Arlind Sejdiu është emri më i ri që ka pranuar të luajë për Përfaqësuesen U21 të Kosovës. Sulmuesi me prejardhje nga Mitrovica luan te skuadra e Lahtit, që garon në Superligën e Finlandës. Sejdiu është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës U21, Michael Nees, që publikoi listën para ndeshjes me Shqipërinë. Kosova do të përballet me Shqipërinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Kjo ndeshje luhet më 16 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa “Dardanët” e rinj do të grumbullohen të hënën.
Pas katër ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të këtyre eliminatoreve, Kosova ka regjistruar një fitore karshi tri humbjeve. Ka triumfuar vetëm Andorrën (2:0), ndërsa është mposhtur nga Anglia dhe Çekia dy herë. Zë vendin e parafundit në Grupin G me tri pikë, gjashtë më pak se Shqipëria, që është e dyta. Ndërsa, grupit i prin Çekia me 12 pikë të mbledhura.
“Ndihem shumë mirë”, tha Sejdiu për KOHËN, pas ftesës që e ka marrë. “Të ftohesh nga Kosova dhe të kesh mundësi që të luash për vendlindjen e prindërve, është diçka e veçantë për mua. Unë iu premtoj tifozëve të Kosovës angazhim maksimal në çdo ndeshje dhe kuptohet, premtoj edhe gola”.
Para se të ftohet nga Kosova U21, Sejdiu ka luajtur për gjeneratat e reja të Finlandës, U16, U17, U18 dhe U19, ku në 25 paraqitje në total ka shënuar tre gola. Në fakt, Sejdiu ka zbuluar se këtë muaj i ka marrë dy ftesa nga dy shtete për ndeshjet e këtij muaji. Ai ishte ftuar edhe nga Përfaqësuesja U20 e Finlandës dhe Kosova U21, por në fund vendosi t’i bashkohet “Dardanëve” të rinj.
“Personalisht nuk e kam lajmëruar Finlandën. Më ka ardhur ftesa e Finlandës U20, por e kam refuzuar dhe iu kam treguar që do të shkojë dhe të luajë për Kosovën U21 tani e tutje. Normalisht që nuk iu ka ardhur mirë, por më kanë uruar shumë suksese dhe më kanë thënë që nëse ndërroj mendje, mund të rikthehem pasi jam i mirëseardhur”, ka zbuluar Sejdiu.
Sulmuesi 20-vjeçar e pranon se dëshira e tij ka qenë që t’i bashkohet Kosovës edhe më herët, por shkaku i dokumentacionit nuk ka pasur mundësi. Mirëpo, tani ai ndihet krenar dhe i lumtur që do të luajë për Kosovën.
“Unë kam qenë i ftuar edhe më herët nga Kosova. Por, arsyeja ka qenë te dokumentacioni dhe për këtë shkak nuk kam mundur të jem pjesë e Kosovës U21 në ndeshjen e mëparshme”, tregon Sejdiu.
Në fakt, Sejdiu thotë se ishte edhe babai i tij, Lavdimi, ai që e ka shtyrë vazhdimisht të mendoj vetëm për ta përfaqësuar Kosovën. Ai ka lindur në Finlandë, por është shumë i lidhur me Kosovën.
“Unë kam lindur në Finlandë, vendi ku jam ende. Nuk ka qenë e vështirë të pranojë ftesën e Kosovës sepse ka qenë ëndërr e imja dhe e prindërve të mi që unë të luajë një ditë për Kosovën. Jam rritur në familje me frymë shqiptare dhe babi ka qenë ai që me çdo kusht ka kërkuar gjithmonë që unë të luajë për Kosovën. Unë jam shumë i lidhur me Kosovën”, tha Sejdiu, që ka folur edhe për paraqitjet e tij te Lahti këtë sezon. “Ky sezon nuk ka qenë qysh kam pritur shkaku i koronavirusit. Pastaj jam lënduar në gju dhe më vonë erdhi edhe lëndimi në shpinë. Në fund të kampionatit e gjeta formën dhe përfundimi ishte i mirë. Mund të them se për momentin jam në formë të mirë”.
Sejdiu ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim në 20 paraqitje me Lahtin. Ai nuk e di nëse do të debutojë te Kosova U21 ndaj Shqipërisë, pasi thotë se ky është vendim që i takon trajnerit. Mirëpo, konfirmon se është i gatshëm ta shijojë duelin emocionues me Shqipërinë.
“Vetëm trajneri i di nëse do të luajë apo jo, pasi ai vendos për këtë. Por, kam dëshira të shijojë ndeshjen kundër Shqipërisë pasi po e pres më shumë emocione.
Unë gjithmonë luajë për të fituar, kështu që në këtë ndeshje ne do të luajmë për fitore”, shtoi Sejdiu, që zbuloi se para disa vitesh edhe Shqipëria kishte shfaqur interesim për të. “Shqipëria më ka kontaktuar para 2-3 vjetëve. Babi nuk ka pranuar për shkak se isha shumë i ri dhe ëndrra e tij dhe e imja ishte që unë të luajë për Kosovën”.
Sejdiu ka kontratë me skuadrën e Lahtit deri në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa si futbollist është rritur te ekipi tjetër nga Finlanda, Honka.