Skuadra e Ulpianës i luan ndeshjet si vendase në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan nga tetori i vitit 2021. Kjo arenë e futbollit për disa vjet nuk i ka plotësuar kriteret që të luhen ndeshje të Superligës së Kosovës, shkaku i fushës. Janë luajtur vetëm ndeshje të Ligës së Parë, ku përveç Ulpianës, edhe skuadra e Arbërisë i zhvillonte dhe i zhvillon takimet në të njëjtin stadium. Por Arbëria nuk mundi ta shfrytëzojë fare këtë stadium në edicionin 2020/2021 dhe të gjitha ndeshje në Superligë si vendas i luajti jashtë Lipjanit, në Obiliq, Prishtinë, Podujevë dhe në Ferizaj.
Në fillim të këtij edicioni as Ulpiana nuk ka mundur të luajë si vendase në shtëpi, pasi stadiumi nuk ishte i nivelit të Superligës dhe në të po punohej ende.
Në cilësinë e vendasve, lipjanasit i kanë zhvilluar tri ndeshje në stadiumin e qytetit në Suharekë, kundër Malishevës, Drenicës dhe Dukagjinit.
Nga mesi i tetorit të vitit të kaluar fusha e stadiumi posedon bari sintetik dhe i plotëson kriteret që kërkohen.
Dikur nuk plotësonte kushte as për ekipet e qytetit të Lipjanit, kurse tani “Sami Kelmendi” është shndërruar në shtëpi të disa klubeve të Superligës, të cilat për arsye të ndryshme nuk mund të luajnë në stadiumet e tyre.
Prishtina e ka luajtur në Lipjan ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës kundër Drenicës, për shkak të ruajtjes së stadiumit “Fadil Vokrri”, shkaku i të reshurave të borës.
Po ashtu edhe Llapi nga Podujeva e ka një takim të zhvilluar si vendas në stadiumin e Ulpianës, atë ndaj Prishtinës në kuadër të xhiros së 18-të. Kjo shkaku i fushës së papërshtatshme në Merdar.
Ekipi tjetër i elitës së futbollit kosovar që do të luajë si vendës në Lipjan është Drita.
Skuadra nga Gjilani do të përballet të shtunën me Feronikelin. Shkaku i fushës së rënduar nga të reshurat e borës, Drita ka vendosur që ndeshjen ta organizojë në “Sami Kelmendi”.
“Ndeshja e paraparë të luhet në Gjilan ndërmjet Dritës dhe Feronikelit është zhvendosur në Lipjan në stadiumin ‘Sami Kelmendi’. I falënderoj klubin e Ulpianës dhe stafin e stadiumit që na i kanë hapur dyert. Arsyeja pse ne jemi zhvendosur në Lipjan si vendas është se tapeti është konservuar në dhjetor dhe për shkak të reshjeve të borës, që ende nuk është shkrirë komplet, tapeti është i butë apo thënë ndryshe është me baltë. Për këtë arsye nuk kemi dashur që të rrezikojmë dhe ta dëmtojmë atë konservimin e bërë në dhjetor”, ka deklaruar për KOHËN drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.
Zëdhënësi i klubit të Ulpianës, Granit Duriqi, ka deklaruar se deri me tani tri klube të Superligës kanë kërkuar që të luajnë si vendas në Lipjan.
Ai konfirmon se kjo shkakton telashe pasi fusha stërngarkohet. Duriqi tregon se klubi që luan si vendas në Lipjan është i obliguar të paguajë një shumë të caktuar të parave.
“Natyrisht që kanë shkaktuat telashe për arsye se tereni është i stërngarkuar. Por meqenëse ne dikur ishim hallexhinj, i kemi mirëkuptuar plotësisht klubet të cilat kanë bërë kërkesë për t’i zhvilluar ndeshjet në ‘Sami Kelmendi’. Sigurisht, duke u bazuar në rregulloren e klubit, secili ekip është i obliguar që ta bëjë një pagesë e cila shfrytëzohet për mbulimin e shpenzimeve për atë ndeshje”, tha Duriqi.
“Nëse na jepet mundësia do t’u dalim në ndihmë hallexhinjve, duke e kuptuar edhe pozitën tonë dikur, kur shtëpia jonë ishte në ndërtim e sipër. Ne tashmë jemi shumë komod sa i përket infrastrukturës sportive dhe për këtë i jemi falënderues shumë Komunës së Lipjanit”.
Ulpiana u rikthye në Superligë në vitin e kaluar, pas një dekade. Pjesën vjeshtore e mbylli në pozitën e nëntë me 18 pikë, aq sa ka edhe Dukagjini një vend më lart. Ndeshjen e xhiros së 19-të Ulpiana e luan në udhëtim te Llapi, të dielën nga ora 13:30.