Gjilani ka serinë më të gjatë pa humbje në edicionin aktual në futbollin kosovar. Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi nuk di për humbje në 17 ndeshjet e fundit, 15 në kampionat e dy në garën për Kupë. Gjilanasit kanë njëmbëdhjetë fitore e gjashtë barazime. Humbjen e fundit Gjilani e ka pësuar nga Ulpiana, më 19 shtator të vitit të kaluar.
Gjilani mban vendin e dytë në Superligë me 39 pikë, aq sa ka edhe Ballkani në vendin e parë. “Skifterat” janë në çerekfinale të Kupës së Kosovës ku do të takohen me Llapin.
Trajneri Munishi ka përmendur disa faktorë për serinë e ndeshjeve pa humbje.
“Kemi lojtarë kampionë në gjirin tonë dhe me karakter të fortë. Nuk dorëzohemi asnjëherë, kemi edhe kualitet në skuadër. Kemi organizim fantastik në klub. Nuk na mungon asgjë dhe atmosfera është shumë e mirë”, u shpreh Munishi, të hënën.
Gjilani në kampionat ka 21 pikë të fituara si mysafir, më së shumti nga të gjitha ekipet. Është skuadra me më së shumti barazime në ligë, gjithsej nëntë.
“Në fillim të kampionatit kemi pasur probleme me lëndime dhe rrugës jemi konsoliduar. Në disa ndeshje nuk kemi luajtur mirë në fazën e sulmit ose ekipet kundërshtare janë mbrojtur mjaft mirë. Gerhard Progni ka qenë lojtari që na ka tërhequr si lokomotivë. Edhe me Blerim Krasniqin e Elton Calen me raste kam qenë i kënaqur, por nga këta dy pres më tepër sepse kanë kapacitet vërtetë të madh. Edhe portieri Enea Koliçi ka qenë vendimtar në suksesin tonë. Është portieri bindshëm më i mirë në Superligë”, ka shtuar Munishi.
Ai vlerëson se ka skuadër për të luftuar për të dy trofetë.
“Po, kemi ekip që do të luftojë në dy frontet. Shpresoj t’i gëzojmë tifozët tanë ‘Skifterat’ dhe presidentin Florim Zuka”.
Edhe ndeshjet e mëdha deri më tani i kanë takuar Gjilanit.
“Kur ke në mesfushë Albert Dabiqajn e Besar Musollin, 90 për qind i fiton derbit. Progni është kapiten i vërtetë dhe lider fantastik, portieri Koliçi që na jep shumë siguri në mbrojtje, e sidomos tash që i kemi në top formë tre mbrojtës, Arbër Prekazin, Muhamed Useinin dhe Armend Halilin. Jemi më të fortë se sa që ishim në vjeshtë”, thotë Munishi.
Ecuri pozitive ka edhe Llapi. Llapjanët kanë 11 ndeshje pa humbje, nëntë në kampionat e dy në Kupë. Kanë shtatë fitore dhe tri barazime.
“Pas startit jo të mirë, edhe për shkak të fushës që ishte duke u rregulluar, kemi arritur që të rikthehemi te rezultatet pozitive. Njëmbëdhjetë ndeshje pa humbje janë meritë e të gjithëve, duke nisur nga lojtarët, shtabi teknik, por edhe kryesia e cila po u rri afër lojtarëve. Llapit nuk i mungon asgjë. Lojtarët po e japin më të mirën dhe si rezultat i kësaj janë këto rezultate”, ka thënë trajneri Tahir Batatina për KOHËN.
“Jemi gjashtë pikë larg vendit të parë. Deri në fund ka edhe shumë ndeshje. Do të luftojmë edhe për titull, por edhe për Kupë. Tani si vendës luajmë në ‘Zahir Pajaziti’ dhe me ndihmën e tifozëve ‘Legjendat’, besoj që do t’ia dalim dhe në fund ta prezantojmë futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar Batatina.
Llapi i ka 33 pikë dhe mban vendin e katërt.
Ballkani kishte 11 ndeshje rresht pa disfatë në fillim të kampionatit.