Sport

Selektori i Kosovës U19 ka ende shpresë për kualifikim në Evropian

Përzgjedhësi i Përfaqësueses U19 të Kosovës në futboll, Adil Maliqi, ka ende shpresë për kualifikim në Evropianin që këtë vit mbahet në Irlandën e Veriut.

“Dardanët” e rinj të shtunën humbën 2:1 nga Spanja në ndeshjen që u zhvillua në Gornja Radgona të Sllovenisë, që është nikoqire e Grupit 1 të raundit elitar të kualifikimeve.

Kosova U19 pavarësisht disfatës nga spanjollët, ka ende gjasa për kualifikim tutje.

“Kemi ende shpresa, por jemi të varur edhe nga fusha tjetër. Ne duhet ta mposhtim Slloveninë për të mbajtur shpresë për vendin e parë. Austria duhet të luajë baras apo ta mposhtë Spanjën që ne të përfundojmë të parët, gjithnjë nëse fitojmë ndeshjen”, ka thënë Maliqi për KOHËN të dielën.

Ai pret fitore ndaj Sllovenisë, kundërshtares së fundit të kualifikimeve. Turneu final i Evropianit zhvillohet prej 15 deri më 28 korrik.

Maliqi ka shpresë se Kosova mund të jetë njëra prej përfaqësueseve pjesëmarrëse.

“Ne duhet t’i kryejmë detyrat tona dhe të shpresojmë se në fushën tjetër vjen rezultati të cilin e presim. Edhe Sllovenia nuk është për t’u nënvlerësuar, por unë jam i bindur se do të bëjmë paraqitje të mirë. Do të provojmë nga minuta e parë për fitore”, është shprehur Maliqi.

Në fakt, Kosova shfaqi lojë të mirë ndaj Spanjës. Golin për 2:1 e shënoi sulmuesi i të rinjve të Stuttgartit, Eliot Bujupi. Bujupi shënoi supergol nga gjuajtja e lirë në minutën e 71-të.

Selektori Maliqi insiston se Kosova meritoi pikët e plota kundër Spanjës.

“Unë mendoj se kemi merituar edhe tri pikë. Nëse do të na kishte ecur loja apo të na kthehej momenti në anën tonë, unë besoj se do t’i fitonim pikët e plota. Barazimi do ishte korrekt. Edhe selektori i Spanjës e tha se barazimi do të ishte korrekt. Spanja ka një përfaqësuese të hatashme dhe kur e sheh në fushë, është e jashtëzakonshme. Ne kemi bërë një ndeshje shumë të mirë përballë një Spanje. Jam krenar me lojtarët për mënyrën si janë paraqitur, çfarë karakteri kanë treguar dhe me sa guxim kanë luajtur. Kjo ka qenë e jashtëzakonshme”, thotë Maliqi.

Kosova U19 e nisi raundin elitar të kualifikimeve me fitoren 1:0 ndaj Austrisë. Spanja në ndeshjen e parë barazoi 1:1 me Slloveninë. Ndërkohë të shtunën Austria fitoi 2:0 ndaj Sllovenisë. Kështu në grup udhëheq Spanja me katër pikë. Kosova e Austria i kanë nga tri pikë, ndërsa Sllovenia e ka një. Sllovenia tashmë është e eliminuar. Vetëm fituesi i grupit avancon në Evropian.

“Unë jam shumë krenar me djemtë edhe pse nuk kam qenë i kënaqur me lojën e treguar ndaj Austrisë. Jam i kënaqur me djemtë për mënyrën se si e kanë pranuar detyrën, pasi e kanë ditur që nuk do të jetë lehtë. Por me shumë karakter dhe mentalitet e fituam ndeshjen. Djemtë meritojnë një mbështetje të duhur”, ka thënë Maliqi.

Ndeshjet Sllovenia – Kosova dhe Austria – Spanja janë të martën prej orës 12:00.