Sport

Salla ende pa pranim teknik, por përgatitjet janë bërë për Final 8 të Kupës së Kosovës

Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet rreth fillimit të Final 8 të Kupës së Kosovës në basketboll, e cila fillon nesër dhe përfundon më 3 mars.

Këtë e kanë konfirmuar Federata e Basketbollit të Kosovës dhe klubi i basketbollit Rahoveci, i cili kësaj radhe është nikoqir i kësaj gare.

Në konferencën e mbajtur për media, ku ishin të pranishëm shumica e kapitenëve, u konfirmua se salla e cila sapo është ndërtuar, edhe pse ende nuk është e pranuar teknikisht, është e gatshme dhe tani Rahoveci mirëpret skuadrat pjesëmarrëse.

Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku tha se tanimë është gjithçka gati fal punës së mirë së bërë nga klubi i Rahovecit.

“Ne kemi qenë të shtunën si Federatë e Basketbollit të Kosovës në inspektim në palestrën e re në Rahovec, dhe mund të themi se gjithçka është gati dhe klubi i Rahovecit ka bërë një punë të mrekullueshme sa i përket përfundimit të palestrës dhe organizimit. Është hera e parë në fakt që Federata e Basketbollit të Kosovës, ashtu siç e përshkruan udhëzuesi për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, që veç e ka mbikëqyrë procesin e organizimit të Final 8 duke mos pasur nevojë të intervenojë dhe të bëjë përmirësime”, u shpreh Dushku, raporton Kosovapress.

Përfaqësuesi i klubit të Rahovecit, Alban Rama njoftoi se biletat kanë dalë në shitje, dhe ato do të kushtojnë 3 euro, përveç atyre të cilat janë të rezervuara për tifozët që udhëtojnë në mënyrë të organizuar në Rahovec.

“Qysh sot është gjithçka gati për të filluar kupa e Kosovës në Rahovec. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet derri tash edhe ato teknike dhe të gjitha detajet janë gati, kështu që vetëm i presim ekipet me ardhur për t’i zhvilluar ndeshjet në palestrën e re, që ka përfunduar. Ne qysh sot kemi filluar edhe me shitjen e biletave. Qysh nga ora 12.00 dalin në shitje biletat, kështu që të gjithë të interesuarit domethënë prej orës 12.00 para palestrës do të jenë dy kënde ku do të mund t’i blejnë biletat”, tha Rama.

Kapiteni i skuadrës së Z Mobile Prishtina, Edmond Azemi ishte i lumtur me faktin se palestra në Rahovec është gati dhe kjo do të krijojë mundësi të mira për të rinjtë që të zhvillojnë talentin.

“Qëllimi ynë si gjithmonë si klub, si Z Mobile Prishtina, është që të fitojmë kupën, po ashtu kampionatin. Jemi maksimalisht të përgatitur për këtë lojë. Nuk ka me qenë lehtë, sepse kjo është vetëm një lojë, nuk ka lojë kthyese. Lojën e parë e dini që e kemi me Trepçën. Unë besoj që aty jemi favorit. Gjysmëfinalja na pret tashmë varet nga ndeshja mes Golden Eagle Ylli – Feronikeli, por mendoj se jemi favoritë. Besoj që e kemi atë traditë dhe besoj që kemi ekipin më të mirë se të gjithë”, u shpreh Azemi.

Ndërkohë që kapiteni i skuadrës nikoqire, Rahoveci, Rron Grapci u shpreh se më në fund Rahoveci do të luajë në shtëpinë e tij dhe ky do të jetë një motiv më shumë për të fituar kupën.

“Ne jemi mjaft të përgatitur për Final 8. Lojën e parë e kemi kundër DonBosko-s, një ekip mjaft i mirë, me lojtarë me eksperiencë, lojtarë të cilët kanë luajtur edhe në Superligë, kështu që synimi i klubit është arritja së paku në finale të Final 8’, u shpreh Grapci.

Në konkurrencën e femrave ndeshja e parë pritet të jetë interesante, ku do të ndeshen dy skuadrat favorite Bashkimi dhe Prishtina.

Klubi nga kryeqyteti së fundmi është përforcuar shumë dhe ky fakt do të jetë një plus i madh për ta, të cilët do të synojnë ta mbrojnë kupën e fituar vitin e kaluar.

Kapitenia Irma Konjusha ndër tjerash tha se skuadra është e përgatitur dhe se ata do të udhëtojnë qysh sot në Rahovec, për të qenë sa më të fokusuar në ndeshjet e Kupës.

“Jemi të përgatitura maksimalisht. Ka me qenë një ndeshje shumë e fortë kundër klubit të Bashkimit. Sa i përket ekipit tonë siç e dini, jemi përforcuar me dy lojtare të huaja. Ne si ekip e njohim Bashkimin, kemi luajtur dy lojë, një kampionate dhe një për Superkupë dhe qëllimi ynë është të fitojmë kupën”, tha Konjusha.

Ndërsa kapitenia e Bashkimit, Ulpiana Emra pohoi se klubi i saj do të mundohet që ta fitojë kupën, por e di që do të jetë vështirë.

“Ne si ekip dihet tanimë e kemi një ekip mjaft kompakt dhe kemi shfaqur ndeshje shumë të mira deri tani. Nuk do të jetë shumë e lehtë, pasi do të kemi përball një Prishtina pak më ndryshe, një Prishtinë të përforcuar, por qëllimet tona dihen. Ne vitin e kaluar kemi treguar forcën tonë bindëse që kemi qenë kampione pa asnjë humbje dhe besoj që edhe në kupë do të mundohemi maksimalisht të kualifikohemi në finale dhe ta fitojmë kupën”, u shpreh Emra.

Final 8 i këtij edicioni fillon nesër me ndeshjen hapëse në konkurrencën e femrave mes Prishtinës dhe Bashkimit, dhe do të përfundojë më 3 mars kur edhe do të zhvillohen ndeshjet finale.