Sport

Rrugëtimi i suksesshëm i Krasniqit deri te kualifikimet e Championsit

Ermal Krasniqit i janë dashur pak më shumë se pesë vjet në futboll për të pasur mundësinë që të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Ylli i Ballkanit, që kishte filluar të luante futboll të madh në moshën 17-vjeçare, të martën në mbrëmje do të debutojë në garën e madhe evropiane për klube. Debutim në Champions do të jetë edhe për skuadrën e Ballkanit, e cila do ta luajë ndeshjen e parë kundër Zhalgirisit nga Lituania. Dueli zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

“Realisht kam filluar vonë rrugëtimin e të bërit lojtar, por gjithmonë kam pasur besim në aftësitë e mia dhe në karakterin tim. Gjithmonë kam qenë i rrethuar me njerëz që më kanë përkrahur shumë si familja, menaxheri Kastriot Telaku dhe gjithmonë duhet t’i jam mirënjohës profesorit Bylbyl Sokoli, i cili besoi në cilësitë e mia dhe prej Ligës së Dytë kërkoi që të luaj në Superligë”, u shpreh Krasniqi të dielën për KOHËN.

“Sigurisht që të debutosh në Ligën e Kampionëve do të jetë ndjenjë e veçantë pasi që luajmë në garë të madhe e ku niveli është i lartë. Kam pasur një sezon shumë të mirë dhe shpresoj që të vazhdoj me paraqitje të mira edhe në Ligën e Kampionëve, në mënyrë që ta ndihmoj ekipin që të kalojmë tutje”.

Krasniqi mendon se eksperienca që kanë disa futbollistë në skuadër dhe fakti që luajnë bashkë për një kohë, do të jenë ndihmesë e madhe në përballjet me Zhalgirisin.

“Për klubin do të jetë hera e parë, por jo edhe për disa lojtarë. Shumë futbollistë kanë luajtur në këtë nivel dhe me eksperiencën e tyre na bëjnë pak më të lehtë. Mendoj dhe besoj shumë në grupin e lojtarëve. Me shumicën prej tyre jemi që tre vjet bashkë dhe kjo na ndihmon shumë”, u shpreh 23-vjeçari nga Malisheva.

Ai beson se skuadra është e gatshme për duelin e së martës dhe me ndihmën edhe të shikuesve mund t’ia dalin.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Fati i madh është se nuk kemi pasur shumë dëmtime me përjashtim të Rustem Hoxhës, të cilit i uroj shërim të shpejtë. Jemi përgatitur mjaft mirë dhe në mënyrë profesionale nga trajneri dhe stafi. Gjithçka ka shkuar mirë dhe na mbetet që atë që e kemi ushtruar ta tregojmë në fushë”, deklaroi sulmuesi.

Krasniqi ka theksuar se e ardhmja personale më së paku i intereson momentalisht. Për shërbimet e Krasniqit kanë shfaqur interesim disa klube jashtë Kosovës.

“E ardhmja ime nuk dihet. Dhe të them të drejtën më së paku po merrem me atë çështje. Është agjenti im që merret me këtë punë. Unë jam i fokusuar te ndeshjet që na presin e pastaj të shohim. Me rëndësi është që të kalojmë sa më shumë raunde me Ballkanin në Ligën e Kampionëve”, theksoi Krasniqi.

Ermal Krasniqi ka qenë ndër lojtarët më të mirë te Ballkani, skuadër që e fitoi titullin e kampionit të Kosovës për herë të parë në histori.

Krasniqi shënoi 16 gola dhe bëri katër asitime në 32 ndeshje në të gjitha garat. Ishte golashënuesi më i mirë i ekipit nga Suhareka.