Sport

Sa më shumë që forcohet gara, aq më shumë rriten akuzat ndaj arbitrave

Prishtinë, 8 mars – Arbitrat e futbollit në Kosovë janë në qendër të vëmendjes në fillim të stinorit pranveror, por jo për të mirë. Pas çdo xhiroje akuzat e klubeve dhe trajnerëve në drejtim të gjyqtarëve të futbollit janë të mëdha. Madje ata po akuzohen se po i vendosin ndeshjet në fushë me vendimet e tyre.

Trajneri i Feronikelit, Klodian Duro, vazhdon t’i fajësoi arbitrat për rezultatet jo të mira të skuadrës së tij. Pas humbjes në shtëpi nga Drita, Duro tha se skuadra që ai drejton u dëmtua duke mos iu dhënë një penallti.

Për shkak të kritikave në drejtim të arbitrave në ndeshjet e mëhershme, Duro ishte dënuar me 500 euro nga Komisioni Disiplinor.

Kritika pati edhe trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli, i cili pretendonte se goli i Arbërisë ishte nga pozicioni jashtë lojës.

Si rezultat i ankesave në procedurë disiplinore kanë përfunduar klubi i Gjilanit, presidenti i këtij klubi, Florim Zuka, dhe drejtori Sevdail Robelli.

Po ashtu trajneri i Llapit, Tahir Batatina, u ankua për një penallti të padhënë për ekipin e tij në humbjen nga Prishtina.

Njohësi i referimit, Ismajl Kasumi, ka thënë për KOHËN se gabimet janë njerëzore. Sipas tij, aplikimi i VAR-it do të eliminonte shumë probleme.

“Referët nuk vendosin për ndeshje, por gabimet ndoshta ndonjëherë vendosin edhe rezultatin e ndeshjes. Për atë janë organet e FFK-së. Unë po i shoh dhe po i përcjell. Ata janë duke e marrë dënimin e merituar. Edhe me VAR po ka gabime dhe po vendoset rezultati i ndeshjes. Dhashë zoti që sa më shpejt të vijë VAR-i edhe te ne dhe për këtë është duke punuar FFK-ja. Nuk ka njeri që punon e nuk gabon. Edhe referat janë njerëz dhe mund të gabojnë” u shpreh Kasumi.

E derisa të vijë VAR-i në futbollin kosovar, Kasumi ka një ide e cila mund të ndikojë që të ketë gabime më të vogla. Ai thotë se arbitrat me stemë të FIFA-s duhet jenë çdoherë në delegim. Në disa xhiro ata janë lënë anash nga Komisioni i Gjyqtarëve duke mos u deleguar fare.

“Sa u përket referëve me stema të FIFA-s, ata duhet të jenë të parët që të jenë në delegim. Respekt për të gjithë, por ata janë referë që kanë gjykuar 10-12 ndeshje ndërkombëtare dhe këtë duhet ta ketë parasysh komisioni i delegimit. Në atë komision janë persona të respektuar”, tha Kasumi.

Ish-gjyqtari i futbollit shtoi se kolegët e tij nuk po i vendosin ndeshjet qëllimisht. Kasumi theksoi se gjyqtarët që po gabojnë po marrin dënimet e merituara. Në fakt ish-arbitrat vazhdimisht u dalin në mbrojtje arbitrave aktualë.

“Një mund t’ju them me bindje të plotë, asnjë refer nuk e bën gabimin me qëllim, por ato ndodhin. Akuzat e klubeve nuk janë të mira. Nuk po them që nuk kanë të drejtë të japin mendimin e tyre, por të akuzojnë një refer që bën gabim me qëllim, unë mendoj që nuk është e drejtë. Shoqata është në përcjellje të çdo ndeshjeje dhe për çdo gabim që e kanë bërë në këtë xhiro gjyqtarët janë dënuar. Dënimet janë sipas kontrolleve të referëve, pra në bazë të notës ata marrin dënimet”, deklaroi Kasumi.

Trajneri i futbollit, Erdin Hashani, mendon se në disa raste klubet ankohen te gjyqtarët për të mbuluar të metat e veta. Ai thekoi se nëse gabimet janë me tendencë, duhet të jenë të pafalshme.

“Është sezon që ka pasur, ka dhe do të ketë ankesa të shumta ndaj gjyqtarëve për shkak se çdo gabim apo lëshim do t’i kushtojë ekipit dhe është në njëfarë forme ‘fajësimi’ ndaj tyre për t’i mbuluar të metat apo dështimet e tyre. Shpresoj që gabimet e gjyqtarëve të mos jenë me tendencë sepse kjo nuk është e falshme. Le të jenë vetëm gabime njerëzore, pasi kush punon edhe gabon”, u shpreh Hashani.

Për të eliminuar ankesat e shumta dhe për të shkuar kampionati në mënyrë të rregullt dhe të drejtë, Hashani thotë se ndeshjet derbi duhet të gjykohen nga gjyqtarët që kanë stemë të FIFA-s.

“Kemi gjyqtarë shumë të mirë dhe besoj se çdo vit ka rritje të tyre. Tash po ka gabime normale. Unë shpresoj që sidomos në lojërat që janë derbi të jenë gjyqtarët që kanë stema të FIFA-s. Ata duhet të jenë në ndeshjet e mëdha dhe të ndjeshme. Është fat i mirë që po kemi edhe gjyqtarë të rinj që besoj shumë shpejt edhe ata do ta bëjnë përvojën dhe do të gjykojnë ndeshje të mëdha”, tha Hashani.

Organi kompetent në Federatën e Futbollit të Kosovës që i delegon gjyqtarët është Komisioni i Gjyqtarëve.

Në një përgjigje për KOHËN, ky organ ka thënë se nuk i komenton fare deklaratat e klubeve dhe të trajnerëve.

“Komisioni i Gjyqtarëve nuk i komenton deklaratat e askujt. Janë organet e tjera të FFK-së që shqyrtojnë dhe analizojnë secilin rast dhe secilën deklaratë të të gjithë pjesëmarrësve në një ndeshje futbolli”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Komisionit të Gjyqtarëve dhënë KOHËS muajin e shkuar.

Sipas këtij Komisioni, gjyqtarët që gabojnë e marrin dënimin që është i përcaktuar në rregullore. KGJ insiston se gabimet janë të paqëllimshme.

“Pas çdo xhiroje mblidhet komisioni vlerësues dhe analizon materialet filmike nga secila ndeshje dhe nëse vlerësohet se ka pasur gabime atëherë jepen ndëshkimet për gjyqtarët, me mosdelegim në ndeshjet pasardhëse apo edhe me dërgim në rang më të ulët të garave. Normalisht që as gjyqtarët nuk janë të pagabueshëm, por në bazë të të gjitha vlerësimeve të deritashme rezulton se gabimet janë të paqëllimshme. Ky komision është plotësisht i pavarur në punën e tij dhe jep vlerësime profesionale”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.

Kosova ka 10 gjyqtarë të futbollit dhe tre të futsallit, të cilët janë pajisur me stema të FIFA-s. Tre prej tyre janë kryesorë: Genc Nuza, Besfort Kasumi dhe Visar Kastrati. Asistentë janë: Lumturije Muhadri, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj, Fatmir Sekiraqa, Edmond Zeqiri, Imran Kabashi dhe Besnik Morina.