Sport

Rrugëtimi i veçantë i Pllanës nga Kosova në Championsin aziatik

Prej Kosovës në Kore të Jugut nëpërmjet Suedisë. Ky është rrugëtimi i futbollistit mitrovicas Leonard Pllana.

25-vjeçari të martën u prezantua te Jeonnam Dragons, ekip që bën gara në kategorinë e dytë të Koresë së Jugut. Por nuk bëhet fjalë për klub të vogël. Përkundrazi.

Jeonam Dragons vitin e kaluar e ka fituar Kupën e Koresë së Jugut. Dhe këtë vit do të luajë në Ligën e Kampionëve të Azisë, garën elitare për klube të futbollit në këtë kontinent.

Për ta transferuar Pllanën nga ekipi i kategorisë së dytë të Suedisë, IK Brage, Jeonamm Dragons ka paguar 400 mijë euro dëmshpërblim. Sulmuesi me ekipin e ri ka firmosur kontratë dyvjeçare dhe po vlerësohet përforcim i madh për edicionin e ri që nis muajin tjetër.

Me Pllanën në përbërje, Jeonnam Dragons po synon kthimin në elitën jugkoreane. Vitin e kaluar përfundoi i katërti në kategorinë e dytë.

“Përforcimi më i ri i klubit tonë është lojtari i importuar. Sulmuesi Leonard Pllana vjen nga IK Brage. Ai është kërcënim për kundërshtarët me shpejtësinë dhe agresivitetin që ka”, thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar të klubit jugkorean.

Pllana është i gatshëm për aventurën e re. Ai pranon që asnjëherë nuk i ka shkuar mendja se do të jetë pjesë e një ekipi nga Koreja e Jugut. Thotë se insistimi i zyrtarëve të klubit Jeonnam Dragons ka bërë që t’i refuzojë ofertat që i kishte nga skuadrat elitare të Suedisë dhe të Turqisë.

“Jo, nuk kam menduar asnjëherë se do të luajë në Korenë e Jugut. Mirëpo me të kuptuar për interesimin e klubit kam marrë informacione dhe e kam studiuar ligën. Është një ligë shumë e shpejtë, me një tempo të lartë të lojës dhe ka futbollistë shumë cilësorë. Kështu që jam gati për këtë aventurë të re në karrierën time, e cila besoj se do të jetë e suksesshme”, ka thënë Pllana, i cili ende nuk po stërvitet me pjesën tjetër të ekipit, ndonëse prej një jave është në Kore të Jugut.

“Po stërviti individualisht. Me mua është gjithmonë trajneri kondicional që kujdeset për gjendjen time. Po bëhet një javë që po stërvitem i vetëm për shkak të izolimit dhe së shpejti pritet të bashkohem me ekipin. Deri më tani klubi më ka qëndruar pranë dhe gjithçka është shumë mirë. Besoj se nuk do ta kem problem të ambientohem në skuadër”.

Edicioni 2022 në kategorinë e dytë të Koresë së Jugut nis më 19 shkurt. Synimi i Jeonnamit është ta fitojë titullin dhe të promovohet në elitën e futbollit jugkorean, ndërsa Pllana është i gatshëm ta japë kontributin e tij në këtë drejtim.

Pllana do ta ndihmojë Jeonnam Dragonsin edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë, që nis më 15 prill. Skuadra e kosovarit është në grup me Pathum United të Tajlandës, United City të Filipineve dhe Melbourne City të Australisë.

“Pas një edicioni shumë të mirë në Suedi te Brage, interesimi nuk ka munguar nga skuadrat e tjera. Por seriozitetin që e ka treguar Jeonnam Dragons dhe insistimi i trajnerit për të më transferuar kanë bërë që t’i refuzojë ofertat e tjera që i kisha nga Superliga e Suedisë dhe Turqisë”, ka treguar Pllana. “Po ashtu ekipi e ka fituar Kupën e Koresë së Jugut dhe është kualifikuar për Ligën e Kampionëve të Azisë. Kështu që transferimi im në këtë ekip është një hap shumë i mirë në karrierën time. Në Championsin e Azisë do ta kem rastin të përballem me ekipe të mëdha të këtij kontinenti. Krahas rezultateve të mira në këtë garë, shpresoj të kemi sukses edhe në kampionat dhe të sigurojmë futjen në Superligë për vitin tjetër”.

Ai bëhet lojtari i parë nga Kosova që do të luajë në Korenë e Jugut, ndërsa shqiptari i dytë pas Sokol Çikalleshit, i cili në vitin 2012 pati gjashtë paraqitje për ekipin Incheon United.

Pllana thotë se ka përgjegjësi të madhe duke qenë se është kosovari i parë në futbollin e Koresë së Jugut dhe shpreson që të ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës nëse tregon paraqitje të mira. Ai në fakt ka qenë pjesë e Përfaqësueses U21 të Kosovës.

“Unë kam dalë nga futbolli i Kosovës dhe kam luajtur për ekipin U21. Mirëpo, tani shpresoj se me paraqitje të mira në Korenë e Jugut do të merrem parasysh dhe do të marrë ftesë nga Kosova A në të ardhmen. Gjithmonë jam i gatshëm të luajë për vendin tonë. Për ta arritur këtë duhet ta ndihmoj ekipin tim të ri të ketë sukses në kampionat dhe rezultate të mira në Championsin e Azisë. Ky do të jetë fokusi im dhe pastaj do të shohim si do të shkojnë gjërat”, theksoi Pllana.

Pllana edicionin e shkuar në kategorinë e dytë të Suedisë ka pasur paraqitje të mira. Sulmuesi i krahut ishte ndër më të dalluarit tek IK Brage, ku shënoi 15 gola në 32 paraqitje në të gjitha garat.

Ai prej fundit të vitit 2014 ka luajtur në futbollin suedez, kryesisht në kategorinë e dytë, ndërsa i ka pesë paraqitje në elitë me ekipin e Dalkurdit. Te Brage ka pasur paraqitjet më të mira. Në dy edicionet e fundit, Pllana në 56 ndeshje kampionale ka shënuar 21 gola dhe ka bërë dhjetë asistime. Para Brages ka luajtur edhe te GAIS-i, Norrbyn e Grebbestadin. Në total në kategorinë e dytë të Suedisë, Pllana ka shënuar 33 gola dhe ka bërë 12 asistime në 137 ndeshje.

“Jam lojtari i parë nga Kosova që do të luajë në Korenë e Jugut dhe do të mundohem ta përfaqësojë vendim tim në mënyrën më të mirë të mundshme pasi ndiejë përgjegjësi. Kam luajtur gjashtë vjet në futbollin suedez dhe tani do të përpiqem ta dëshmoj veten edhe në Korenë e Jugut”, u shpreh Pllana.

Ai hapat e parë në futboll i ka bërë te skuadra e Trepçës. Ka luajtur në ekipin e parë të Trepçës përpara se në moshën 18-vjeçare të largohej drejt Suedisë. Ai është vëllai i madh i Bujar Pllanës, qendërmbrojtësit që javën e shkuar u transferua te skuadra e Prishtinës nga Feronikeli.