Me synim për të shmangur tensionet, Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) nuk lejon përballjet e Kosovës me Serbinë në futboll. Nuk lejohen përballjet në nivel përfaqësuesesh, por as ato në nivel klubesh.
Dhe sërish serbët kanë gjetur mënyrë për të penguar Kosovën, përkatësisht futbollin kosovar. Të enjten në Beograd u mbajt Kongresi i UEFA-s, ndërsa serbët larguan flamurin dhe simbolet e Kosovës nga salla ku u mbajtën punimet. Kjo është bërë me lejen apo të paktën me pajtimin e UEFA-s.
Të gjitha delegacionet e federatave nacionale e kishin flamurin e shtetit të tyre para në tavolinë, pos delegacionit të Kosovës.
Një natë para Kongresit, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, bëri një video me flamurin e Kosovës, të vendosur në korridorin e objektit ku mbahej aktiviteti i UEFA-s. Një flamur i vogël i Kosovës i vendosur në ram ishte në sallën e Kongresit, por u largua nga zyrtarë të Federatës serbe pa nisur mbledhja. Si pretekst, Federata serbe përmendi videon e publikuar nga Ademi.
Nuk kishte reagim nga UEFA për diskriminimin që iu bë Kosovës, por as nga Federata Shqiptare e Futbollit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është njëri prej nënpresidentëve të UEFA-s. Ndërkohë FFK-ja u mundua të paraqesë prezantimin si të njëjtë me të federatave të tjera, ndonëse nuk ishte ashtu.
Qëndrimi i serbëve në Kongresin e UEFA-s karshi Kosovës nuk është asgjë e re. Serbët vazhdimisht angazhohen për të penguar e dëmtuar sportin kosovar. Këtë edhe e arrijnë në ngjarjet sportive ndërkombëtare dhe organizimet e ndryshme në Serbi, që nuk janë të pakta.
Për shumë e shumë vjet pjesëmarrja e sportistëve të Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare në Serbi as që ishte temë.
Lëvizje nisën të bëhen në vitin 2018. Ishin hendbollistet e Kosovës U20 që udhëtuan për në Serbi dhe u vendosën në Kovilovo, në afërsi të Beogradit. Udhëtimi ishte bërë nën masa të rrepta të sigurisë. Në atë kompleks duhej të luhej turneu kualifikues për Kampionat Botëror. Por pasi Kosova zhvilloi një stërvitje dhe fotografitë u bënë publike, kishte reagim të ashpër të opinionit në Serbi. Tifozët organizuan protesta në qendër të Beogradit dhe në afërsi të kompleksit ku ishin hendbollistet kosovare. Në ditën kur duhej të luhej ndeshja Serbi – Kosovë, pasi ishte luajtur takimi Norvegji – Sllovaki, Ministria e Punëve të Brendshme mori vendim për të ndaluar hyrjen e hendbollisteve të Kosovës në palestër. Kjo bëri që Federata Evropiane e Hendbollit të anulonte gjithë turneun. Federata serbe ishte dënuar rëndë ndërkohë.
Më pas përpjekje të pasuksesshme për të hyrë në Serbi kishin bërë boksierët dhe karateistët e Kosovës. Por ata nuk ishin lejuar të hynin për të garuar në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
Për herë të parë sportistë të Kosovës kanë garuar në Serbi më 12 shkurt 2022. Ishin atletët e rinj të Kosovës që garuan në Kampionatin Ballkanik U20 në palestër. Udhëtimi ishte bërë në heshtje të plotë, ndërsa garës së vogël nuk iu kushtua ndonjë publicitet. Në gjoks atletët kosovarë e kishin të shkruar “KOS”. Në atë kampionat kishin garuar gjashtë atletë të Kosovës.

Asnjëri delegacion nuk ishte paraqitur me flamur në atë Ballkanik.
“Kam bërë një punë me një qetësi dhe strategji tash e një kohë. I kemi përfshirë eksponentët e tjerë të Federatës Ballkanike, të Evropës dhe të botës. Janë thyer tabutë. Është kjo një vizë edhe për sportet e tjera, që të bëhen ato pjesë e garave të përbashkëta. Ne e kemi fqinje Serbinë dhe duhet që edhe këta, edhe ne të jemi në gara të përbashkëta që i kemi me federatat e tjera. Këtu kemi qenë 20 federata”, kishte deklaruar për KOHËN, Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës së Kosovës.
Në mars të vitit 2022, në Beograd ishte mbajtur Botërori i atletikës në palestër. Kosova mori pjesë, por atletja kosovare u diskriminua sa i takon mënyrës së prezantimit.
Gresa Bakraqi garoi në vrapim 1.500 metra. Flamuri i Kosovës në fanellën e atletes ishte mbuluar me një fashë të zezë. Në ekranin gjigant në arenë, te Gresa Bakraqi ishte shkruar KOS, por nuk ishte paraqitur flamuri i Kosovës. Ndërkohë atletet e tjera ishin paraqitur me flamurin e vendit prej nga vijnë.
Edhe shkurtesa KOS në fanellën e Bakraqit ishte gjysmë e mbuluar nga shtojca në fanellë, që ishte e organizatorit.
“Të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën politike në atë regjion. World Athletics, Komiteti Organizativ i Beogradi 2022 dhe Federata e Atletikës së Kosovës kanë punuar së bashku për të siguruar që atletja nga Kosova të mund të garonte pa tension. Kjo ka përfshirë pajtimin e të gjitha palëve që atletja të prezantohet me kod të vendit në World Athletics, KOS”, kishin thënë nga Federata Botërore e Atletikës.
Shkurtesa KOS ishte kompromis, ndërsa atletët e vendeve të tjera e kishin të shkruar emrin e vendit prej nga vijnë.
Pas atletëve, sportistë të tjerë të Kosovës nuk kanë garuar në ngjarjet në Serbi. Në fakt as që ka pasur shumë interesim për të bërë këtë. Për ngjarjet që mbahen në territorin e Serbisë federatat kosovare kryesisht nuk shprehin interesim. Ka një lloj pajtueshmërie me federatat ndërkombëtare që mos të insistohet për të garuar në Serbi.
Sportistë serbë, në disa raste, kanë refuzuar të garojnë kundër sportistëve të Kosovës edhe në ngjarje ndërkombëtare në vende të tjera, kryesisht ballkanike. Në garat e federatave më serioze, si ato të xhudos për shembull, kjo megjithatë nuk lejohet. Në xhudo ka shpesh përballje të garuesve të Kosovës me garues të Serbisë.
Në sportet ekipore, pos UEFA-s, edhe organizatat e tjera pamundësojnë përballjet Kosovë – Serbi. Dhe kjo situatë pritet të jetë edhe për shumë vjet.
Kongresi i UEFA-s në Beograd është dëshmi për këtë.