Selektori i Rumanisë, Edi Iordanescu, ka vlerësuar lart Kosovën. Por ka shtuar se ekipi i tij ka ardhur në Prishtinë për rezultat pozitiv. Rumania është mysafire e Kosovës në duelin kualifikues për “Euro 2024”, i cili i takon Grupit I. Ndeshja zhvillohet të premten prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Rumania ka dy fitore dhe i prin grupit së bashku më Zvicrën me nga gjashtë pikë, katër më shumë se Kosova që renditet e treta.
Iordanescu e di se Kosova është në mesin e përfaqësueseve që e synojnë vendin e dytë në grup, i cili garanton kualifikimin në Evropianin në Gjermani. Ai ka shtuar se Zvicra e ka pothuajse të garantuar vendin e parë, kështu që përfaqësueset e tjera do të luftojnë për vendin e dytë.
“E kemi studiuar kundërshtarin, ashtu siç ai na ka studiuar ai neve. I kemi identifikuar disa lojtarë cilësorë, të cilët luajnë nëpër kampionate të forta të Evropës. Kosova ka treguar shumë gjëra interesante kohët e fundit dhe ka një trajner me përvojë. Kështu që nuk do të jetë e lehtë, por ne kemi ardhur për rezultat pozitiv”, ka thënë Iordanescu të enjten në konferencën për shtyp. Selektori rumun e vlerëson Kosovën njërën prej rivaleve.
“Mendoj se Kosova është kandidate për vendin e dytë, pra nuk është kandidatja kryesore. Jemi katër ekipe që luftojmë për dy vendet e para dhe Kosova është ndër kandidatët për pozitën e dytë. Zvicra i ka gjasat më të mira për vendin e parë, ndërsa të tjerët do të luftojmë për vendin e dytë”.
Iordanescu nuk ka dashur t’i zbulojë pikat e forta të “Dardanëve”.
“Nuk ju tregoj se cila është pika më e fortë e Kosovës. Është skuadër e fortë, ka kapacitet dhe e kompletuar. Në momente të caktuara është shumë e rrezikshme. Ka shumë lojtarë që luajnë në ligat kryesore të Evropës. Janë lojtarë cilësorë dhe në çdo moment mund të bëjnë diferencën dhe po ashtu disa prej tyre kanë fituar tituj kampioni në Itali e Turqi. Lojtarët e Kosovës e dinë mirë se çka është presioni, në të kundërtën nuk do të luanin në kampionatet e mëdha sepse nuk do të kishin vlera. Na pret një duel i fortë dhe besoj se jemi gati për rezultat pozitiv”.
Selektori rumun e ka parasysh që Kosova do të jetë maksimalisht e motivuar për ndeshje duke pasur parasysh se në muajin mars mori vetëm dy pikë në ndeshjet e para të këtij cikli eliminator.
“Kemi ardhur me vetëbesim, entuziazëm dhe energji të mirë. E kemi parasysh se do ta kemi një test të rëndësishëm kundër një ekipi që po ashtu synon kualifikimin. Përkundër startit të mirë që e kemi pasur në këto eliminatore, ne nuk kemi garanci për rezultat pozitiv. Kështu që jemi gati për të vuajtur për të arritur një gjë të tillë. Përballë kemi një kundërshtar jo vetëm që është i vlefshëm, por edhe tejet i motivuar. Andaj duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos bëjmë gabime që mund të na kushtojnë”.
Kapiteni i Rumanisë, Tudor Baluta, nuk ka hezituar të pranojë se synim janë pikët e plota në Prishtinë. Ai ka thënë se Rumania dëshiron që ta shënojë edhe fitoren e tretë në mënyrë që ta bëjë edhe një hap më shumë drejt kualifikimit në Evropian.
“Është një ndeshje e rëndësishme, sikurse të gjitha të tjerat në këto kualifikime. Ne kemi ardhur këtu me ndjenjën e fitores në mendje. Pra, duam të fitojmë, por këtë duhet ta dëshmojmë në fushë, e jo me fjalë. Kosova është një prej kandidatëve për kualifikim në Evropian dhe fitorja në Prishtinë do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Kam besim në ekip pasi jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje”, është shprehur Baluta. “Nuk e di se si Kosova do t’i qaset ndeshjes, por ne duhet të jemi të fokusuar në punën tonë. Ne jemi profesionistë, e përfaqësojmë Rumaninë dhe duhet të japim gjithçka nga vetja”.
Rumani nuk ka lojtarë në ligat e mëdha. Bazohet më shumë në forcën e grupit.