Përfaqësuesja e Portugalisë ka qenë mirë dhe me të vërtetë e paralajmëruar që të mos e marrë si të lehtë kërcënimin nga Maqedonia e Veriut, ndërsa përballet me pushtuesin e Italisë në finalen e plejofit për një vend në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, ka shkruar AFP. Kjo ndeshje zhvillohet në “Estadio do Dragao” në Porto dhe nis në orën 20:45. Kombi ballkanik mahniti Italinë në gjysmëfinalen e plejofit në Palermo të enjten e shkuar, duke fituar 1:0 falë një goli të Aleksandar Trajkovskit në kohën shtesë. Kjo fitore e Maqedonisë së Veriut bëri që kampionia në fuqi e Evropës, Italia, të mbetet për herën e dytë rresht pa u kualifikuar në Botëror.
Portugalia e Cristiano Ronaldos, që i parapriu Italisë si kampione evropiane në vitin 2016, mund të ketë qenë duke u përgatitur për perspektivën e një dueli vendimtar me italianët, por në vend të tyre do ta kenë përballë Maqedoninë e Veriut. Fituesi i këtij dueli do të konfirmojë pjesëmarrjen në turneun e Katarit që mbahet në fund të këtij viti.
“Për momentin, futbolli është ndryshe. Çdokush mund të mposhtë këdo. Emrat, numrat dhe statistikat nuk kanë rëndësi”, paralajmëroi mesfushori i Portugalisë, Joao Moutinho, kur u pyet për ndeshjen me vendin prej dy milionë banorësh, i renditur në vendin e 67-të në ranglistën e FIFA-s. “Ne duhet të tregojmë në fushë se kemi më shumë cilësi dhe ta imponojmë lojën tonë”.
Portugalia i mbijetoi një frike për të mposhtur Turqinë 3:1 në gjysmëfinalen e saj, pothuajse duke hedhur poshtë një epërsi me dy gola pasi Burak Yilmaz humbi një penallti të vonshme për mysafirët përpara se Matheus Nunes të siguronte fitoren e nikoqirëve. Skuadra e përzgjedhësit Fernando Santos kishte humbur tashmë vendin e parë në grupin e saj kualifikues duke pranuar gol në minutën e fundit për t’u mposhtur 2:1 në shtëpi nga Serbia, në muajin nëntor të vitit të shkuar. Për Portugalinë, dështimi për t'u kualifikuar në Kupën e Botës do të ishte pak më pak se një skandal, duke pasur parasysh cilësinë që e posedon - Joao Felix i Atletico Madridit ishte vetëm në stol kundër Turqisë, për shembull.
Për Ronaldon, golashënuesin më të mirë ndërkombëtar të të gjitha kohërave në moshën 37-vjeçare, ky me siguri do të jetë Botërori i tij i fundit nëse Portugalia arrin atje. Portugezët kanë në dispozicion përsëri mbrojtësin veteran, Pepe, që është shëruar nga koronavirusi, ndërsa do të kthehet edhe Joao Cancelo.
“Ne kemi një përgjegjësi për të arritur në Kupën e Botës, kështu që presioni është aty, pavarësisht se me kë po luajmë. Ne e dimë shumë mirë se duhet të jemi në Katar”, tha ylli i Manchester Cityt, Bernardo Silva.
Portugalia, e cila është ndër vendet më të mira në vazo nëse kualifikohet, nuk ka munguar në një Kampionat Botëror që nga viti 1998, ndërsa “Euro 2020” ishte paraqitja e parë në një turne të madh për Maqedoninë e Veriut. Ata tashmë kanë mposhtur Gjermaninë si dhe Italinë jashtë në këtë sezon, ndërsa barazuan 0:0 në një ndeshje miqësore në një vizitë të mëparshme në Portugali, në vitin 2012.
“Ne jemi në rrugë të mirë për të konfirmuar pse jemi në mesin e 20 skuadrave më të mira në Evropë”, insistoi trajneri Blagoja Milevski.
Finalja tjetër e plejofit që luhet po ashtu të martën, sheh Poloninë të presë Suedinë në qytetin jugor Chorzow, me polakët që kërkojnë t'i japin fund një serie prej gjashtë humbjesh radhazi ndaj suedezëve.
Polonia, e cila përfundoi e dyta pas Anglisë në grupin e saj kualifikues, u kualifikua direkt në finale për shkak se kundërshtari i saj në gjysmëfinale, Rusia, u pezullua nga i gjithë futbolli ndërkombëtar pas pushtimit të Ukrainës. Suedia, çerekfinaliste e Botërorit “Rusia 2018”, mundi Çekinë 1:0 në gjysmëfinalen e saj me një gol të Robin Quaison në kohën shtesë. Këto skuadra u takuan në “Euro 2020” qershorin e kaluar në Shën Petersburg, me Suedinë që shënoi në fund të ndeshjes për të triumfuar me rezultatin e ngushtë 3:2. Polonia do të jetë pa sulmuesin Arkadiusz Milik, pasi ai pësoi një dëmtim në barazimin miqësor 1:1 të së enjtes në Skoci. Dhjetë skuadra evropiane kanë arritur tashmë të sigurojnë një vend në shortin e së premtes në Doha për Kupën e Botës, me gjithsej tre vende ende për t'u rrëmbyer nëpërmjet plejofit. Uellsi do të marrë pjesë në finalen tjetër të plejofit, por ajo është pezulluar të paktën deri në qershor, sepse lufta çoi në shtyrjen e gjysmëfinales mes Ukrainës dhe Skocisë.