Sport

Sahiti shpallet më i miri i janarit, po pret ftesë nga përfaqësuesja A

Forma e mirë, golat dhe asistimet e Emir Sahitit, janë shpërblyer të dielën.

Paraqitjet pozitive me fanellën e skuadrës se Shibenikut, kanë bërë që Sahiti të zgjidhet lojtari i muajit në elitën e futbollit të Kroacisë.

22-vjeçari është i lumtur për çmimin, ndërsa insiston se ai e obligon që të vazhdojë me paraqitje të mira deri në fund të edicionit.

Sulmuesi i krahut po bën emër te Shibeniku, ku është i huazuar nga Hajduku i Splitit. Sahiti në total deri më tani këtë edicion ka shënuar gjashtë gola dhe ka një asistim në 21 ndeshje për ekipin elitar të Kroacisë.

“Është kënaqësi që të shpallem lojtari i muajit janar në elitën e futbollit të Kroacisë. Sigurisht që për mua do të jetë një motivim shtesë për të vazhduar me performanca të tilla dhe për ta ndihmuar ekipin të arrijë sa më shumë rezultate pozitive. Kam pasur disa momente të mira dhe shpresoj shumë të vazhdoj të tregoj paraqitje të tilla”, u shpreh Sahiti për KOHEN.

“Besoj se nuk do të ndalem me kaq, por do të mundohem në secilën ndeshje ta ndihmoj ekipin, qoftë me gol apo asistim. Mirëpo, rëndësi më të madhe se paraqitja individuale, kanë rezultatet e ekipit”.

Në muajin për të cilin është shpallur lojtari më i mirë, Sahiti ka shënuar tre gola. Sulmuesi 22-vjeçar arriti të shënojë gola ndaj skuadrave të njohura kroate, Dinamo Zagreb e Lokomotiva Zagreb. Në fillim të shkurtit realizoi edhe ndaj Rijekës.

Në ndeshjen e fundit, ndaj Goricas, Sahiti i mungoi Shibenikut për shkak të kartonëve. Në këtë ndeshje, Shibeniku humbi 1:0.

Sahiti insiston se është i kënaqur me paraqitjet te Shibeniku duke shtuar se puna e tij më në fund po shpërblehet.

“Kam pasur disa ndeshje të mira dhe kjo është falë punës së vazhdueshme që kam bërë në stërvitje. Kam pasur edhe ndihmën nga bashkëlojtarët e mi të cilët më kanë mbështetur”, tha Sahiti. “Kemi një skuadër të re dhe shpresoj që në fund të sezonit të arrijmë objektivat të cilat i kemi”.

Golat e sulmuesit kosovar kanë bërë që Shibeniku të luftojë për një vend që edicionin tjetër siguron paraqitjet ne kupat evropiane. Aktualisht Shibeniku renditet në pozitën e gjashtë me 24 pikë të grumbulluara pas 21 ndeshjeve të zhvilluara në elitën kroate.

“Kemi bërë ndeshje të mira. Do t’i marrim ndeshjet një pas një, pasi ka edhe shumë xhiro deri në fund të kampionatit. Më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi Sahiti që deri më tani ka luajtur për grupmoshën U21 të Shqipërisë.

Ai me fanellën e “kuqezinjve” ka tetë paraqitje duke shënuar dy gola. Por, Sahiti nuk ka të drejtë më që të paraqitet me grumposhat e reja, pasi ka mbushur 22 vjet dhe shpreson që paraqitjet e mira te Shibeniku do t’ia sigurojnë ftesën nga ekipi A, qoftë i Shqipërisë apo i Kosovës.

“Momentalisht jam i fokusuar të jem në formën më të mirë të mundshme. Sigurisht që do të ishte një nder për mua të ftohesha nga Kosova apo Shqipëria, pasi për çdo futbollist profesionist, përfaqësuesja është gjëja më e madhe në karrierë. Shpresoj se një ditë do të arrij të jem pjesë e Përfaqësueses A”.