Sport

Rumania, destinacion tjetër interesant për futbollistët shqiptarë

Sulmuesit Albin Berisha dhe Jalen Blesa janë lëvizjet e fundit që janë bërë nga kampionati i Kosovës për në atë rumun.

Blesa kaloi nga Prishtina te skuadra Universitatea Craiova, kurse Berisha nga kampioni i Kosovës, Ballkani, u transferua te Petrolul Pliesti.

Më parë, skuadrave rumune nga kampionati i Kosovës iu bashkuan edhe Ermal Krasniqi e Albion Rrahmani. Sulmuesi Rrahmani iu bashkua Rapid Bukureshtit nga Ballkani, në gusht të vitit të kaluar. Nga Ballkani drejt Rumanisë, përkatësisht te Cluji, në janar të vitit të kaluar lëvizi Ermal Krasniqi.

Krasniqi nga janari i këtij viti është bashkëlojtar i Albion Rrahmanit. Dy futbollistëve iu bashkua më pas edhe Florent Hasani, që te Rapidi kaloi nga Tirana.

Ditë më parë, Dinamo Bukureshti prezantoi sulmuesin kosovar Astrit Selamani.

Kështu, kampionati rumun është bërë destinacion goxha i pëlqyer për lojtarët shqiptarë, njëjtë si ai i Turqisë.

Numri i futbollistëve shqiptarë në kampionatin rumun është i madh.

Në Cluj luajnë Arlind Ajeti dhe Rion Zejnullahu. Pjesë e Sepsit janë Isnik Alimi dhe Sherif Kallaku, ndërsa në Voluntari është Naser Aliji. Rijad Sadiku paraqitet te Botosani.

Në të kaluarën ka pasur edhe lojtarë të tjerë shqiptarë që kanë bërë karrierë në klube të ndryshme rumune. Një prej tyre është Elis Bakaj.

Ish-futbollisti i Shqipërisë, Bakaj, gëzon respekt në Rumani. Ai jeton në Bukuresht. Për skuadrën nga Bukureshti, Dinamo, luajti 33 ndeshje.

Bakaj thotë se kërkesa e klubeve rumune për t’u përforcuar me lojtarë shqiptarë është rritur falë paraqitjeve të Ermal Krasniqit dhe së fundi të Albion Rrahmanit.

Lojtarët si Krasniqi, Rrahmani e disa të tjerë kanë rënë në sy gjatë ndeshjeve që Ballkani i zhvilloi ndaj Clujit rumun në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës në edicionin 2022/2023.

Rumania ishte kundërshtare e Kosovës në kualifikimet për “Euro 2024” dhe kështu bashkëpunimi u rrit. Ndaj rumunëve, “Dardanët” do të luajnë edhe në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.

“Është kampionat shumë më cilësor se kampionati i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe lojtarët kanë mundësi të bëjnë një hap shumë më të madh. Ka pasur lojtarë nga kampionatet tona që në Rumani kanë bërë diferencën dhe po kërkohen më shumë lojtarë, sidomos shqiptarë. Rrahmani ka bërë paraqitje shumë të mira dhe vitin e kaluar Ermal Krasniqi u dallua te Cluji. Janë disa lojtarë që kanë bërë paraqitje të mira dhe jo rastësisht po kërkohen shumë lojtarë të tjerë. Unë me forcat dhe njohjet e mia mundohem të sjell sa më shumë lojtar shqiptarë në Rumani”, ka theksuar Bakaj të mërkurën për KOHËN.

Ai thotë se në Rumani vlerësojnë lart lojtarët shqiptarë.

“Në Rumani flasin mirë për lojtarët shqiptarë, i respektojnë dhe po kërkohen shumë të tjerë. Kampionati rumun është në rënie nga koha që kam luajtur unë. Ka paga më të ulëta, por nuk është i dobët, është kampionat që nxjerr lojtarë, sidomos të rinj. Është vështirë të bësh hapin nga kampionati ynë në Serie A. Duhet një ndalesë në ndonjë shtet evropian dhe pastaj në klube të ligave të mëdha. Kampionati ua rrit vlerën lojtarëve në tregun e transferimeve”, ka theksuar Bakaj.

Ai pret që në një të ardhme të afërt Rrahmani dhe disa të tjerë të bëjnë hapin e madh drejt kalimit në ndonjë prej pesë ligave më të forta evropiane.

“Rumania ka infrastrukturë të mirë. Ka kushte, stadiume të mira, kampe bazike dhe është një trampolinë e mirë për të kaluar në kampionate të tjera më të forta. Disa prej lojtarëve i shoh në ‘top-5’ ligat më të mira të Evropës në një të ardhme të afërt. Me këto paraqitje deri tash, pse jo? Edhe vjet u fol shumë që Krasniqi të kalojë nga Cluji te Lazio. Kampionati rumun gjithmonë ka shitur lojtarë në kampionatet më të forta evropiane”, ka thënë Bakaj.

Gjatë janarit nga Rumania pati interesim edhe për disa lojtarë të tjerë nga Superliga e Kosovës. Për shembull Lumbardh Dellova ishte në shënjestër të Universitatea Craiovas. Por ai mbeti te Ballkani.

“Jam i lumtur që kam pasur ndikim në ligën e Rumanisë. Shpresoj që në të ardhmen të ketë edhe më shumë transferime nga Kosova, sepse tashmë janë duke e përcjellë shumë Superligën e Kosovës”, ka thënë Albion Rrahmani ditë më parë për KOHËN.

Lexo përditësimet tjera

Amerikani bëhet milioner pasi u nda nga e dashura

Një amerikan pati fat pasi i fitoi 1 milion dollar në lotari, tri ditë pasi u...