Sport

Rrugën e Manajt pritet ta ndjekin edhe Jashari e Selmani

Nga Superliga e Kosovës drejt futbollit evropian pritet të transferohen edhe dy futbollistë të njohur kosovarë. Bëhet fjalë për Muharrem Jasharin e Trepçës ’89 dhe Kastriot Selmanin e Llapit, të cilët karrierën pritet ta vazhdojnë në Superligën ose Ligën e Parë të Turqisë.

Për këta lojtarë që e kanë veshur edhe fanellën e Kosovës U21 janë të interesuar dy klube të Superligës së Turqisë dhe tri të Ligës së Parë.

Jashari te Trepça ’89 dhe Selmani te Llapi kanë pasur paraqitje fantastike këtë edicion, duke qenë ndër lojtarët kryesorë. Kalimin e Jasharit dhe Selmanit në Turqi pritet ta bëjë të mundur Besart Cecelia, ish-futbollist i njohur kosovar. Interesimin e klubeve turke e ka pohuar Cecelia, por nuk ka dashur të japë më shumë detaje.

“Po ka interesim nga Turqia për Muharrem Jasharin dhe Kastriot Selmanin. Për momentin kaq mund t’iu them. Nuk mund të zbuloj detaje tjera”, tha Cecelia.

Edhe futbollisti Muharrem Jashari e pranon se ka interesim për të. Jashari mendon se ka ardhur koha që të bëjë hapin e madh në karrierë.

"Ka interesim nga disa klube, por ende nuk ka asgjë konkrete. Fokusi im është në kampionat dhe do të jap më të mirën për ta ndihmuar Trepçën ‘89. Pastaj do të shohim se çka do të ndodhë. E di që janë duke me përcjellë disa klube. Mendoj që ka ardhur koha që unë të bëj një hap të madh në karrierën time, por do të shohim se çka do të ndodhë pas përfundimit të kampionatit”, tha Jashari për KOHËN.

Interesimin e klubeve turke i konfirmon edhe sulmuesi i Llapit, Kastriot Selmani.

“Interesim ka, por ende nuk ka asgjë zyrtare”, ka thënë Selmani.

Besart Cecelia e ka dërguar në futbollin turk edhe Arb Manajn, i cili nënshkroi kontratë me Keciorengucun në Ligën e Parë. Në janar, Manaj u huazua te Belikesirspori. Në 28 ndeshje ka shënuar 12 gola dhe ka bërë edhe tri asistime.