta direkt ose me familjarët e tyre”, tha Sojeva.

Grupmosha U21 vlerësohet shumë e ndjeshme. Shumë lojtarë nga Kosova luajnë për gjenerata të reja në përfaqësuese të tjera. Por në gjenerata të reja numri i lojtarëve që seleksionohen është më i madh. Ai zvogëlohet gradualisht te U21 dhe për këtë lojtarët kërkojnë opsione të tjera. Këtu hyn në garë Kosova, që mundohet t’i bindë lojtarët për t’u bërë “Dardanë”. Por ky proces jo gjithnjë është i lehtë. Shpesh lojtarët presin përfaqësueset evropiane dhe janë mes dy vendimeve jo të thjeshta.

Sipas Sojevës, deri më tani asnjëherë nuk ka ndodhur që një lojtar të thotë se nuk dëshiron të luajë për Kosovën.

“Unë tash e katër vjet jam menaxher në Kombëtaren e Kosovës U21. Deri tash refuzime nuk kemi pasur. Shembull, nuk kemi pasur asnjë rast që ka thënë ‘jo nuk do të luajë për Kosovën’. Gjithmonë kanë qenë aso përgjigje, ndoshta kanë pritur momentin e duhur. Duhet t’i kuptojmë edhe ata, pasi janë lindur dhe janë rritur atje, janë shkolluar dhe është e vështirë edhe për ta që të vendosin menjëherë. Me disa kemi pasur edhe probleme me dokumentacion, pasi janë disa shtete që nuk e lejojnë dyshtetësinë”, u shpreh Sojeva.

Ai ka komentuar edhe lëvizjen e Hajdin Salihut dhe Altin Bytyqit të cilët nga Kosova U21 kaluan te Shqipëria U21. Sipas Sojevës, të dy lojtarët kanë qenë në listën e gjerë për ndeshjet miqësore në Katar.

“Hajdin Salihu ka qenë pjesë e Kosovës U17, U19 dhe ka qenë i grumbulluar me U21. Nuk e di se çfarë të them. Ai ka qenë në planet e ngushta të Michael Ness. Po ashtu, kur ne e kemi bërë listën e gjerë për Katar për dy ndeshjet miqësore, ai ka qenë në listën e gjerë dhe është marrë edhe viza për të. Por kemi parë përmes mediave që ai ka vendosur që të shkojë për Shqipërinë. Nuk kam çfarë të them, jam pak i befasuar, por është vendimi i tij dhe e respektoj. Lista e gjerë e përzgjedhësit Ness është për shkak të pandemisë, në mënyrë që nëse ka ndonjë rast, të kemi lojtarë të mjaftueshëm. Në atë listë kanë qenë edhe Hajdin Salihu dhe Altin Bytyqi”, deklaroi menaxheri i “Dardanëve” të rinj.

Sojeva nuk e quan “luftë” garën ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës për marrjen e talenteve.

Ai u është përgjigjur edhe deklaratave të babait të Leon Dajakut. Sojeva konfirmon se sulmuesi Dajaku ka qenë tri herë i ftuar nga “Dardanët”.

“Unë nuk e di a ka deklaruar ashtu apo jo, por unë kam kontakte me babai e Leon Dajakut që nga viti 2018, kam raporte shumë të mira me të. Jemi në kontakt të përhershëm. Unë e uroj për golat e Dajakut, ai më uron për festa dhe suksese të Kosovës. I ftuar ka qenë tash e tri vite për Kosovën U21 e kam fjalën, jo për ekipin e parë pasi nuk i di planet e Challandesit. Por për U21 ka qenë i ftuar gjatë gjithë kohës dhe është i ftuar prapë, dyert janë të hapura. Raportet me babanë e tij janë shumë të mira, kam pasur rastin ta takoj edhe personalisht. Në dhjetor të vitit 2019 ishte planifikuar edhe një takim mes kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, dhe babait të Leon Dajakut, por për shkak të angazhimeve të tij ky takim ka dështuar”, shtoi Sojeva.

Në fund, ai ka thënë se kanë pasur rast kur pothuajse një ekip i tërë nuk ka mundur t’i bashkohet Kosovës U-21.

Sojeva thekson se dy lojtarë e kishin rrezikuar edhe karrierën e tyre për të veshur fanellën e Kosovës.

“Dua t’i përmendi Eris Abedinin dhe Kreshnik Hajrizin. Ata vinin nga dy klube të Ligës së Dytë të Zvicrës. Ata kanë rrezikuar çdo gjë në mënyrë që të vijnë për të luajtur për Kosovën U21 kundër Anglisë U21”.

Kosova U-21 është drejtuar për disa vjet nga trajneri Rafet Prekazi, vendin e të cilit e ka zënë gjermani Michael Ness.

Sojeva ka theksuar se ardhja e përzgjedhësit Nees pritet të sjellë edhe disa emra të rinj në Përfaqësuese.