Sport

Rritja e shpejtë e Hotit, shpresës së mbrojtjes së Kosovës

Trajneri i Magdeburgut, Christian Titz, e ka vlerësuar Andi Hotin si “mbrojtës qendror i ri, i talentuar dhe që sjell shpejtësi e forcë në duele”.

E shpejtë ka qenë edhe ngritja e shpresës së Kosovës në karrierën si futbollist.

Hoti u lind në Zvicër, ndërsa është zhvilluar te skuadrat Volketswil, Bauma dhe Zuerich. Me Zuerichun luajti për grupmoshat U16 dhe U18. Me 18-vjeçarët pati 14 ndeshje dhe tre gola të shënuar. Më pas bëri lëvizjen për te grupmoshat U17 dhe U18 të Interit. Suksesi nuk i mungoi me “nerazzurrët”. Fitoi titullin e Italisë për grupmoshën e juniorëve.

Në verën e vitit të kaluar qendërmbrojtësi Hoti u huazua te Freiburgu II, në kategorinë e tretë gjermane, që ishte edhe përvoja e parë në futbollin senior. Luajti në 23 ndeshje dhe shënoi një gol e asistoi në një tjetër. Magdeburgu, skuadra e Bundesligës 2, e zyrtarizoi transferimin e tij këtë javë. Pra, rritja e shpejtë e Hotit në karrierë u bë brenda pesë vjetëve.

Hoti, 20-vjeçar, ka qenë fjalëpak në intervistën dhënë për KOHËN, të dielën. Dëshiron që të shfaqet më shumë në fushën e lojës.

Transferimi te Magdeburgu e ka gëzuar shumë, por e pranon se niveli tani është më i lartë dhe duhet punë më e madhe.

“Ka qenë lëvizje pozitive në karrierë, sepse niveli është më i lartë dhe mund të mësoj edhe më shumë. Po ndihem mirë sepse fansat janë shumë të zjarrtë. Ekipi ka histori të pasur dhe shpresoj që mund të vazhdojmë ta shkruajmë historinë e këtij klubi”, është shprehur Hoti.

Magdeburgu është skuadër që e ka fituar një herë Kupën e Fituesve të Kupave, në edicionin 1973/74. Ka qenë edhe tri herë rresht fitues i elitës së futbollit të Gjermanisë Lindore. Shtatë herë ka qenë fitues i Kupës, trofeut të dytë më të rëndësishëm në Gjermaninë Lindore.

Hoti është i vetëdijshëm për historinë e klubit dhe thotë se do të punojë shumë për të arritur edhe më shumë me Magdeburgun.

“Më kanë pritur shumë mirë në skuadër. Të gjithë kanë qenë të afërt me mua, edhe bashkëlojtarët. Shpresojmë që të bëjmë një kampionat të mirë”, theksoi Hoti, që nuk foli shumë për të ardhmen.

“Plane në futboll nuk ka, sepse futbollit nuk i dihet kurrë. Për mua është e rëndësishme që të jem mirë me shëndet, pa lëndime”.

Mbrojtësi i gjatë 191 centimetra shpreson në paraqitje të mira dhe në ftesën e Përfaqësueses A të Kosovës. Hoti ka dy paraqitje për U17 të Kosovës dhe tetë me Kosovën U21. Ditë më parë realizoi gol në fitoren e Kosovës U21 ndaj Estonisë, në ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2025”. Për golin ndihet krenar, por më shumë për fitoren e përfaqësueses.
“Me ndihmën e Zotit shpresojmë që ta nisim mirë kampionatin dhe natyrisht pres që të ftohem edhe nga Kosova A. Kampanjën kualifikuese me U21 e kemi nisur me fitore. Jam krenar që kam arritur ta ndihmoj ekipin me një gol të shënuar. Besoj se do të kemi edhe më shumë fitore”, deklaroi Hoti.

Hoti zhvilloi ndeshje miqësore të shtunën me Magdeburgun. Kontribuoi në fitoren 4:0 ndaj Westerhausen. Luajti në pjesën e dytë.

Te Magdeburgu është edhe Jason Ceka.