Emir Sahiti ka pranuar se ka oferta nga klubet e tjera, por nuk e ka ndërmend të largohet nga Hajduku i Splitit të paktën deri në fund të këtij sezoni. Ai është i vendosur ta ndihmojë Hajdukun për ta rikthyer titullin e kampionit të Kroacisë, sukses ky që i mungon prej vitit 2005. Sahiti beson se Hajduku mund të shpallet kampion këtë edicion, pasi insiston se ka ekip të mirë. Aktualisht, Hajduku është i katërti në Superligën e Kroacisë me 21 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se Rijeka që prin në tabelë dhe ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Sahiti 22-vjeçar ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime në 16 paraqitje në të gjitha garat për Hajdukun, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025.
“Po ka disa klube të interesuara për mua, por unë jam i fokusuar te Hajduku dhe dua ta ndihmoj për ta fituar titullin e kampionit, pasi kemi një ekip shumë të mirë. Kështu që unë po mendoj vetëm për të arritur synimet me Hajdukun, kurse sa u përket ofertave dhe gjërave të tjera, me ato merret menaxheri im”, ka thënë Sahiti. “Jam në formë të mirë dhe ndihem krenar që jam pjesë e klubit më të madh në Kroaci, me të cilin kam kontratë edhe për disa vite, por futbollit nuk i dihet asnjëherë”.
Sahiti ka thënë se pavarësisht formës së mirë, ai po punon vazhdimisht që të përmirësohet dhe t’i kthehet shënimit të golave. Ai gjithashtu shtoi se ende është në pritje të një ftese, qoftë nga Kosova apo Shqipëria. Sahiti ka thënë se deri më tani nuk është kontaktuar nga asnjëra prej federatave, por ka shtuar se do ta zgjedhë atë që do ta ftojë e para. Futbollisti që sezonin e shkuar ishte i huazuar tek ekipi tjetër nga Kroacia, Shibeniku ka luajtur më herët për përfaqësueset U19 dhe U21 të Shqipërisë. Madje, me ekipin e shpresave, ai ka shënuar dy gola në dhjetë paraqitje dhe është në pritje të ftesës për të luajtur në nivelin senior.
“Ende nuk kam pasur ftesë nga Federata e Futbollit e Kosovës apo Federata e Shqipërisë. Megjithatë, me rëndësi për mua është që të kem paraqitje të mira te Hajduku dhe pastaj ftesa nuk do të mungojë”, ka shtuar Sahiti duke shtuar se do të pranojë të luajë për vendin që e thërret i pari.
Sahiti në fillim të vitit 2018 iu pati bashkuar ekipit të dytë të Hajdukut nga Rabotniçki i Shkupit, kurse ka luajtur edhe për gjeneratat e reja të Prishtinës. Krahas Sahitit, pjesë e ekipit nga Spliti është edhe mbrojtësi Lumbardh Dellova, i cili edicionin e shkuar luajti i huazuar te Prishtina në Superligën e Kosovës.